Powered By Blogger

Monday, June 30, 2014

Nuk kërkoja shumë, vetëm pak më tepër jetë...



Nuk do të kërkoja shumë vite, vetëm pak më tepër seç pata mundësi të kisha. Sikur të kthehesha dhe një herë mbrapa, çfarë nuk do të bëja... Të gjitha ato që lashë pezull, do t’i mbaroja me një frymë. Do të isha i ndërgjeshshëm që kohë nuk do të kisha shumë. Askush nuk ka kohë të tepërt, por e kuptojmë vetëm kur e humbim dhe nuk e kemi më. Nuk do të rrija më në kafetë e mbushura plot. Nuk do të dilja pa asnjë shkak nga shtëpia. Do të kisha shumë më tepër kohë, vetëm për ju.
Njihemi shumë pak, ajo çfarë ka mbetur tashmë nga unë janë vetëm foto të shumta të varura në dhomë. Vij natën ju shoh në gjumë, teksa flini. Shpesh jeni të zbuluar e më dhemb në shpirt që nuk mund t’ju mbuloj dot. Më keni aty sa herë kolliteni, apo keni ftohtë. Më keni aty dhe në çdo ditëlindje. Sa pak kohë pata fatin të jem aty! Nuk më mjaftuan ato vite që t’ju puthja pa fund. Do të kisha dashur më shumë, duhej të isha aty kur të më thërrisnit në emër, kur të qeshnit apo zemëroheshit me mua. Do të doja të shihja sytë tuaj kur t’ju zgjoja çdo mëngjes. Do të kisha dashur shumë! Sa shumë gjëra do të kisha dashur të bënim bashkë! Do të më tregonit, apo jo edhe për vajzën e parë që do të dashuronit?!
Edhe sa pak vite jetë do të kisha dashur! Nuk e di! Do të doja ndoshta për të ndenjur me ju një pafundësi. Por, nëse kjo nuk do të ishte e mundur, do të doja të kisha aq kohë sa të shikoja ju të rriteshit edhe pak. E dija që, padrejtësisht ditët i kisha të numëruara, por të paktën të kisha kohë deri sa të shkonit ju në klasën e parë. Do të kisha dashur t’ju shikoja ashtu me çanta në kurriz, teksa përplaseshit me njëri-tjetrin kush të dilte i pari nga dera e shtëpisë. Sa do të më pëlqente t’ju shikoja të ziheshit për vendin e parë të makinës, duke e ditur që të dy do të uleshit mbrapa. Do të më pëlqente edhe kur do të ankoheshit për mësuesen, shokët e klasës, apo kur të më tregonin prapësitë e bëra një ditë më parë.
Nuk patëm kohë as të përshëndeteshim si burrat, ishit aq të vegjël atë ditë sa nuk doja t’ju trembja, nuk dija çfarë t’ju thoja, e ndaj ika ashtu atë pasdite të ftohtë janari.
Ju nuk kishit mbushur ende 3 vjeç, unë nuk desha, ju betohem, por Zoti kaq na lejoi të jemi bashkë, vetëm kaq jetë më kishte dhënë. Sikur të kisha edhe pak vite jetë, sa për t’ju puthur duar e këmbë…

No comments:

Post a Comment