Powered By Blogger

Monday, February 5, 2018

A të kam thënë ndonjëherë se...

    Vetëm ti më njeh kur unë jam e fryrë, si Sena në ditët e sotme me shi. Je ti mikja ime, që ke qenë aty gjithmonë, pavarësisht se kur ka qenë hera e fundit kur jemi parë. Mund të ketë qenë dje; një vit më parë, ose që në vitin e largët 2003. Ti e di mirë kush je, ke qenë përherë aty për mua, kur unë kam pasur nevojë për ty. Je aty kur unë qesh. Ti më ke parë në ditët e mia “formidable”; kur pi e qesh pa fund. Nuk ka nevojë për fjalë, pasi ti di të lexosh mes shkronjave të mia. Më mbështet sa here unë bëj marrëzi dhe më mban ‘dorën’ sa herë unë qaj për një temperaturë të djalit.

    Nuk do të përmend emra, pasi ti e di kush je. Të kujtohet kur ecnim rrugës së Durrësit dikur? Kur qeshnim pa fund në trotuar, pasi sapo na kishin pushuar nga puna. Të kujtohet si njerëzit na shikonin me habit dhe kthenin kokën të çuditur? Nuk mund ta besonin se kishte njerëz ‘të lumtur’ në atë kohë kur në rrugën e Durrësit të zinte syri: pluhur, tuba, punëtorë llaci dhe makina luksi. Ata nuk e dinin se e qeshura jonë ishte një mburojë ndaj atyre që sapo na kishin mbyllur dyert. Po atëherë kur rrinim natën vonë në Qytetin Studenti dhe lexonim deri në mesnatë “Të mjerët” e Viktor Hygo-s; të kujtohet? Ti je aty edhe kur pinim kafe pa fund dhe bisedonim për cdo gjë në tavolinën tonë të preferuar në “Friends book house”. Por, je këtu dhe ti mikja ime e re; shqiptare apo e huaj. 

    Miket e mia të shumta, ju kujtohen ditët që doja t’i ulërija gjithë botës? Ju ishit me mua e nuk më latë kurrë vetëm. Më njihni aq mirë, sa e dini që miqësia për mua është si një lloj droge që nuk mund të bëj pa të. E, kur je larg nevoja për t’ju takuar ju, mikeshat e mia të mira, rritet edhe më shumë. Sidomos në ditët kur njeriu ka nevojë që dikush t’i thotë në gjuhën e tij: “Mos e çaj kokën!” 

Where friends meet. :)


    Vitet ikin e ne si pa kuptuar nuk jemi më ato që ishim dikur. Megjithëse ju e dini që nëse do të më jepej mundësia të isha dhe një herë 20 vjec, do të bëja po ato gabime që kam bërë dikur. Duke vrapuar nëpër shtigjet e shumta të jetës, as që i kemi vënë re thinjat që janë shtruar mire e mire në kokën tonë. Ndoshta dhe i kemi vënë re, por jemi kënaqur duke “gënjyer” veten ëmbël me një bojë të përkohshme në floktore. Por, punë e madhe për thinjat. Kjo është jeta në fund të fund, dhe nëse fati do të dojë që ne të kalojmë nëpër cdo etapë të saj, atëherë vërtet mund të themi: jetuam dhe lamë gjurmë. A nuk janë ata që do të lemë pas, gjurmët tona më të mira?! Atë që kemi kaluar e dimë, e ardhmja është në proces pune. Na jep çdo ditë nga një grimcë për të ‘shijuar’: qeshur e qarë.  

    E, sa më shumë vitet kalojnë, ndien dhe vlerëson ata miq që kanë mbetur ende në rrethin tënd. Janë ata të vërtetët që nuk kanë lëvizur prej aty. Ata që më një telefonatë apo mesazh të bëjnë të qeshësh pa e vënë re. Me ata mund të jesh i sinqertë, i hapur, i vërtetë. Me ata nuk ka gënjeshtra, mburrje e foto të bukura në facebook e instagram. Jo! Vetëm me ata ti je vetvetja. Dhe sa më shumë koha ikën e, thinjat e rrudhat vërtet shtohen - jo më me shaka - e kuptoj se keni një vend të rëndësishëm, në restorantin e trenit të jetës sime.