Zëri i dy grave që nuk pushojnë
së foluri një moment teksa ti udhëton në mëngjes me metro, të bie në kokë si
tik-tak-u i orës, që megjithëse ti e shtyp disa herë, ajo sërish refuzon të të
bindet derisa të arrijë qëllimin, të të zgjojë.
Mendon me vete se po të ishte kohë dreke edhe do t’jua falje apo do t’i
kuptoje, por jo në atë orë, në pikë të mëngjesit kur ti mezi mban sytë hapur
ato flasin gjithë pasion.
Situata në tramvaj bëhet më e
qetë, më pak njerëz, të cilit flasin me vete me zë të ulët, të paktën kështu
duket, pasi nga flokët mezi i vë re kufjet e vëna në vesh. Rrufis kafenë time, marrë
në “coffe to go”, gjithmonë më ka pëlqyer ky stil i të jetuarit të gjërave me
shpejtësi, në udhëtim. “Gjumë kemi kohë të flemë kur të vdesim”, ka thënë dikush
që mua as më kujtohet se cili.
Teksa tramvaji duket sikur fluturon në urën e
famshme “Erasmusbrug”, shikoj që rrezet e para të diellit (ato mëngjese të
pakta kur ka diell), prekin sipërfaqen herë të pastër e herë të turbullt të
lumit Maas, humbas në mendime. Fundi i fundit e di që kam edhe gati 10 minuta për
të mbërritur në shkollë, edhe nëse nuk do e kem mendjen zëri që njofton çdo stacion
do të më kujtojë, ndaj jam e lirë të ëndërroj.
“Mrekulli, - thashë me vete -
edhe në Tiranë më në fund do të ndërtohet një tramvaj. Punë e madhe që bota nuk
bën më propagandë për zgjedhje ndërtimin e një tramvaji, por të paktën le të bëhet.
Ne gjithmonë kështu i kemi shijuar gjërat. Në çdo fushatë zgjedhore; a nuk
shtrohet rruga para lagjes? Nuk prish shumë punë nëse asfalti i shtruar nuk do
të mbajë shumë, pasi është parashikuar të hidhet sërish në fushatën për
mandatin tjetër.” Mbaj mend që ndërtimi i
tramvajit u premtua që në zgjedhjet e vitit 2011, nuk ka kaluar shumë kohë,
pushtetarët kanë patur të tjera halle me të rëndësishme se ajo vepër, e ndaj u
kujtuan sërish tani. Po si i thonë ndër kohëra “më mirë vonë se kurrë”.
Meqë teknologjia është në fazën
e saj të lulëzimit, e meqë të gjithë ata që kisha afër ishin duke zbardhur
dhëmbët në Facebook, whats app, viber, twitter, e kush e di tjetër çfarë,
vendosa të bëj dhe unë si ata. Me një lëvizje të shpejtë i kërkova google të më
tregojë se në çfarë viti ishte krijuar tramvaj i parë në botë. Njëkohësisht
mendova se google ishte një gjetje e jashtëzakonshme, bindej menjëherë, pa shumë
fjalë jo si ato gratë llafazane me të cilat më dukej që sapo isha ndarë.
Shtanga! Idea për ndërtimin e
një tramvaji ishte hedhur në vitin 1804, në Wales në Britani, ndërsa kishte
filluar funksionimin në vitin 1807.
Epo thashë ne kemi qënë vend
komunist, i lidhur ngushtë më Bashkimin
Sovjetik në atë kohë. Edhe aty përgjigjja ishte - 1872. Mora frymë thellë!
Atëherë, zëri djallëzor ngriti
krye, duke më pyetur se çfarë kërkoja të dija me saktësi? Mos vallë po kërkoja
përgjigjen e pyetjes se përse nuk ishte ndërtuar në Tiranë kohë më parë?! Jo!
Kjo ishte kërkesë e madhe ndaj vetes në atë mëngjes.
Lidhja e dy skajeve të
kryeqytetit me një tramvaj më pëlqen si ide, ndaj nuk doja t’a lija mendjen
djallëzore të pyeste më tepër. Por ajo sërish ngriti krye e nuk donte t’ja
dinte çfarë pëlqeja apo jo unë. Kësaj here më foli me një zë të ulët, a thua se
kishte frikë mos e dëgjonte një grua aziatike që kisha pranë. “Kot mundohesh që
kërkon sa andej-këtej, asgjë të re nuk do të gjesh”, - më thoshte zëri. Madje
vazhdonte duke ma mbushur mendjen se tramvaji duhej të ndërtohej pa shumë bujë,
po të kishin mundësi gjatë gjithë natës. Ndoshta vetëm në këtë mënyrë do t’i
hidhin hi syve “google-it” apo ”Wikipedia-s” që tramvaj ka qenë aty kohë më parë,
ato thjeshtë nuk e kanë shënuar, ato thjesht kanë gabuar. Pra faji nuk do të
ishte yni, por si gjithmonë i të tjerëve. Edhe qytetarët kur të zgjoheshin në mëngjes
do ta merrnin të mirëqenë, sikur e kishin patur aty prej 100 vjetësh, pasi
ashtu i takon të jetë.
Zëri elektronik i tramvajit që më njoftoi stacionin ku duhej të zbrisja nuk më la të bëja kërkime të tjera, për Kinën për shembull, se kush e di çfarë do të kisha nxjerrë?! Nuk rri dot pa e thënë: daton në vitin 1899. Kur llogarita se në çfarë viti jetojmë, rrudha buzët, madje s’më pëlqeu më as kafeja që tashmë ishte bërë e ftohtë.
Zëri elektronik i tramvajit që më njoftoi stacionin ku duhej të zbrisja nuk më la të bëja kërkime të tjera, për Kinën për shembull, se kush e di çfarë do të kisha nxjerrë?! Nuk rri dot pa e thënë: daton në vitin 1899. Kur llogarita se në çfarë viti jetojmë, rrudha buzët, madje s’më pëlqeu më as kafeja që tashmë ishte bërë e ftohtë.
No comments:
Post a Comment