Sot është dita jote, por edhe dita ime. Kjo ditë
do të jetë e jona, bashkë, derisa unë të kem frymë. Më duket se akoma je i
lidhur me të njëjtin kordon, që unë të ushqeja dikur. Megjithëse tani ke filluar
të bësh shumë pyetje: si të mbaja, ku të mbaja e si të jepja për të ngrenë, kur
ti ishe brenda meje. Je një pjesë e imja - ndoshta pjesa ime më e mirë - e shkëputur
nga trupi im, nga shpirti im e, unë kurrë nuk mund ta ndaj më jetën dhe ditën time
nga ti.
Unë i kam harruar netët pa gjumë, qarjet e tua pa fund, lodhjen, sytë që
morën një pamje të mavijosur nga pagjumësia. Tani shoh vetëm ty që rritesh cdo
ditë. Shoh sytë e tu, që flasin edhe kur ti je i zemëruar e nuk do të thuash
asnjë fjalë, shoh buzëqeshjen tënde, kuriozitetin tënd prej fëmijë që do të
dish gjithcka. Nuk më vjen keq fare që kam harruar të vishem me funde të
shkurtra, apo këpucë më taka, si dikur. Jo, më vjen mirë kur rend pas teje e
veshur me atlete dhe flokët e kapura bisht, për të fshehur faktin që janë të
palarë. Për të parë buzëqeshjen tënde dhe sytë e ty që shkëlqejnë, nuk më vjen
aspak cudi kur ngjitem pas teje ‘majë lodrave’; dikur qeshja me ata që e bënin
një gjë të tillë.
Në sytë e tu prej fëmijë, shoh dëshirën
tënde për t’u bërë pilot dhe frikën time; lutjet e mia të fshehta që ti të heqësh
dorë. Pak profesione ka në tokë, që do të më ikësh lart në qiell? Dje më pyete nëse do të fluturoja me avionin
tënd, kur ti të bëheshe pilot. Dhe zemra zuri të më rrahë shpejt, madje më
lindi një ide që të bëj dhe vetë një shkollë për pilote, sa për të të ndihmuar
nëse do të ndodhesh në vështirësi. E di, është cmenduri!
E di bir, që kur ti erdhe mes nesh, jeta
dhe bota për mua mori një tjetër kuptim. E di bir, që dua të të mbroj nga cdo gje, dhe e di që është e padrejtë. E di edhe që ti duhet të provosh, të rrëzohesh,
të ngrihesh vetë e, sërish mua më duket e padrejtë. Dua që të jem unë ajo që të
të mbroj nga cdo gjë, dhe unë e di mirë që kjo është gabim. Thjesht nuk mund ta
ndaloj vetëm së mbrojturi ty. Bir, unë tani e ndaj jeten time në dy pjesë: para
dhe pas 23 marsit të vitit 2012. Më duket se pas kësaj date unë jam bërë tjetër
njeri, ndoshta jam dhe më e ndjeshme se më parë. Kush e di! Bir, pas këtij viti
unë kam edhe thinja më shumë. Më shtohen pa dashur sa herë ti ke temperaturë; vritesh
kur luan me shokët, apo qan pa asnjë shkak. Bir, e di që sot nuk do të më
kuptosh e, mbase do të duhen shumë vite që ta dish se ti je krijesa ime pa
defekte. E vetmja krijesë për të cilën unë nuk ankohem, nuk dyshoj në vetvete
dhe nuk kërkoj më shumë. Të dua kështu sic je! Je dashuria ime.
No comments:
Post a Comment