Powered By Blogger

Monday, January 26, 2015

Bukra ime pi birra, po juaja?




  Sa më shumë i njoh aq më shumë me vjen të ulëras me të madhe. T'ju ulëras m'u në surrat me sa të kem fuqi. Le të me arrestojnë, për prishje të qetësisë publike, apo fyerje personash, të paktën do të jem e kënaqur. Kujt t'i ulëras?! Atyre që mbajnë të gjitha nje emër: Bukra. Janë aq shumë në numër sa duket sikur shtohen si me magji.
E di që secili prej nesh e ka një Bukra në fis. Bukra ime nuk i përket fisit tim, kemi qëlluar fis i drejtë "budallenjsh", pa mashtrime e fati na la edhe pa Bukrën. Megjithë tualetin që bën, Bukra ime sërish ka ngjashmëri më shumë me burrat. Natyra e ka lëne dhe të shkurtër e si për ta shtuar shkurtësinë e saj mban veshur më të shumtën e kohës pantallona të bardha, si të jetë stina; të shkurtra ne verë e të gjata ne dimër. Nëse do të m'i falte njeri çimzet që kishte veshur atë ditë kur e njoha për herë të parë do të mendoja se po tallej me mua. Por ajo është "bukra", ajo është moda dhe marka e fundit.
Si e kalon ditën? - më pyeti?
Shkruaj - i thashë unë.
Pffft po kjo as hahet e as pihet, - ja priti ajo.
Po shkrimet e mia janë si ato të Hoxhës; pihen me ujë dhe e japin efektn më vonë, - ja ktheva unë jo pa ironi. Ajo as e vrau mendjen për një gjë të tillë.
Bukra ime nuk pranon të pi kafe dosido, si ne të tjerët, si të na e sjellin ne nuk bëjmë llafe. Ajo e do në këmbë si italianët. Pak rëndësi ka se italianët e pijnë kafenë në këmbë se janë me nxitim për në pune, Bukra ime e pi ashtu se do të tregojë veshjen e fundit. E nëse gjen nje vend tjetër që kafja nuk pihet si italianët, qe të themi të drejtën vetëm atje pihet e tillë, Bukrës time nuk i pëlqen ai shtet: sa shtet pa gusto i dalë mode!
Se Bukra ime ha në restorante klasi, e pi verë të shtrenjtë, pavarësisht se qejfi ja ka një birrë me qofte. I shijoji birra me chips, nuk e njihte njeri, përveç meje që ju duka e parrezikshme. Nuk i thashë se një ditë do të ishte personazhi im e ndaj ato patatina mund t’i mbeteshin edhe në grykë. Se Bukra ime s'di ku t'i cojë paratë e ndaj i duhej një rrip 300€ për kafshen e saj shtëpiake. Nuk kam asgjë kundër kafshëve, por kur mendoja që im atë ka një rrogë mujore prej 200 mijë lekësh të vjetra sa nuk ju hodha në grykë, kafeja në këmbë s’kishte qenë asgjë.
Se Bukra ime nuk di ta dallojë që Stambolli është qytet, e i thotë shtet, por sërish Bukra ime ka tre shtëpi në Tiranë e unë që bëj dallimin nga shteti në qytet, mbeta në shtëpi me qira.
Bukra ime ka dhe makinë, - natyrisht, - do të thoni ju, - s'kishte si të ndodhte ndryshe. Bukra ime parkon vend e pavend, nuk e njeh shenjën “minus”; ndalim kalimi! Gjobat i paguan Mreti. Pyes veten sa lekë do të ketë ky Mreti?! Gabim! Mreti nuk ka lekë, Bukra nuk e njeh ketë ngjyrë, ajo flet vetëm me euro, ndërsa unë me këtë lloj paraje nuk di t’i bëj llogaritë mirë. ;)

 


Wednesday, January 21, 2015

As unë dhe as ti, po kush atëherë?



Kot nuk ka thënë i pari që faji mbetet jetim. Nuk kam shkruar asnjëherë për çfarë ndodhi katër vjet më parë dhe as nuk mendoja se do të shkruaja për të një ditë. Kjo për faktin jo se nuk me vjen keq për jetët e katër njerëzve që ikën si të mos ishin kurrë, por për arsyen se nuk e kam kuptuar asnjëherë një pazar të tillë politik. Kjo nuk do të thotë se i kam kuptuar të tjerët, që siç i thonë shprehjes “të vrasin natën e të qajnë ditën”, por të paktën pazaret e tjera politike kanë qenë të lidhura me interesa të ngushta, të ulëta të tipit “më jep, të të jap”!  Mungesën e atyre hallexhinjve të mjerë që u gënjyen e dolën në shesh, e ndjejnë sot; gruatë që s’ka burrat në shtëpi, fëmijët që kanë nevoje t’i thërrasin edhe një herë “baba”, nënave ju rëndon një dhimbje e madhe në shpirt.
Të tjerët bëjnë paradën e rradhës, fjalime e sharje pa fund. Gjithëkush i hedh fajin tjetrit, a thua që ajo që ndodhi më 21 janar të vitit 2011, është një ngjarje aq e largët sa duhet treguar me fillime të tilla: “Na ishin një herë, katër burra që u vranë m ú në mes të Tiranës, në ditën me diell, në sytë e të gjithëve e ndërsa kanë kaluar katër vjet e të gjithë e dinë se kush ishte fajtori, të gjithë bëjnë dy sy qorr e dy veshë shurdhë.” Po përpiqen aq shumë të gjejnë fajtorët e vërtetë të ngjarjes sa duket sikur po kërkojnë gjilpërën në kashtë, kur gjilpëra ka dalë nga kashta e ka marrë dhenë, madje nuk është më as gjilpërë, por tra që e shohin të gjithë. 
 Përse qenka kaq e vështirë për të vënë para drejtësisë njerëzit që bënë një krim të tillë? E kur nuk vihet drejtësi për një krim që e panë të gjithë, atëherë si mund të kërkojmë drejtësi për krimet që një Zot e di si kryhen, që edhe CIA do ta kishte të vështirë. Sa të vështirë e ka njeriu të jetojë në një shtet, që del në një protestë e mbetët përgjithmonë aty, në Bulevard. Ç’rëndësi ka se nga kush u nxit, apo çfarë u premtua, ata duhej të ishin kthyer në shtëpi atë natë si gjithë të tjerët. 
Kam parë sharje e komente pa fund ndaj gruas së njërit prej viktimave e cila ishte e vendosur ta çonte çështjen deri në fund. Se ne kemi në gjak që në vend që ta bindim tjetrin me fakte dhe argumente e kemi më të udhës të shajmë e të ulërijmë. Të dyja këto kërkojnë; më pak përgatitje, më pak punë, e ne punën nuk e kemi aspak me qejf e ndaj i biem rrugës më të shkurtër.  Ajo që të vret sytë sot, janë deklaratat boshe të politikanëve shqiptarë që pa pikën e turpit e hedhin “topin” sa në një anë në tjetrën. Zgjedhjet vendore kanë ende 6 muaj kohë, ndaj ju duhet të mbledhin votat. Dikush zgjedh të fajësojë të dyja forcat politike për 21 janarin, një palë tjetër hesht, dikush tjetër vë lule. Po në fakt kush nga këta i vrau ata të mjerë? Sigurisht as unë, e as ti që ndoshta po e lexon këtë shkrim, por vetë ata që e përdorin këtë datë se herë ju teket e sa herë ju duhen vona.