Powered By Blogger

Sunday, December 28, 2014

Në Tiranë



Sot do të doja të isha në Tiranë! Sa i çuditshëm qenka njeriu, kur është atje, kërkon të ikë, kur je larg kërkon të kthehesh, nuk i gjendet filli kësaj pune. Por sot do të doja të isha në Tiranë, do të më pëlqente të zgjohesha nga zhurma e petrogazit, që do të thoshte se mami po bënte kafenë. Meqë nuk e pi kafen turke, ajo kujdeset që ta bëjë enkas për mua në një ekspres të vogël, i hedh edhe pak qumësht dhe ka shijen më të mirë në botë, që vetëm ajo di ta bëjë. E kam provuar edhe vetë, por kurrë nuk ka dhënë rezultatin e duhur. E çuditshme, tani po pi një kafe “nespresso”, e po ta dëgjonte George Clooney këtë që po them do të qeshte me të madhe, por mund të ndodhte dhe e kundërta, do të kërkonte të njihte këtë person me shije të tilla të habitshme. Sa mirë po të ndodhte kjo e dyta, yyyy sa shumë media do të shkruanin për mua. Haha do të isha e famshme. Po do të dilja në televizor, do të shkruaja në Facebook: me shikoni njerëz, kjo jam unë, s’kam bërë asgjë të mençur, po pi vetëm kafe.
Por sot kam një dëshirë të papërmbajtur që të isha në Tiranë, s’ka problem se është ftohtë e nuk ka ngrohje, s’ka problem që ajo rezistenca e vogël mezi të ngroh njërën anë të trupit, e pjesa tjetër të është bërë akull, por punë  e madhe do të uleshim në ndonjë lokal e do të rrinim aty për një dy ose tre orë të mira me një makiato me qumësht të ftohtë.
 Do të doja të isha në Tiranë, megjithëse ajo zhurma dhe zallamahia para datës 31 dhjetor më lodh kokën, megjithëse nuk i duroj dot ato zhurmat nga plasja e nuk e di se çfarë, apo tymi që ndodh nga pas, do të bëja sikur nuk i dëgjoja. Sot do të doja të isha në Tiranë, nuk do të kaloja fare nga tregu ku shitet gjel deti apo pulë deti, asnjëherë nuk di nga dallohen, dhe fundja as që me duhet fare, nuk dua as ta ble, pse pak pula ka në dyqan, te therura të bëra gati vetëm për t’u vënë në tavë. Shija?! Pse çfarë ndryshon? Kur mendon çmimin më duket më e mirë ajo e ngrira, që pret vetëm për t’u shkrirë, mmm sa shumë shijon! ;)
Përfundimisht sot do të doja të isha në Tiranë!

Saturday, December 27, 2014

Mos më zgjo, nuk dua




U struka nën çarçafët që mbanin një erë freskie, erë që vetëm në Paris mund ta ndjesh. As vetë nuk e di pse gjendem gjithmonë duke shkruar në këtë qytet, por të ngjall aq shumë ndjenja dhe përjetime sa nuk mund të kalosh pa i vënë re. Dhoma e madhe e rregulluar sipas stilit francez, më bënte të ndihesha akoma më mirë. Më dukej vetja se po ja kaloja dhe Meryl Streep në filmin “Djalli vishet me Prada”; nejse Prada nuk kisha, por ama mbaja veshur një këmishe nate të zezë “Armani”, që më rrinte sipas trupit. Mëndafshi i lehtë merrte format që dëshironte sa herë unë rrotullohesha në krevat. Doja të flija, të flija gjatë; zhytur në dyshekun “pullman”, por dritat e qytetit hynin pa pyetur në dhomën time. Ishte Krishtlindje; si mund të flejë njeriu në këtë kohë, e për më tepër në Paris.
Parisi nuk është qyteti i duhur për të fjetur gjumë e, megjithatë unë doja ta sfidoja.
E pamundur!
Parisi fiton tek unë gjithmonë. Ky qytet është pika ime e dobët e, unë nuk lodhem asnjë çast duke e parë atë. Çdo rrugicë e tij më duket sikur mban mbi vete poezi, më duket sikur ky qytet është ndërtuar enkas për të qenë i tillë.
U ngrita ngadalë a thua se do të më thyhej ndonjë gjë po të ngrihesha më shpejt. Lëviza pak perden e dhomës: dritat nuk shuheshin kurrë në atë qytet. Ishte ftohtë; dëbora e parë sapo kishte zënë të shtrohej qetë-qetë: pa u vënë re. Të rinjtë putheshin në rrugicat, tashmë te bardha . As i ftohti e as bora, – mendova me vete, - nuk e bën këtë qytet të ndalojë një çast; të marrë frymë. Jo nuk ka kohë, ndalesa është vetëm për të vdekurit. Qyteti ecte me ritmin e ditës edhe natën, kështu kishte qenë ndër kohëra e kështu do të ishte sërish. Mbylla perden, nuk ishte mirë të përgjoja të rinjtë teksa i përgjëroheshin njeri – tjetrit për dashurinë.
U vesha, mora çantën dhe dola, ndoshta nuk do të më jepej një rast i dytë të shëtisja natën, nën dëborë, rrugicave të qytetit magjik.

E ndjeja që po gdhihej, në horizont dukej që nata po shkrihej ngadalëme ditën. E habitshme, kisha ndenjur të gjithë natën jashtë; duart me ishin bërë akull e pothuajse kisha ngrirë. Këpucët me taka m’i kishin rraskapitur këmbët. Ç’më tha mendja kur dola që vesha pikërisht ato? U kujtova. Nuk kisha çfarë bëja, ato shkonin më shumë me çantën që mora me nxitim. Po pse pikërisht atë çantë? Në dollap kishte dhe shumë të tjera. Ohu, sa shumë pse? Sepse ajo çantë nxë më shumë ato që më duhen mua për një natë, si psh: parfum, peceta duarsh të lagura, të thata, kutinë e tualetit, një buzëkuq, një palë geta rezervë se mund të griseshin ato që kisha, kapuçin të cilin nuk di pse e vë, pasi gjithmonë përfundon në çantë, pastaj një bllok shënimesh, dhe një libër. Këto dy të fundit nuk e di as vetë se përse duheshin në atë natë, por asnjëherë nuk i dihej, fundja çanta prandaj ishte e madhe.
Ndihesha mirë, kisha parë aq shumë gjëra të cilat nata m’i tregoi vetëm mua. Sytë po më perëndonin. Dëgjoja një zhurmë që s’më linte të përqëndrohesha, duhej të gjeja rrugën e kthimit, tashmë ishte pothuajse dritë. Flokët e dëborës që binin pa pushim nuk më lejonin të mbaja sytë hapur, më në fund ja arrita: i hapa

Mos! Isha në ëndërr, alarmi i orës vazhdonte të binte pa pushim.

Ps. kur njeriu ka nevojë për një ëndërr ;) 


Tuesday, December 16, 2014

Po veza ç'hyn në këtë mes



Dhe dritat janë ndezur prej kohësh në qytet, e unë nuk i kisha vënë re. Mbrëmë teksa përpiqesha t’i largohesha të ftohtit, ngrita kokën për ta larguar erën e marrë që më përplasej gjithë inat në fytyrë, vetëm atëhere kuptova që ishte “Christmas time”. Për herë të parë në jetën time, kjo kohë më kishte kaluar pa vënë re. Rregullova për merak dhe bredhin dhe sërish nuk ndjeva atë gëzim prej fëmijë që ndjeja dikur. A thua të jem rritur vallë?! Nëse të rritesh ka këtë kuptim atëherë nuk dua të rritem, dua të mbetem një fëmijë!  E gjeta çfarë t’i kërkoj babagjyshit “Dua të jem fëmijë”, kështu nuk do të më shqetësojë fakti se përse Ganiu që jeton përballë nesh ka një makinë të bukur, megjithëse kur i duhet të shkruajë një letër, vjen i thotë babait tim. Nuk do të më shqetësojë as fakti që megjithëse i paguan rregullisht faturat e energjisë eletrike, ajo mungon, pasi ndoshta Nazmia nuk ka paguar asnjëherë në jetën e saj.
Po veza? Veza ç’hyn këtu? Asgjë më shumë e asgjë më pak se rritja e çmimit të saj. Po fundja punë e madhe: nuk do të ha vezë në mëngjes, nuk është se i kam patur ndonjëherë qejf, mund të bëj edhe pa të. Po prit veza u dashka për shumë gjëra, do të mbetemi pa bakllava. Unë as bakllavanë nuk e ha, kështu që nuk e dua vezën. Jo për gjë po kur vjehrra tha se është rritur çmimi i vezës, mendova me vete se si vjehrrë që është gjithmonë ankohet, se njeriu mund të bëjë dhe pa vezë. Por jo nuk qenka aq e lehtë puna, se veza vërtet e vogël është por punën e bëka të madhe. Se na duhen ëmbëlsirat e bëra më vezë, po edhe supa si ajo e Jovan Bregut me vezë e limon bëhet. Nuk jam eksperte e mirë e fushës së gatimit, por sidoqë të jetë veza na u dashka shumë. Po punë e madhe po të isha fëmijë do të shpëtoja nga thirrjet e mamit: haje vezën, pijë qumështin. Po çmimi i qumështit është rritur? Nuk e di, ups u dashka të pyes vjehrrën sërish, ja një arsye e mirë për të folur sërish me të. J E lista e gjatë nuk mbaron;  po të isha fëmijë nuk do të më shqetësojë as fakti se pas shumë pritjesh të gjata për nisjen e Masterit,  pashë edhe shumë fytyra që mendoja se nuk do të kishin arritur të kalonin as vitin. Po edhe se kush do të vërë dhuratat poshtë bredhit të krishtlindjeve, nuk do ta vras mendjen, se desh harrova me këtë pjesë a nuk merret “babagjyshi”, pra unë mjafton të bëj listën gati. Se po të jesh fëmijë nuk arrin të kuptosh se jeta ikën duke vrapuar sa larg-poshtë në autobus, metro, e me ç’të mundësh. Nuk të shqetëson fakti se thinjat shtohen çdo ditë teksa shikohesh tek pasqyra e ashensorit në mëngjës. Nuk di as çfarë të bësh me thinjën që ka ngulur rrënjë aty, ta presësh apo të inatosesh me të. Sido që të bësh thinja do të dalë e fituar. Pasqyra e ashensorit? Natyrisht! Pasi ti do të jesh gjithmonë e fundit në rradhë. 
Përfundimi: dua të jem një fëmijë, - jeta duket me bukur më sytë e tij.