Sot në mëngjes më lindi një ide briliante dhe sytë më shkëlqyen, si Edison-it kur shpiku llampën. Që të mos
ndryshoja mendje, mora telefonin dhe formova shpejt e shpejt numrin e Mark
Rutte-s (për ata që nuk e dine, është kryeministri holandez). Ishte ende herët, ndaj mendova se Mark-u nuk do të
kishte mbërritur në zyrë. Fundja, i dhashë
vetes kurajo, për të bërë një bisedë mbi artin, letërsinë; për gjërat e bukura
me pak fjalë, gjendet gjithmonë kohë.
Nuk di pse, por nga zëri m’u duk i
nevrikosur, ndoshta ngaqë e kisha shqetësuar
që në pikë të mëngjesit. “Cudi”, - thashë me vete si kishte mundësi të kishte
ndodhur një gjë e tillë, pasi sa herë e shoh në TV, më duket shumë i qetë
dhe mirëkuptues. I thashë se doja të promovoja në
zyrën e tij, në Tweede Kamer, librin tim të
ri, dhe meqë isha që isha aty, të thoja dy fjalë edhe për librat
e tjerë. Pse të mos bëhej një gjë e tillë,
kur Tweede Kamer ka dhoma dhe hapësira plot. I thashë gjithashtu edhe se do t’ju jepja të gjithë ministave e
ministreve të tij, nga një kopje të kryeveprës
sime, që ende nuk ka dalë në treg. Kjo, jo për ta korruptuar, por thjesht për
t’i shprehur mirënjohjen për gjestin e tij. Nuk di, dhe nuk kam lexuar që holandezët të kenë ekspozuar ndonjëherë
artin në zyrat e Tweede Kamer, megjithëse mua e gjithë ndërtesa e tyre më duket
art më vete. Ta ka ënda të punojë njeriu aty, të duket sikur është me
pamje nga deti. Mbaj mend në vitin 2010, pjesë e një
grupi gazetarësh ndërkombëtare, kur pata rastin të vizitoja atë vend, u mahnita
jo vetëm nga arkitektura, por dhe nga eleganca e asaj që pashë brenda. Mendova
me vete se si ka mundësi që nuk i kanë ekspozuar pikturat e Van Gogh-ut, apo
Vermer-it aty, por i kanë lënë nëpër muze të vecantë, ku njerëzia paguajnë para dhe mahniten duke i parë. I thashë vetes se nuk do t'ju ketë shkuar ndërmend, ndaj dhe doja t’i tregoja Mark-ut një sekret. U habita sërish kur ai u kollit pak, si për të qëruar
zërin, ose po kërkonte të fitonte kohë, pasi nuk po arrinte të konceptonte atë
që unë po kërkoja. Nuk e kuptonte, pse duhej ta ekspozoja artin tim e të falja
librat e mi në Tweede Kamer. Në mënyrë të sjellshme e, për të mos më ofenduar,
më tha që në Holandë ka shumë hapësira të vecanta, vetëm për të promovuar libra
që quhen biblioteka, apo mjedise publike e të tilla si këto. Ka gjithashtu edhe vende për të ekspozuar artin, si:
muze, salla artistike, lokale të marra me qira, ambjente të tjera të
improvizuara, ashtu sic edhe i ka hije artit; për të mos e ngatërruar me
politikën, pasi për një arsye, ose një tjetër, kanë misione të ndara.
Teksa me
sqaronte me bindje idenë e tij mbi artin dhe politikën, unë mendoja që nuk po më
kuptonte për të disatën herë edhe pse unë vazhdoja të këmbëngulja fort, me
shpirtin e një ballkanaseje. Unë thjesht doja ta shpëtoja, të ishte një hap
para Merkel-it, apo Macron-it, se me siguri edhe Parisi e Berlini, do të bëjnë një gjë të tillë. Nuk e mbajta dot veten dhe i tregova se në vendin nga vi kjo është normë, e të gjithë mund të ekspozojnë në kryeministri (nuk i tregova
se ekspozohet vetëm po të kesh njohur/dashur, vetë atë që ka celesat e kullës së barit). Po fundja dhe ai nuk ka pse t’i dijë të
gjitha. Dhe sërish me zë të lartë, shtova që meqë Shqipëria do të futet në mos
nesër, në një të pasnesërme që nuk e di se
kur në BE, a nuk do të ishte më mirë që Holanda të ishte avangardë dhe të
merrte dicka që bën sot Tirana zyrtare?! Nuk po i kërkonte njeri të bënte ndonjë
shpikje vetëm një “copy paste”. As këtë nuk e hëngri Mark Rutte, por në mënyrë,
sërish të sjellshme, më bëri të ditur se
duhej të merrte bicikletën dhe të nisej për
në Tweede Kamer, pasi kishte lënë disa punë urgjente. “Bicliketë, punë urgjente”, mendova me vete “pfff”. E mbylla telefonin
e mërzitur, por më shumë u zhgënjeva, kur më doli gjumi. ;)
No comments:
Post a Comment