Powered By Blogger

Monday, September 24, 2018

Grimca jete


Megjithëse dritarja ishte e hapur nga të dy kanatet e saj, gjithcka futej brenda, ishte vetëm një avull përvëlues, i përzier me djersë. Një freskuese në fund të dhomës së vogël, improvizuar si një redaksi lajmesh, më shumë bënte zhurmë sesa fresk. Sara tundi pak kokën mbrapa, si për të larguar flokët që i kishin zënë qafën dhe ngjiti shkallët e ndërtesës dykatëshe, pa e hedhur vështrimin as majtas e, as djathtas. Mbajti frymën që të fuste barkun pak brenda, e kështu mund të kalonte me lehtësi - pa prekur askënd - mes hapësirës boshe që krijonin karriget e shumta, të vendosura në kurriz me njëra tjetrën. U clirua më në fund kur u gjend para kompjuterit të saj, që si për dreq ndodhej në fund të dhomës. Ishte fund shtatori, por vera kishte lëshuar rrënjë aq fort, sa nuk kishte ndërmend të lëvizte. Ajo bëri një “uf”, a thua se vapa do të bëhej më e përballueshme, dhe më dorën e majtë - që kishte të lire - lëvizi një grumbull letrash që ndodheshin në anën e kompjuterit të saj. Bëri pak vend për gotën e bardhë plastike, mbushur deri në buzë me kafe. Nuk mbante mend sa kishte pirë deri në ato momente, por edhe të hiqte dorë nga zakoni i saj nuk ishte aq e lehtë. Hoqi cantën që varej në supin e krahut të djathtë dhe më në fund u ul. Fërkoi duart me njëra - tjetrën, sikur mendimet t’i buronin prej aty, dhe ju drejtua ekranit të bardhë. Me byrrala mbi tavolinën e punës, mjekrrën futur në duart e bëra grusht, Sara ja nguli sytë ekranit të kompjuterit dhe nuk arrinte të shkruante qoftë edhe një rrjesht; as edhe një fjali të thjeshtë. Prej ditësh qarkullonin zëra se dy gazetaret e reja do të hiqeshin nga puna, kështu do të merrnin dy të tjera, të reja; pa eksperiencë, të cilat do të kalonin nëpër të njëjtin fat: do të rropateshin sa në një cep në një tjetrin dhe do të paguheshin më pak nga të gjithë. Ajo e dinte që ishte njëra prej tyre. Shfryu me inat dhe kaloi prapa veshit një tufë flokësh, që i binin mbi sy. Shkroi një fjali e fshiu, shkroi dhe një tjetër e prapë e fshiu. Rrudhi pak buzën dhe mori në dorë gotën e kafesë. Gota ende nuk kishte prekur buzët e hapura, që prisnin lëgun magjik, kur dëgjoi një zë prapa veshit: Sillu mirë me mua dhe askush nuk do të heqë nga puna! Nuk e ktheu kokën, e dinte fare mirë kush ishte. Të dridhura i mbuluan trupin e lagur nga djersa. Bëri sikur nuk dëgjoi asgjë dhe hodhi prapë flokët mbi fytyrë, për të zënë sërish veshin. Në atë vend ishte më mirë të mos dije dhe të pretendoje që nuk dëgjoje asgjë. Nxori nga canta një nga ato letrat e lagura dhe fshiu djersën që i pikonte poshtë vetullave. Vuri kafen ne tavolinë, u ngrit, lëmoi pak me dorë - për t’i hequr rrudhat - fundin blu, me ca lule kafe në formë gonxhesh të mëdha, dhe u nis drejt zyrës së shefit. Ai ankth duhej të mbaronte! Nuk mund të kalonte as dhe një minutë më tej. Dera ishte e hapur dhe një grumbull mizash vlonin në hyrje, por as ato dukej se nuk tentonin të futeshin brenda. Ai, i gjithëpushtetshmi, ishte ulur në karrigen e tij me rrota, ndërsa këmbët i mbante të ngritura mbi tavolinë. Sarës po i dridheshin gjunjët, e zemra po i rrihte fort, sikur do t’i dilte vendit. Cfarë do t’i thoshte? Po sikur ato që kishte dëgjuar të ishin vetëm thashetheme? Nuk pati më kohë të kthehej pas, ai e vuri re dhe ja bëri me shenjë të priste. Në cdo skenar të mundshëm, Sara ishte e humbura. Ajo dinte dy gjuhë të huaja; kishte lexuar katër vëllimet e “Lufta dhe Paqja”; kishte mbrojtur temën e diplomës me dy romanet e Dostojevskit; kishte qarë shumë për Fabricion te "Manastiri i Parmës", por asgjë nga aty nuk pinin ujë ,në atë ambjent grenxash. E dinte që diplomën për inxhinieri, që Ai mbante të varur në mur, e kishte blerë për pak para. Ai kishte miq të fuqishëm në politikë, nga ata me qafë të trashë dhe që lënë orat ‘Rolex’ për bakshish, ndërsa Sara nuk kishte asnjë. Ai kishte një shtëpi në Tiranë dhe një në bregdet, ndërsa Sara mezi paguante qiranë; edhe atë duke e ndarë me kolegen e saj. Ai kishte një makinë ‘Audi’ edhe e shoqja dhe e dashura e tij, kishin nga një të tillë. Sara shkonte dhe vinte në punë me atobusin e unazës. Ai kishte.... Dora e tij e madhe, që u valëvit në ajër si zog që ka humbur drejtim, ja ndërpreu në mes mendimet. “Sa mirë që erdhe vetë, mbaro c’ke për të bërë për sonte dhe nesër është më mirë të mos dukesh më këtej. Ah, se mos harroj, thuaja dhe shoqes tënde. Nesër në vendin tuaj do të punojnë dy vajza të tjera”. Sara kafshoi buzën në tentativë për të ndaluar lotët. “Po...pse...,” u gëlltit ajo dhe fjalët e saj u mbytën. “Të lutem, mbylle derën kur të dalësh”, - i tha ai pa asnjë emocion në fytyrën e tij të kuqerrëmte dhe nisi të luante me telefonin e tij, model i fundit. Ajo qëndroi ashtu për disa sekonda, dhe me hapa të avashtë mori rrugën për të ikur. Ndaloi në derë, mblodhi dorën grusht e, u kthye dhe një herë në drejtim të tij: “Një ditë...”, dhe fjalët i mbetën sërish në grykë. Mjekrra ju dridh dhe asnjë pjesë e trupit nuk po bindej më. Doli jashtë dhe mbylli derën, sic ja dhanë porosi. Ndaloi në krye të shkallëve dhe u ul. Këmbët i kishte aq të dobëta se nuk e mbanin për të bërë hapa më tej. Kjo ishte puna e tretë që kishte humbur brenda 6 muajve. Kishte një mal me borxhe dhe qiranë në fund të muajit për të paguar. Kishte minimizuar të ngrënët. Të dalurat nëpër klube ishin harruar. Ajo rronte pothuajse vetëm me kafe, e megjithatë, ajo e donte atë punë. Një zë i brendshëm, që po vinte duke u shuar dita ditës, i thoshte që duhej të qëndronte në atë profesion; ishte gjithë jeta e saj. Por pasioni nuk i paguante dot faturat. “Po tani o Zot, cfarë të bëj? Të iki dhe unë nga ky vend”? i vinte të ulërinte. Fshehu  kokën mes duarve të saj dhe qau pa zë.

Monday, September 17, 2018

Copëza jete…



Alba Nallani u ngrit nga karrigia ku kishte qëndruar për disa orë. Mblodhi krahët mbi gjoks, dhe nisi të bënte disa ecejakje në dhomën e saj të madhe. Muskujt e fytyrës i kishte të tendosur. Herë pas here, rrudhte vetullat dhe mblidhte buzët, a thua se fliste me një qenie të padukshme. Byzylyqet e shumta, që mbante në dorë, tringëllinin, ndërsa ajo ecte sa lart poshtë, duke zhytur takat e saj të larta në tapetin persian, ardhur së fundi me porosi. Për një cast ndali hapat përballë dritares sa një faqe muri. Lëvizi pak perden ngjyrë bezhë, zgjedhur me kast që të mos shpëlahej nga rrezet e diellit, dhe mbështeti shpatullën e djathtë në kanatën e dritares. Prej andej, shikonte rrëmujën e madhe, në të cilën ishte kredhur qyteti i saj. Në trotuarin përballë saj, një grup të rinjsh shtyheshin me njëri – tjetrin, dhe ulërinin më sa kishin në kokë, më tutje, dikush fliste me vete. Një plakë që mbahej mbi një shkop të shtrembër, përpiqej të kalonte rrugën, në kohën që semafori tregonte shenjën për kalimtarët; por asnjë makinë nuk ndalonte. Alba vuri buzën në gaz. Tirana prej kohësh ishtë pjesë e asaj vorbulle. Por ajo as që donte t’ja dinte. Sa më i ngatërruar të ishte qyteti i saj, aq më e lehtë ishte për të që të arrinte atë që kishte dashur: para.

E kishte pasur të lehtë të fitonte shumë tendera rrugësh. Rrugë që nuk do të bëheshin kurrë, por që askush nuk do të mund të ngrinte gishtin kundër saj. Por, kësaj here gjërat nuk shkuan ashtu sic duhej. Sidoqë të ishte puna, ajo vrasje nuk duhej të kishte ndodhur. Ishte një keqllogaritje. Ajo shfryu tymin e cigares që sapo kishte thithur, dhe fiku atë c’ka kishte mbetur, duke e shtypur disa here, mbi parvazin e dritares. Zgjati kokën jashtë dritares. Dielli tashmë kishte marrë rrugën për t’u fshehur prapa malit, e kjo i tregonte asaj se nuk kishte mbetur dhe shumë kohë. 

“E marrtë dreqi dhe këtë punë”, turfulloi nëpër dhëmbë, dhe lëshoi perden, e cila pas disa luhatjesh zuri vendin e saj.  I ktheu shpinë dritares dhe zhurmës së qytetit që nuk ndalonte kurrë, dhe u ul sërish para laptop-it të saj. Kishte gjithë ditën që fytyra i ishte ngjitur si me mastic, përpara atij ekrani të vogël: 'apple'. Kishte pirë kush e di sa kafe e, tavulla e duhanit ishte e tejmbushur plot me bishta, e gjysma cigaresh të papërfunduara. Futi gishtat në flokët e saj të zinj dhe i mbajti ato të ngritura mbi qafën e saj të hollë që reflektonte një ngjyrë të bukur prej cokollate. Flokët, megjithëse të shkurtra, atë moment po e bezdishin si kurrë më parë. Rremoi në cantën e saj ‘Gucci’ për një kapse, por duart nuk i nxorën prej andej asgjë. Nuk ja kishte ngenë të dilte në dhomën tjetër, pasi shuma e parave mund të shfaqej në monitor nga njëri moment në tjetrin. A nuk i kishte thënë Aiqë paratë do të transferoheshin sot. Pëllëmbët e duarve i ndjeu të lagura, i fshiu në jeanset ‘Armani’ që mbante veshur. Edhe bluza e kuqe prej mëndafshi, dukejt se ishte lagur nga kanali i djersës, që rrëshkiste pa pushim poshtë krahëve të saj. Pulti i kondicionerit kishte mbetur tek 17 gradë celcius, por ajo sërish nuk ndalonte dot djersitjen e madhe. Kërciti dhe një herë gishtat, por kësaj rradhe aq shumë, sa u duk sikur ju thyen. Me të marrë këto para do të largohem nga Tirana, nuk më ka mbetur më asgjë këtu. Këtij vendi i mora c’ishte për t’i marrë. Do të iki dhe do të nis një jetë të re. Askush nuk do të më njohë më, mendoi. Futi dhe një herë dorën në cantë për të kontrolluar pasaportën e saj, ngjyrë blu. Fytyra i qeshi vesh me vesh për identitetin e saj të ri... Askush nuk do të më zbulojë...


Monday, September 10, 2018

Copëza jete...


Mendja e saj ishte bërë si një rrjetë merimange. Jeta i ishte ngatërruar në një labirinth, të cilin ajo nuk dinte ta zgjidhte. Zogjtë pushuan së cicëruari dhe njerëzit shkelën pa mëshirë gjethet e pemëve në trotuar. Stinët ja lanë vendin njëra – tjetrës, e gjithcka në qytet ndryshoi. E, kur sythat e luleve, sapo kishin filluar të nxirnin krye nëpër male, bebja e saj e parë, erdhi në jetë. Ajo ndjeu aromën e saj, i preku gishtat e vegjël e, i puthi sytë e mrekullueshëm. Ishte gjaku i saj, fryma e saj, krijesa e saj perfekte.

Por castet e bukura në maternitet, ja lanë vendin të qarave pa fund dhe netëve pa gjumë. Kishte më shumë se dy javë që pothuajse nuk dilte fare nga shtëpia. Aty këtu kapte ndonjë orë gjumë; ku të mundej, e kur të mundej. Nëpër dhomën e saj të gjumit, vinte era qumësht, dhe pelena të palara bebeje. Atë mëngjes, i shoqi u ngrit, veshi një palë tuta dhe me flokët të cakërdisura dhe pa i thënë as mirëmëngjes, u nis drejt kuzhinës. E vogla atë ditë mbushte 3 muaj që kishte ardhur në jetë, por sic dukej ai e kishte harruar, sic kishte harruar shumë gjëra të tjera. Do të shkoj të takoj Sarën, mendoi Ina, në të qindën e sekondës. Dhe duke mos dashur që t’i ndërrohej mendja, veshi shpejt e shpejt Dean. Kontrolloi cantën, dhe u siguruar që kishte marrë gjithcka me vete: qumështin e bebes, dy palë ndërresa ekstra dhe një batanije të hollë. Thonë që bebet kanë ftohtë edhe në verë. Më pas, e vuri vajzën me kujdes mbi krevatin e saj dhe hodhi shpejt e shpejt mbi krye një bluzë të hollë - të vetmen që kishte të hekurosur - dhe ja lejoi vetes dhe një fund pak fare mbi gju. Shkoi shpejt e shpejt një krëhër mbi flokë dhe i zuri ato bisht pas koke. Për të mos u ndeshur me sytë kritikë të të shoqit, tualet nuk vuri fare. Po të mos e shikonte njeri me Dean në krahë do të merrnin për ndonjë studente që po nxitonte për të kapur orët e leksionit.
– Ku shkon më atë fund aq të shkurtër? –  dëgjoi ajo zërin e të shoqit, sapo doli nga dera e dhomës se gjumit. Me bisht te syrin ajo pa nofullat e tij të kërcyera nga inati.
– Do të takoj Sarën, kam pothuajse që kur kam lindur që nuk e kam parë. Dhe një ditë që erdhi në shtëpi, këtu ishte plot dhe ajo ndenji pak.
– Sarën? Të kam thënë njëqind herë të mos e shohësh atë të përdalë, sa herë duhet të të përsëris? – Ulëriu ai. Mblodhi dorën grusht dhe ja përplasi Inës m’u në fytyrë. Një curril gjaku, spërkati pelanat e vajzës, që nisi të qante me të madhe.
– Mos! Mos për hir të qumështit që të kam dhënë, u dëgjua zëri i nënës së tij, që u shfaq pas shpinës së të birit. Ai u kthye drejt saj, e pa me ca sy të zgurdulluar, a thua se donte ta godiste dhe atë. Të dy gratë ishin mësuar me atë sjellje, gjithcka mund të ndodhte. Ai qëndroi ashtu pesë sekonda, me dorën grusht, e më pas doli thuajse me vrap duke përplasur derën pas krahëve të tij. Plaka psherëtiu, mblodhi krahët me njëri tjetrin, sikur po i pushonte mbi gjoks, dhe bëri ca ecejakje nëpër dhomë. Më pas, u kthye drejt Inës e cila kishte fshehur kokën në pelanat e Deas. I vuri dorën mbi supin që i dridhej. Nisi të thoshte dicka, e pastaj ndaloi.  Gjithcka mundi t’i nxirte, ishte një psherëtimë e thellë. Ina ndjeu dorën e saj t’i largohej nga supi, dhe me pas dëgjoi hapa të ngadaltë që po largoheshin nga dhoma. Shtrëngoi Dean fort, dhe nuk mund të ndalonte lotët që i rrinin pa pushim mbi faqe. Zot, ku gabova?

Më pas u ngrit. Vuri pas qafës një napë të laguar me ujë të ftohtë, për të pushuar gjakun, e kishte bërë kush e di sa herë dhe e dinte që do të jepte rezultat. Pastroi mirë e mirë gjakun që i kishte zaptuar fytyrën, ndërroi bluzën dhe veshi një më mëngë të gjata. E dinte që do të kullonte në djersë, por nuk kishte tjetër. Hoqi fundin the veshi shpejt e shpejt një palë jeans, për të shmanguar ndonjë të papritur. Arditi mund të mbinte nga hici, dhe u nis me shpejtësi drejt derës kryesore.
Sytë e plakës u përplasën me sytë e saj. Ina u step. Qëndroi ashtu për disa minuta, me pas lëshoi dorezën e derës dhe u fut sërish brenda. Mbylli derën e dhomës pas vetes, mbeshteti kurrizin pas derës dhe rreshkiti ngadalë drejt dyshemesë. Me mëngën e dorës së djathtë fshiu hundët, lotët vazhdonin t’i binin mbi pelanat e vajzës. Sytë e saj blu, kishin ndryshuar ngjyrë; ishin më të errët, si thellësia e një oqeani. Ajo e shtrëngoi fort pas vetes dhe kafshoi buzën e poshtme për të mos ulëritur me të madhe. “Ah, si nuk kam një grusht të fuqishëm,” ju kujtuan fjalët e Migjenit....