Friday, April 26, 2019

Turist në Shqipëri? Kujdes: Merrni bukë me vete!


Shpesh i bëj pyetjes vetes se përse Shqipëria ime e vogël nuk mund të renditet përkrah Zvicrës. Dhe po ta mendosh thellë - thellë, ne kemi mundësi ta kalojmë Zvicrën. Ne kemi det, Zvicra jo. Pra, një me zero për ne. Por këtu calon puna. Ne kemi vetëm detin, të tjerat i ka Zvicra.  Nuk dua të pranoj shprehjen, që cdo popull ka qeverinë që meriton, ndaj po e lë Zvicrën dhe po kërkoj një shtet tjetër. Nëse dëshira ime duket pak e ekzagjeruar, atëherë kam të drejtë të kërkoj që Shqipëria të renditet në standardet e Spanjës apo Italisë, epo dreqi ta marrë nuk ka pse të mos renditet përkrah Greqisë! Na ngroh po i njëjti diell e, na ndan po i njëjtin det. Po prapë, as me Greqinë, s’me dalin hesapet. Gjithë këto pyetje të trazuara hynë e dalin në kokën time, që prej natës kur pashë lajmin me titull: Merri domatet, por mos ja jep fëmijës. U trondita. Jo se këtë lajm nuk e dija, por që gjithmonë jam me shpresën, se ndoshta nga viti në vit do të ndryshojë dicka. Si mund t’i thuash një prindi një gjë të tillë? Nëse unë jam keq, edhe fëmija im është keq. Meqë politikanët janë të zënë të merret me një problem të tillë, që për mua është ndër më shqetësuesit, atëherë mendoj se ndoshta fermerët (të cilët nuk e meritojnë një emër të tillë) do të bëhen më të përgjegjshëm. Ta hajë djalli, cfarë do të thonë në ditën e gjykimit?!

Bashkë me dy fëmijët e mi, vizitova në shkurt, Shqipërinë. E duke qenë se doja të kaloja një javë pushime, pa vajtur në spital, shumicën e gjërave i kisha marrë me vete, ndërsa u isha lutur atyre se nëse nuk do të kërkonin të hanin akullore në Shqipëri, do t’u blija kur të ktheheshim cfarë të donin. Nëse në Holandë merakosem kur ata nuk hanë bukë, në Tiranë gëzohesha kur thonin: nuk e duam! Për fatin tim të mirë, marrëveshja ime me ta funksionoi sic duhej. Dhe ishte  pikërisht kjo marrëveshje që më nxiti të shkruaj këto fjalë sot. Shto këtu edhe faktin se kohët e fundit dëgjoj shpesh qeveritarë, politikanë e ambasadorë, të mburren me shifrat e turizmit. Dhe pastaj pyes sërish veten: për cfarë turizmi e keni fjalën? Ju të gjithë e dini masakrën ushqimore që po bëhet në Shqipëri, ju të gjithë e dini që po i vrisni ata njerëz me bukën që hanë dhe prapë nuk e vini ujin në zjarr. Të dashur ekspertë përgjegjës për këtë masakër ushqimore dhe ju të dashur ekspertë të turizimit, mos keni menduar se Shqipërinë turistike do ta bëni duke i kërkuar turistit (gjerman, zvicerian, anglez, francez përmend sa të duash) të marrë bukë më vete? Më falni, por unë nuk i them dot një të huaji: shko në Shqipëri se do kënaqesh?  Madje meri dhe fëmijët me vete, vetëm bëj kujdes për fëmijët, më mirë merri gjërat me vete, e mos i jep asgjë nga ato që që blihet në treg, jo për gjë, por kanë një përqindje të lartë kancerogjene… Pra troc muhabeti, në Shqipëri nuk dihet se cfarë ha. Të jemi realiste: Unë e dua Shqipërinë, e më dhemb kur shoh lajme të tilla, por le t’i pranojmë gjërat ashtu sic janë e le t’i themi të vërtetat në sy. 

Ndonjëri mund të thotë se po i qakam shumë hallin turistëve të huaj, e nuk me dhimben ata që jetojnë aty. Sigurisht që më dhimben, shumë madje, por ndryshimi qëndron se turisti nuk e di cfarë e pret, ndërsa ju të dashur njerëz e mi e dini fare mire, dhe ende nuk keni ndërmarrë asnjë hap për ta ndryshuar këtë gjë. Ne reagojmë, e “shqyhemi” me njeri-tjetrin për politikanët tanë, ndërsa nuk vëmë ujin në zjarr për bukën tonë të përditshme. Në librin “Zorba”, të Niko Kazanxaqis, më ranë në sy këto dy fjali: “Lëri njerëzit, më qafsh, lëri të qetë e mo u hap sytë?....C’ti thosha? E dija c’duhej shembur, por jo c’duhej ndërtuar.”

Unë nuk dua të besoj se ne i kemi sytë të mbullur, ndaj ndaj mendja më tha: po sikur të bojkotonim për një javë apo dy, të gjitha frutat dhe perimet që shesin fermerët tanë të cilët nuk kanë pikën e skrupullit. Cfarë do të ndodhte vallë nëse prodhimet e tyre do të kalbeshin, në sera, apo buzë rrugës, të pashituara? Nuk do të na gjente asgjë nëse për një javë do të hanim, fjala bie, bukë me djathë. E di që dhe djathti ka problemet e veta, por nëse në këtë mënyrë zënë mend fermerët, ateherë ndoshta zënë mend dhe blegtorët. Nëse do të isha në Tiranë, do ta provoja, por edhe nëse do ta provoja unë, asgjë nuk do të ndryshonte. Një njeri i vetëm nuk mund të bëjë asgjë, ndërsa ju të gjithë bashkë, bëheni shumë. Lajmet dhe shkrimet nëpër blogje i merr era, ajo që shuhet cdo ditë pa e merituar është jeta juaj. Luftoje kancerin pa celur rrënjët, ndoshta nesër do të jetë shumë vonë! Nëse ne nuk duam veten, atëherë nuk mund të presim që të na dojë bota.