Powered By Blogger

Saturday, July 4, 2015

Sot më erdhi turp të flisja shqip...





Isha në plazh sot. Do thoni ju; kjo nuk është gjë e re, në verë të gjithë njerëzit shkojnë në plazh. Në fakt kështu ndodh, por në Rotterdam plazh me temperaturë mbi 30 gradë është gjë e rrallë, ndaj them: isha në plazh sot. Po vërtet atje isha. Por sot për herë të parë më vinte zor të më pyesnin se nga isha. Flisja shqip; unë gjithmonë flas shqip me shqiptarët, flas shqip dhe me fëmijët e mi, por sot flisja shqip me zë të ulët. Sot më vinte zor të thoja që jam shqiptare. Kur ndodhi masakra e pak ditëve më parë në Tunizi i thashë vetes: po këto njerëz ç’duan që shkojnë aq larg në plazhe?! Nuk i kuptoj fare, ju ku është Shqipëria. Të merr avioni nga Heathrow për tre orë të dërgon si kokrra e mollës në Tiranë. E prej andej të duhet pak sa të shkosh deri në Vlorë e Sarandë, meqë Durrësin e lëmë tashmë mënjanë.
Por jo, sot kuptova që paskam menduar gabim, ne shqiptarët qenkemi më keq se ata. Viktimat në Tunizi nuk u vranë nga tunizianët, por nga kriminelë terrositë, nga njerëz që po i lufton e gjithë bota. Ndërsa ne vramë ditën me diell, dy njerëz që erdhën të shpenzojnë ca para në vendin tonë, dy njerëz që shpërndanin foto të bukura nga vendi ynë, për t’ju thënë të tjerëve: hajdeni! Shikoni sa bukur është këtu!
Jo mos hajdeni madje ikni larg nesh, ne duket sikur jemi të mallkuar, çdo gjë që nis e bukur duam ta vrasim. Jo mos hajdeni, ikni larg nesh, ne vrasim! Fjali e urryer. Ne vrasim. Turp! Nuk di çfarë ka mbetur më për të thënë. Nuk dua të them që varfëria të çon në këtë derë. Jo! Varfëri ka patur gjithmonë në Shqipëri, edhe në kohën e Migjenit, dhe në kohët më përpara. Po kurrë nuk kam lexuar e dëgjuar që shqiptari, e aq më pak një malësor të presë dikë në besë, të vrasë mikun në shtëpinë e tij, më kafshatë buke në gojë. Them me kafshatë buke në gojë, sepse ata erdhën për të ngërnë në shtëpinë tonë të madhe në Shqipëri. Erdhën dhe për të na lënë dy para më tepër ne, e kështu pak këtu e pak atje ne mund të rimëkëmbemi.
Në vend që t’ju themi: faleminderit që erdhët tek ne e nuk zgjodhët plazhët e bukura të Spanjës, Italisë apo rivierën e bukur franceze. Jo ne nuk dimë të themi faleminderit, ne dimë të vrasim. Sa turp teksa i shkruaj këto fjalë, sa pikëllim!