Powered By Blogger

Monday, August 4, 2014

Shyqyr që paratë i dhamë borxh


 Shitëm shtëpinë tonë të vogël dhe modeste; dy dhoma dhe një kuzhinë dhe ikëm larg qytezës së vogël ku lindëm e u rritëm. Tirana ofronte shumë më shumë. Meqë paratë nuk na dilnin për të blerë një shtëpi tjetër as një dhomë e një kuzhinë, vendosëm që më e sigurta për ruajtjen e tyre do të ishte Banka e Shqipërisë. Vetëm aty, - tha babai,- nuk i gjen gjë paratë. “Po ra shteti na ka marrë lumi dhe ne”, - mirëpo ai as nuk e kishte idenë më të vogël se çfarë mund të ndodhte brenda asaj godine të madhe që shtrihet në qendër të Tiranës e pa ju dridhur syri fare luan  bixhoz me ç’ti dalë përpara.
Nuk më pëlqeu idea e Bankës së Shqipërisë, nuk e di pse më kujton gjithmonë kohën e komunizimit. Sa herë vija në Tiranë, kur isha e vogël e shikoja bankën si një gjë të frikshme, thesari i shtetit, paratë, më trembnin sa herë i dëgjoja ato fjalë.
Por nuk kishim zgjedhje tjetër, bankat e tjera, shumica në atë kohë ishin greke; atyre nuk i besohej akoma dhe më keq. Shyqyr Zotit dikujt nga fisi i ra mendja t’i kërkonte ato para borxh dhe prindërit e mi si zemërmirë që janë nuk mund t’i thonin jo. I tërhoqën paratë me lezet dhe ja dhanë borxhkërkuesit. Mbaj mend si sot debatin e bërë se pse duhej të prishnim planet tona e t’ju jepnim të tjerëve borxh kur nuk kishim asgjë në terezi. Por sot më vjen mirë që ata para u dhanë borxh. Më mirë borxh dikujt që ti e njeh e ndoshta s’do i marrësh kurrë, se sa të shkojnë për operacione bukurie të vajzës së guvernatorit, apo ngushtim stomaku të së shoqes ( nuk kuptoj pse duhet të ngushtohet stomaku me operacion, kur mund ta kontrollosh veten në të ngrënë). Siç duket kur paraja merr dhenë nuk di ç’të bësh me të, pasatj fundi i fundi çfarë të kushton ja ku është Amerika, paratë të fukarenjve janë, çfarë humbet? Asgjë.
Them prapë shyqyr Zotit që i morën paratë tona borxh e nuk u prishën nga vajza e guvernatorit, pasi nuk e di pse me kujton Fionën tek filmi “Shrek”. Shyqyr Zotit që i dhamë borxh e nuk shërbyen për t’í fshirë djerësët djalit të Fullanit, apo më keq akoma si letër higjienike. Teksa lexoja shkrimet e shumta në gazeta për pasurinë marramendëse të guvernatorit pyeta veten se pse prindërit e mi kishin si pasuri vetëm një shtëpi tepër modeste që e shitën për aq pak para.
A nuk punuan edhe ata gjithë jetën e tyre me tre turne ne metalurgji, a nuk lanë kockat aty e sot nuk ka sëmundje që nuk ju është shpikur. Edhe kur ju çon ndonjë lek që të dalin për një darkë jashtë, e merr vesh të nesërmen se paratë shkuan për të bërë analizën e rradhës. Pse nuk kursyen edhe ata që të kishim edhe ne të paktën një shtëpi në Tiranë, se në qytete të tjera do të ishte luks i madh apo se im atë e ime më, ishin klasë punëtore, e jo me shkollë të lartë si guvernatori me shokë?
Do të doja dhe unë të shkoja një herë në Amerikë, jo për operacion se stomakun e  kam vetë të ngushtë, do të doja dhe unë të shkoja një herë në vit, (jo çdo javë se më bën dëm:P), në një qendër bukurie, kot për të parë ç’bëhet aty, si ndihesh kur hyn brenda?! Do të doja dhe unë të shkoja një herë me pushime në Saint Tropez se më ka ngel fiksim që nga koha kur shikonim filma me xhandarin Krysho (Louis de Funegraves). Ç’na bëre more babi që nuk punove guvernator, por metalurg i thjeshtë!
Nëse unë do të isha në Tiranë sot do të merrja pjesë në protestë. Është më e paktë që mund të bëj e jo të shkruaj nëpër rrjete sociale.