Powered By Blogger

Thursday, December 13, 2018

E dashur "cantë"



E dashur ministre dhe ju të tjerat që i silleni rreth! Prej ditësh më vlon në shpirt një inat i madh, nga ato inatet që edhe pse i shpëlan me alkool gjatë ditës, nuk të iknin, madje vetëm sa të shtohen më shumë. Teksa rrotulloj gotën e mbushur me ujë, copat e akullit (nuk e di as vetë pse me kanë sjellë një gotë me akull në këtë të ftohtë), që tringëllijnë më kujtojnë takat tuaja të larta që bëjnë një zhurmë të cuditshme mbi asfalt. E kur ngre pak më shumë kokën, ju nuk jeni aty, por duket që edhe nga televizori unë e dëgjoj atë ecjen tuaj të pushtetshme. I shoh cantat tuaja të shtrenjta teksa bëjnë paradën e modës, sa në një krah, në tjetrin. E pra, cantat tuaja të shtrenjta, të dashura zonja, nuk më lënë të qetë. Më janë bërë si ngërc, që më ka zënë grykën. Rrufis kafenë time të hidhur dhe kujtoj se ato canta ju nuk i kishit më parë. E them me bindje se atëherë kishte raste që edhe flokët nuk ju rrinin aq bukur në mëngjes, pra dukej qartë që nuk kishit kaluar në parukeri me parë, ose kjo e fundit të jetë gdhirë në shtëpinë tuaj. E them me bindje se atëherë dukeshit më afër njerëzores, e jo si ato kukullat nëpër vitrinat e dyqaneve luksoze. E them me bindje sepse atëherë unë e mbaj mend që ju dhe të tjerat si ju, nuk e kishit një cantë të tillë. Sepse unë e di që ato canta ju ngjitën krahëve tuaj si me zamkë, sapo ju bëtë hapat e pare në shkallët e godinave ministrore. Sepse e di që për cdo njeri që morët në punë, rrasët nëpër xhepat tuaja – që më ngjajnë si shpella piratash – shuma të majme parash. Sepse e di që ato canta ju i keni fituar me pa të drejtë. Se fjala bie, përse një cantë të tillë nuk e ka mamaja ime, që punoi 25 vite në metalurgji? Eh, c’na hap plagë të vjetra do të thoni ju! Tani unë e kuptoj, që nëse nuk ke bërë dy fakultete, master, doktoraturë dhe më e rëndësishmja, nëse nuk ke vjedhur për t’i arritur të gjitha këto, nuk mund të zesh një post ministri/ministre, e për pasojë do të punosh në metalurgji. Pra, faji i nënës sime dhe i të gjithë metalurgëve – po bëhen 30 vjet që vetëm i gënjeni – ka qenë se nuk kanë ditur të vjedhin. Po e dashur mama, ti dhe shoqet e tua, nuk keni ditur të mashtroni, ndaj duhet t’i gëzoni një pensioni qesharak. 

Dhe meqë ra fjala tek pensioni, a e di ti e dashur ministre, i dashur minister/ kryeministër se sa është pensioni që keni caktuar për një njeri që i ka dhënë krom këtij shteti dhe ky i fundit e ka shitur ku i ka dashur qejfi dhe paratë i ka futur në xhepat e tij? A e di ti i dashur minister/ ministre/ kryeministër, sesa para merr një grua që gjithë jetën e saj punoi me tre turne? Do të thoni ju që ky është muhabet tjetër, e se duhet ta lë tani. E kuptoj fare mire që nuk ka lidhje me situatën dhe nuk duhet të dal jashtë kontekstit. Por, prit, a e di ti ministër/ ministre/ kryeministër se cfarë do të thotë t’i heqësh një fëmije natën e Vitit të Ri, babin dhe mamin nga tavolina e shtruar? Sepse unë e mbaj mend mirë kur ata coheshin nga tavolina dhe në orën 11 të natës niseshin për në punë. E kjo nuk ndodhi një vit, por të gjitha vitet që ne jetuam në një cati. E po kishim menduar atëherë, mami dhe babi po punojnë për një jetë më të mirë, të paktën kur të dalin në pension, do të rrojnë si mbretër. Epo nëse edhe ti i dashur ministër/ ministre/ kryeministër, po mendon tani, sic kam menduar unë dikur, po të them se e ke gabim. A e ke pyetur ndonjëherë veten se sa pension mund të marrë një njeri i tillë? Sigurisht që jo, sepse nëse do ta kishe pyetur, do të të vinte turp për cantat që mban në dollap. Turp?! Cfarë them dhe unë. Ti sigurisht që e di. 

Gjithësesi unë po ta kujtoj. Nuk po jap këtu shifrën e saktë, sepse ndoshta atëherë me të vërtetë do të vinte tup, se ndoshta për ty tani kaq kushton një gotë verë. Me një pension të tillë, që mamaja ime mori per here te pare kete muaj, nuk mund të blejë as një cantë të tregu Cam. Sepse nëse ajo e blen një cantë të tillë, atëherë nuk do t’i dalin paratë për të paguar dritat. Atëherë zgjidhja, e dashur mama, mos u ngoh në këto ditë të ftohta, por fiki të gjitha, fundja mbulohu, ka shtëpia batanije plot. Të duhen paratë mama, për të paguar ilacet dhe vizitat që bën sa herë shkon në spital. Ups, cfarë them dhe unë ilacet… Po sigurisht, se nëse ke punuar në metalurgji 25 vjet, ilacet duhet t’i kesh me thes. E shikon mama, sa gabim që ke bërë që nuk ke ditur të vjedhësh! Jo vetëm ti do të kishe një cantë të bukur, por do të kisha dhe unë. Ah, sa më qan syri për një Chanel Vintage. Sa ishte, 4200$?! Eh! Rrotulloj akullin në gotën e mbetur bosh dhe lë në tavolinën prej xhami, qindarkat e fundit të mbetura në portofol.

No comments:

Post a Comment