24 orë pa politikanë?
Duket si një pyetje pa përgjigje, një pyetje naive e bërë nga dikush që nuk e
di sa vlerë kanë ata. Janë fryma dhe ushqimi i përditshëm. Shfaqen kudo në çdo
orë të ditës, në çdo moment, në gëzime apo hidhërimet tona. Madje aq shumë janë
prezent se ndonjehërë mendon se duhet edhe t’ju bësh një pjatë gati, kush e di
janë të uritur teksa ulërasin pa fund, natyrisht për “hallet tona”. Por përnjeherësh
kthehesh në realitet që, ata nuk do ta pranonin gjellën e thjeshtë të ditës tënde.
Bind veten se ndoshta do ta pranojnë nesër, pasi beson se nesër do të kesh shtruar
diçka më të mirë. Por e nesërmja është njëlloj, madje duket se ditët ndjekin të
njëjtin ritëm e nuk ndryshojnë, pavarërisht se e nesërmja bëhet sot, dje, e një
e shkuar e largët, tavolina jote mbetet sërish; varfanjake.
Ndaj dhe ne i duam
aq shumë, e njëjta tavolinë duket më plot kur janë ata. Ajo mbushet me sharje e
fyerje sa njeriu i shkretë është i ngopur e nuk do të hajë më. Teksa i shikon nëpërmjet
televiziorit mendon për mijëra hallet që të kanë zënë. Duhet bërë pagesa e
energjisë elektrike, edhe kësaj rradhe ajo “dreq fature” kishte kapur majat, po
me ujin çfarë ndodhi? Përfundimisht do t’ju thuash gruas e fëmijëve të mos lahen
aq shpesh, për vete tashmë dushin e përdor një herë në javë. Fundi i fundit asgjë
nuk i gjente njerëzit kur laheshin vetëm të dielën.
Prej ditësh ke
ndjerë një dhimbje në gjoks, por nuk ke patur guximin të shkosh te mjeku. Nuk
është hera e parë, por duket se nga dita në ditë bëhet më e fortë. Kush e di sa para do të duhen? Por edhe nëse e merr atë guxim të shkosh, aparati
i zemrës nuk do të punojë, patjetër duhet gjetur një privat. Po analizat vallë?!
Të duhet sërish të paguash?! Po edhe nëse nuk kushtojnë ndonjë gjë të madhe, a
do të jenë ato të tuat, apo të një “fakiri” para teje që kush e di si e ka patur hallin i ziu. Jo, përfundimisht
nuk është dita për të bërë asgjë, e aq më pak për të ndjenjur 24 orë pa
politikanë. Mos qoftë e thënë ajo fjalë! Zoti mos na e bej kete nder!
E teksa përmend pa fund 24 orë të vjen natyrisht në mendja novela e famshme
e Stefan Cvajg-ut: “Dhimbja qenka e poshtër, u mposhtka nga dëshira
cipëplasur për të jetuar.”
No comments:
Post a Comment