Powered By Blogger

Thursday, October 15, 2015

Ajo qëndron këmbëkryq para hundës time



Ishte e ëmbël e shijshme, ashtu siç goja e saj nuk kishte provuar kurrë më parë. Bëhej fjalë për një çokollatë “Leonidas”, të cilën ajo vajza pa emër nuk kishte provuar në 10 vitet fatkeqe të jetës së saj. Dridheshin duart e vajzës së gjorë, teksa përpiqej të hapte një kuti me çokollata, dhuruar nga gazetari belg. S’kishte marrë kurrë një dhuratë në jetën e saj, ishte aq e bukur sa i vinte keq ta prishte. I ati i saj mezi siguronte bukën e gojës me  ato pak para të falura e te mbledhura për lëmoshë. Bëhet fjalë për një familje të ngujuar nga gjakmarrja në Shkodër, ashtu si dhe shumë të tjera në veri të vendit. Vajza kishte lindur e murosur, brenda aty katër mureve. Nuk dinte ç’íshte drita e diellit, nuk dinte ç’do të thoshte të lozje me fëmijët në oborr, të shkonte në shkollë, të vishte një fustan me lule kur të vinte pranvera, xhup të ri e këpucë të reja, kur të vinte dimri. Kishte lindur në faj. Në faj?! Po kush e tha, kush e vendosi 20 vjet më parë? Më tronditi dokumentari i një gazetari belg, i cili s’kishte lënë skutë e vend të Shqipërisë pa vajtur. U ndjeva keq, në faj, kur i pashë ato pamje. E kur një mikesha ime holandeze më pyeti si mendoja për dokumentarin, u përgjigja duke u përtypur: më vjen keq, të pranoj një të vërtetë të hidhur. I harrova rrugët që dukeshin sikur sapo kishte kaluar Skëndërbeu me kuajt e tij, e që nga ajo kohë s’kishte vënë dorë njeri. Ajo që me vrau e mbeti në mendje ishte ai burrë që tha: më uro të më marrë vdekja sa më parë! Kishte 20 vjet që qëndronte i mbyllur brenda, për një vrasje të bërë nga i vëllai. Jetonte me ç‘t’i falnin. Nuk ja mbaj mend emrin, por ç’rëndësi ka, në mos sot, nesër ai nuk do të jetë më. Ai është aq i shumtë në numër, si ai është edhte ai tjetri, edhe ai pak më tutje, sa shumë! Sa turp! E ndërsa shoh politikanë që çirren e ngelin pa zë në mes të Tiranës për një copë votë, pyes veten se deri kur do të vazhdojë ky palaçollëk që ndodh në një copëz vend që mezi mbajnë frymën gjallë 3 milion banorë. Është diçka më tepër se 3 milion, por ajo pjesa “më tepër” jeton në luks e nuk e njeh pjesën tjetër që vuan çdo ditë si dikur Migjeni thoshte: “Bukën e përditshme falna sot”. U ndjeva keq në 2010 kur isha pjesë e një grupi gazetarësh ndërkombëtare, ( ja me këtë rast po tregoj që kam qenë dhe pjesë e tillë) një gazetar i televizionit holandez, posa mori vesh që unë isha nga Shqipëria më tha: ju keni akoma kanunin. Pse nuk më pyeti për diçka tjetër dreqi e mori, per discot në jug të vendit, për shkuma party-it që bëhen atje, për vajzat që vishen (zhvishen) nga blloku. Edhe pse kishte qenë në Shqipëri asgjë nga këto nuk i kishte bërë përshtypje. “Si janë dhe këta të huajt, - thashë me vete,- vetëm të kapin gabimet e tjetrit dinë”. E ndërsa kujtoj paradën e modës me firmat mw tw shtrenjta, bërë në Bruksel nga ministrat tanë të të gjithave qeverive, të atyre që janë e atyre që ishin më parë, më kalojnë para syve ata të shkretët që  gdhijnë me shpresën se do ta arrijnë ta ngrysin edhe një ditë. Nuk i dihet ndoshta gjakësi atë ditë mund të ketë nishan më të mirë. Gjakësi sillet rrotull si një hije që pret gjahun e tij. Nuk më shqitej nga mendja “”Prilli I thyer” i Ismail Kadarësë, lexuar në fëmijërinë time të hershme. Më bëri aq shumë përshtypje e meqë jam kurioze e madhe nga natyra (kjo për të keqen time), i vura detyrë vetes të mësoja që në atë kohë ç’na ishte kjo gjë e madhe që na mbante emrin Kanuni i Lekë Dukagjinit. E që në atë kohë, ndonëse fëmijë, unë e mësova që në bazë të kanunit të Lekë Dukagjinit ishte e ndaluar të vrasësh gra e fëmijë. Si ka mundësi që nuk e dinë ata që vrasin në emër të tij?! Të krijohet një paralelizëm i dhimbshëm me luftëtarët e ISIS, që vrasin në emër të kuranit. As bibla dhe as kurani nuk lejojnë askënd të vrasësh në emër të Zotit.  Por me ISIS le të merret bota, po punëve tona si do i vejë halli? Se të kërkosh me domosdo të futesh në shtetet anëtarë të Bashkimit Europian, e ndërkohë që një pjesë e mirë e vendit është e mbyllur brenda për shkak të një ligji që nuk egziston, këtu ka një kontraditë të madhe. Në librin e Teodor Kekos “Shënimet e një gruaje”, diku mes rreshtave thuhet: “Ti je mbret! Mbret ka atje ku flihet gjumë! Po gjumi flehet me sy mbyll e s’ka as mbret e as Francë e as qejf kur gjindja i ka sytë hap kokërr!... Më lindi vetvetiu pyetja: po ne a i kemi sytë hapur? Hapur i kemi, por mesa duket nuk shohim asgjë. Bëjmë një sy qorr, teksa mjaftohemi me një kothere bukë, dhënë për fushatë. Është si puna e asaj përrallës që më duhet ta vjedh se nuk ja di autorin, por fundja po nuk vodhe pak nuk ka as origjinalitet. “Ka rënë kolera në qytet. – Larg fshatit tim! Kolera erdhi dhe në fshat. – Larg shtëpisë sime! Kolera erdhi në shtëpi. – Larg b… sime! Por mesa duket ne mbajmë sytë hapur vetëm për skandalet e rradhës që ndodhin në Tiranë, seç ndodh më tej është larg…

Tuesday, October 13, 2015

Kur e ka ditëlindjen Bardhoshja?



Kush je ti moj çupëlinë që kërkon të dish të dhënat e biznesit tim? Për pak sa nuk i thashë: xhaxhi më fal për shqetësimin, por të betohem nuk i dua unë të dhënat, por Komisioni Evropian dhe Banka Qëndrore Evropiane. Ik moj dreq andej! - mbylli receptorin burri hijerëndë. M’ú duk sikur dëgjoja bufin që thotë: “do ti të të tregoj që bardhoshja ka ditëlindjen? Nuk ta tregoj!”
Nuk është përrallë e as zgjim nga ëndërra, por një e vërtetë e hidhur e realitetit tonë. Kam disa javë që po punoj mbi një projekt të Komisionit Evropian dhe Bankës Qëndrore Evropiane, për bizneset në Shqipëri. 
Unë jam vetëm ura lidhëse mes dy palëve, por për qamet se binden shqipet të të japin disa të dhëna, që jam e sigurtë që asaj të dashurës flokëverdhë, flokëkuqe apo jeshile kush e di sa herë ja kanë thënë me detaje madje. Megjithëse asaj nga një vesh i kanë hyrë e në tjetrin i kanë dalë, i mjafton vetëm numri i kartës së tij bankare. As nuk duan t'ja dinë biznesmenët shqiptarë edhe pse prezantohesh në emër të një institucioni si KE apo Banka Qëndrore Evropiane, sërish nuk luajnë nga mbrojtja e sekretit shtetëror: nuk japim të dhëna!
Kolegët e mi sllovenë e italianë e të tjerë si ata, e kanë aq të lehtë të mbledhin ato të dhëna që duket se s’janë asgjë më shumë vetëm se diçka normale e një punë rutinë 6 mujore e KE-së. E ndërkohë habitesh që sa herë i merr në telefon për të kërkuar plotësimin e të dhënave, përgjigjja që merr të le me gojë hapur. Të gjithë janë shumë të zënë me punë. Në mëngjes nuk kapet financa nëpër zyra, dakord unë e kuptoj që deri në 9:30 nuk kanë pirë ende kafen e mëngjesit, ndërkohë që unë e kam kafen time para kompjuterit e nuk mund të dal ta pi në lokalin poshtë zyrës time, pavarësisht se ka një pamje të bukur përballë, në qendër të Rotterdamit. E jo unë duhet ta pi kafen para kompjuterit tim, pasi duhet të bëj lidhjen me bizneset shqiptare, jo më kot të huajt vënë një kufi, apo deadline siç na pëlqen ta quajmë në gjuhën popullore.
Sa do të doja që vërtet njerëzit të kishin aq shumë punë sa thonë, kush e di sa mirë do të ishte sot gjendja ekonomike në Shqipëri. Një biznesmen pasi më kishte kërkuar disa herë ta merrja në orare të ndryshme, më në fund tha: “Më merr më vonë; jam në një drekë punë.” Megjithëse luftoja me veten, sërish e pandërgjegjshmja ishte më e forte, e para syve të mi, më shfaqej një njeri me barkun deri tek goja, që duhej të ishte në ato çaste që fliste me mua në periferi të Tiranës për ndonjë pulë me pilaf. Të tjerë të pyesin: çfarë përfitoj unë nga kjo? Zonjë dhe Zotëri, Bukra dhe Meti, përpara se të përfitosh, duhet edhe të bashkëpunosh.
E atëherë m'u kujtua Konica i gjorë tek “I dashur mik” thotë : “Në bëfsh gazetën me shkronja të mëdha, shqiptarët do të thonë se s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fletë të vogla, do të thonë se s’është gazetë, po libër; në e shtypsh me letra [germa-N.J] të holla do të thonë se s’këndohen dhe prishen sytë; në e shtypsh me letra të trasha, do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vende.”
Megjithatë ka edhe nga ata biznesmenë që të presin me kënaqësi dhe nuk e kanë fare problem të të japin disa të dhëna. Madje janë shumë bashkëpunues. Janë pak, e di, por unë shpresoj që ky numër do të jetë më i madh në 6 mujorin e ardhshëm të raportit të KE-së.

Tetor 2015