Sa herë
them: “Ik kom uit Albanië”; Unë vij nga Shqipëria, - më duhet ta përsëris të njëjtën fjali dy, apo
tre herë. E atëherë pyes veten, çfarë bëj gabim, mos ndoshta gjuha?! Nuk e flas
mirë me theksin siç duhet, një fjali kaq të thjeshtë, e atëherë provoj në
anglisht? Sërish e njëjta gjë. Mos ndoshta toni i zërit tim është aq i ulët sa
ata nuk dëgjojnë, apo bashkëbiseduesi im ka problem me dëgjimin?! Kur një
marokane më pyeti disa herë se prej nga vija, megjithë shpjegimet e mia nuk e
mori vesh se ku shtrihej Shqipëria. Vendosa që ditën tjetër do të merrja një
hartë të botës e do t’ja tregoja. Por
shumë shpejt zemërimi ra, e harrova, mendova se gruaja kishte problemet e saj më
të mëdha, sesa të merrej me hartën time. Më erdhi pak inat që unë e dija se ku
shtrihej Maroku, por kjo pak rëndësi kishte për të, fundi i fundit nuk do të
kishte bërë ndryshim edhe po të mos e dija.
Përsëri në të
njëjtën tavolinë, në shkollë, një vajze tajlandeze m’u desh t’i tregoja
se ku shtrihej Italia dhe Greqia që ajo të kuptonte se ku gjendej dhe kjo Shqipëria
jonë e vogël. “Po qenkeni në Evropë!” m’u drejtua ajo mua me habi pas një
shpjegimi prej 5 minutash, pasi unë nuk tërhiqesha nga e imja. I kisha vënë qëllim
vetes: do ta bëja tajlandezen të kuptonte ku ishte Shqipëria o s’kishte derman.
“Sigurisht”, i thashë unë me një mburrje, që nuk e di se ku e gjeta. E atëherë
lista e gjatë e mburrjes filloi si me magji. I thashe se kemi një bregdet që
Perëndia është treguar zemërgjerë e na e ka bërë dhuratë. Pjesën më të madhe të
vitit mbizotëron vetëm diell. Kemi gjithashtu edhe klimën malore, me ujë
kristal e ajër të pastër të bjeshkëve tona. Njerëzit janë mikëpritës, sidomos
kur bëhet fjalë për të huajt.
Nuk i thashë
asaj që për të mbërritur në Shqipëri, veçanërisht gjatë sezonit
turistik duhet të presësh një biletë që shkon deri në 500 euro. Me një shumë të
tillë turqit të ofrojnë, fluturimin vajtje-ardhje nga Amsterdami, fjetje dhe
ngrenie në një hotel me katër yje. Nuk i thashë as se fqinji ynë Maqedonia
ofron bileta 30 euro me nisje dhe mbërritje në Eindhoven, një tjetër qytet i Holandës.
Nuk do të ishin keq disa pushime në Ohër, por në pjesën Maqedonase, këtë nuk ja
thashë asaj, pasi ndoshta i prishet mendja e shkon në Shqipëri. Nuk i thashë as
për çmimet e kripura që gjen në bregdetet shqiptare, që as nuk krahasohen me
Italinë dhe Spanjën. As nuk ja zura në gojë që ndodh që shkon për pushime, por
uji që të vjen në dhomë nuk mund të pihet pasi ka raste që mund të jetë përzier me
ujërat e zeza, madje vjen erë që as nuk mund të lahesh. Nuk i thashe që pagat e njerëzve të thjeshtë as
nuk ja zura në gojë, ku një njeri, nëse ka fatin të ketë një punë, merr pak a
shumë 150 euro në muaj, e me këto duhet të paguajë qiranë e shtëpisë që është
rreth 200 euro, të ushqehet, të shkojë tek mjeku, e të bëja qoka tek fisi. Me llogaritë
që bëra nuk më dilnin, aq pak para për të gjitha këto shpenzime, e ndaj nuk i hyra
atij muhabeti. Nuk i thashë gjithashtu se shumica e të rinjve kanë një diplomë
Universiteti, e punojnë kamarierë, banakierë, ku të munden; universitet private
nuk i zura në gojë. Nuk i thashë as se në
Shqipëri, pavarësisht se dielli është prezent
pjesën më të madhe të vitit, për hir të një ligji që nuk dihet se kujt i është
bërë nder duhet të ecësh ne mes të ditës me makinë me drita ndezur, ndryshe
merr gjobë pa e ditur pse? A nuk përdoret ky ligj në vendet nordike, aty ky
dielli del “rrallë e për mall”. Ama rripin e sigurimit edhe nëse nuk e vë, punë e madhe, vetë do vdesësh. Sa shumë gjëra nuk desha t’ja thoja, por ama ja
shpjegova mirë se ne jemi në Evropë, e presim të bëhemi pjesë e BE-së, kurdo që
të jetë e shkruar ne e presim, le ta gëzojë kush ta rrojë deri në atë kohë. Ja
thashë me një frymë, e ndaj më habiti indiferendizmi i saj. “Ka inat”, - thashë
me vete dhe u largova e lumtur, se ne në mos sot, nesër, do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian.
No comments:
Post a Comment