Powered By Blogger

Wednesday, May 30, 2018

Nanës sime

Nanë, unë kam shkuar për shumë njerëz e nuk kam thënë kurrë gjë për ty. Kjo, jo se nuk kam dashur, apo se më ka munguar koha, por thjesht më duket se nuk gjej dot fjalët e duhura për të thënë dy fjalë për ty. E cuditshme! Kam shkruar për ministra e kryeministra, por asnjëherë nuk jam matur me fjalët aq shumë, sesa në një shkrim për ty. 

E di nanë që je një grua e fortë. Ke përballuar aq shumë në jetë dhe sërish di të na japësh forcë ne. Më thonë shpesh që të ngjaj ty. Eh, sa do të doja të kisha vetëm një grimcë tënden! Nuk di asnjë fjalë shkrim e këndim, ama nuk të ndenji shpirti rehat derisa ju dhe shkollë të gjithëve. Mbaj mend sesi krenoheshe me shoqet, sa herë fëmijët e tu, sillnin në shtëpi, një diplomë, a një medalje. E di nanë, unë kam shkruar dy libra dhe më vjen të plas që ti nuk i lexon dot asnjërin prej tyre. Jam e sigurtë që do të kisha kritiken dhe mbështetësen më të madhe.

E di nanë sa grua e fortë që je, dhe sa shumë të admiroj. Nëse ti nuk do të ishe e tillë, ndoshta as ne nuk do të ishim këta qe jemi. Ke ditur të rrisësh 7 fëmijë, e më pas nipa e mbesa, e nuk të kam dëgjuar kurrë të ankohesh. Sa shumë njerëz ke pritur në atë shtëpizën tënde të thjeshtë, dhe nuk u qave kurrë, nuk the asnjëherë: uf, kemi njerëz për darkë! Uf, sa u lodha! Ju ke dhënë bukë e dhallë të gjithëve, pa u mbajtur mëri, pa bërë buzën në vaj e, pa i bërë asnjë llaf pas krahëve. Të kam zili nanë, pasi ne në ditët e sotme varim turinjtë për cdo gjë që nuk na shkon për mbarë. Ne nuk dime të lajmë rroba me dorë e prapë ankohemi edhe pse kemi dy fëmijë. I kam zili stërnipërit dhe stërmbesat e tua, që ulen ende në prehërin tënd. Do të doja ta bëja dhe unë, por kam frikë se mos vras kockat e tua të brishta. 
Të kam zili nanë pasi edhe sot pas kaq shumë vitesh, duart e tua gatuajnë si askush në botë. Nuk ka kuzhiner më të mirë se ti, dhe gjellët e tua nuk do t’i ndërroja me asnjë restorant. 

Më ka marrë malli nanë, për kohen kur vinim (une dhe kalamajt e tjetë) tek ti dhe na mblidhje si zogjtë nën fletë. Na mbroje e na mësoje për cdo gjë. Aq shumë histori - të vërteta e përralla - kam dëgjuar nga ti, sa më duken më shumë nga ato që më ka treguar ime mëmë. Më ka marrë malli të ulem edhe në krevatin tënd nënë. Të kujtohet që sa herë vinim e vijmë, uleshim dhe ulemi të gjithë aty; e prishim dhe e bëjmë lëmsh e li. Ti kurrë nuk the dhe nuk thua: Mos!
A do ta dish pse-në, nënë? Sepse ai krevat, ka aromën tënde, aty ishte/ është paqja dhe parajsa jonë.


Na ka marrë malli nanë te jemi dhe një herë fëmijë. Të ngjitemi në majë të kumbullave a manave, të gërvishtemi nga gjunjtë dhe kur mamatë të na bërtasin, të dëgjojmë zërin tënd duke thënë: Mos m’i luani fëmijët! Sa më ka marrë malli nanë, të shtrihem dhe një herë në hije të arrës, si dikur! Të ndiej dhe një herë fëshfëritjen e gjethëve të pemës mbi krye e të dëgjoj dhe një herë zhurmën e valëve të zallit. Asgjë të vecantë nuk kishte dhe ka as arra, as zalli e as fusha. Të gjitha bëhen magjepsëse, kur ka dashuri, qetësi dhe një nënë që të pret. Nanë, unë jam më e mirë me fjalët në letër se me fjalët në sy; ndaj po të them tani: Jam me fat që ti je nana ime, nana jone! Të dua/ duam shumë!

Wednesday, May 23, 2018

Merkel: Të keqen e keni mes jush


Meqenëse holandezët janë njerëz të shthurur - droga e prostitucioni janë sheshit - e mora inat Mark Rutte-n, edhe pse me duket shumë karizmatik. Duke qenë se kurioziteti vret dhe macen, i hodha një sy statistikave në internet.
Numri i vrasjeve dhe krimeve në Amsterdam nuk kishte të krahasuar me atë që ndodh në Tiranë, e në gjithë Shqipërinë. Gjithësesi duke u besuar atyre cfarë lexoj nga kryeqyteti dhe analizave me “fakte” që ekspertët shqiptarë i bëjnë Holandës, dhe debuteteve të Hagës që vizitojnë Shqipërinë, kësaj rradhe ju drejtova Merkel-it. 

“Si gjermanët nuk ka,” thashë me vete. Ata nuk tolerojnë as drogë, as trafik parash e gjëra të tilla të vogla si këto. Kur mora në telefon Merkel- in, më tha që e kishte zënë një dhembje e madhe koke; tip migrene më duket. Mora vesh që dhembja i kishte ardhur fill pas takimit me një nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit. Por, duke qenë se dhe unë vetë jam ballkanase e nuk tutem nga e imja, i telefonova sërish. Doja të dija nëse kishte ndonjë ministër në qeverinë e saj që ishte i lidhur, apo implikuar në trafik droge. Në mos ai vetë, ndonjë vëlla, mik, komshi, apo pronar televizioni, që Merkel mund ta kishte dhe mik. Ndere mes miqsh, pse jo? Fundja, pse ne po, e gjermanët jo? Cfarë kanë ata më shumë se ne? Asgjë. Pak me shumë rregull, punë, shëndetësi, teknologji, rrugë, shkolla e universitete. Si gjermanë mo! E dija që Merkel nuk do t’i përgjigjej pyetjes sime pasi ishte shumë e drejtpërdrejtë dhe prisja edhe që të më mbyllte telefonin. Të ma përplaste në fytyrë, sic i themi ne. Ndodhi krejt e kundërta. U habit? Natyrisht që u cudit. Më sqaroi se në qeverinë e saj nuk mund të lejoheshin gjëra të tilla dhe nëse ndodhte dicka, atëherë janë organet përgjegjëse që merren me zbulimin e fakteve dhe dënimin e përgjegjësit. Po mirë, - i thashë, - mos e merr kaq personale, në Shqipëri kjo është bërë si bukë me djathtë; kur s’kishim gjë tjetër.  Edhe ne po kërkojmë të futemi në BE, se dimë që këto gjëra ju i keni sheshit. Thjesht duam të mos mbetemi pas hapit të kohës, prandaj i bëjmë dhe ne. Na ka zënë halli me ju, nuk dimë as ne c’të bëjmë më parë që ju të na doni, - i thashë, duke treguar në zërin tim se isha me nerva. Po bëhen 30 vjet tashmë, - vazhdova sërish unë, duke mos i lënë kohë Merkel-it të merrte frymë, - e ju u lodhët duke na dëgjuar ne, por më shumë, na doli shpirti neve duke gënjyer ju. Nuk e kuptoni që nuk po arrijmë të sajojmë më? Na kanë shteruar fuqitë rrenacake.

I sqarova se nuk doja të flisja me Rutte-n, ata janë të implikuar keq, madje më duket sikur na kanë inat, ndoshta cilesia e hashashit tonë është me e lartë. Duket sikur po ju bëhemi konkurente, ndaj votojnë gjithmonë kundër nesh, ndryshe nuk mund ta shpjegoj. Nuk e kuptoj, as pse jeni kaq të sertë me ne, - i thashë. Ne thjeshtë nuk duam t’i rregullojmë gjërat, lemë të vjedhi kush na pëlqen dhe nuk ju pergjigjemi pyetjeve nëse nuk na vjen për mbarë. Si i thonë asaj fjalës: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron.” 
Merkel u kollit, ose për të qeruar zërin, ose nuk po kuptonte fare ato që i thoja. Më   fund mori fjalën. “Nein! Të keqen e keni brenda jush, e nuk ua sollëm ne,” tha me zërin e saj prej gjermaneje, që me trembi edhe nëpërmjet telefonit… E mbylla bisedën dhe mora frymë thellë. “A do të kisha pasur ndonjëherë guxim, në jetën reale, t’i bëja pyetje të tilla kryeministrit të vendit tim?!” thashë me vete. Keto pyetje nuk ja bej dot as ne bisedat e mia imagjinare, se do te me ngrinte dhe gjyshin nga varri, duke ma akuzuar kush e di per cfare. 

PS. Biseda e mendjes sime me Merkel. Shpresoj të mos detyrohem të marr në telefon dhe Macro-n