Powered By Blogger

Tuesday, January 19, 2016

Moj e mira e mjera, Tiranë



Ah moj Tiranë, e mjera Tiranë! A e mban një herë e një kohë kur ishte ti vërtet zonjë e randë?! Shoqeve të tua (qyteve të tjera) ju mbaje me të madh, jo gjithkush mund të jetonte në Tiranë. Ke pas ti rrugë të pastra e trotuare me lule plot, ke pas dhe djem të rinj e gra të bukura shumë. Se në kohën tënde Tiranë, gratë vishnin taka të larta e funde përmbi gju, e prapë ishin femra të veshura me klas.
    Se na ishte një herë një Tiranë me studentë që i jepnin jetë, kulturë, dije e shkencë. Tani kemi diploma e mastera shumë, por pak njerëz që vërtet kanë një punë. Kishte dhe teatër, kinema e filma të bukur, nuk shante njeri me libër shtëpie për disa duartrokitje më shumë. Se në kohën tënde ishte fat, dëshirë e çmendur, dashuri e verbër për me ardh n'Tiranë.
    Eh, të deshën të gjithë, moj e mjera Tiranë! E nga dashuria e tepërt që patën për ty, të dhunuan si të çmendur, si të marrë... Po sot Tiranë, a mundesh me thanë si je? Stacionin qendror te trenit ku e ke ? Je bërë si një lëneshë, që lyp dy lekë për të shtyrë ditën që vjen. E trukuar aty këtu, me make up të lirë, blerë me miq në panairet kineze, kërkon të fshehësh rrudhat që ti ke. Në dimër, të futen ethet nga të ftohtët e hidhur e në verë, djersa të shkon rrëke.
   Është natë e ftohtë janari sonte Tiranë! Sa shumë lypësa në rrugët e tua ke? A po e ndien si dridhen ata të mjerë? E ti i vështron e s’mund të bësh asgjë! Arteriet i ke të bllokuara moj Tiranë, e shiu i parë që bie, të zë frymën, e ti mbytesh bash me pështymën tënde.Ti ke makina të bukura fort, Tiranë, por ke dhe njerëz që vriten në mes të ditës për një vend ku të lënë atë copë llamarinë, blerë kush e di sa shtrenjtë!
    Se ti nuk je vetëm Blloku, ku të pasurit nuk ecin më këmbë. Ti je dhe brenda lagjeve, aty ku është errësirë, s’ka as trotuare e as rrugë, e po nuk pe mirë ku kalon, rrezik të thyesh ndonjë kockë. Faji duhet të jetë i takave të larta! Ke pas dikur edhe drita shumë, po sot nuk di çfarë të të them! A e di ti Tiranë se kur gjindja fle, bëhen më kollaj ca punë?!
    Po sot Tiranë pa më thuaj si je?! Sa shumë të duan e sa shumë po të shkelin me këmbë, moj e mjerë! E sa me g’zim e themi: po shkojmë në Tiranë. E g’zimi fillon venitet teksa sheh fytyra të vrenjtura, tek ecin nëpër rrugët e tua. S'dinë ç'të bëjnë e ç'të thonë, përveçse jetojnë në Tiranë, por kjo as hahet e as pihet me ujë.
    Zyrtarë të huaj vijnë sa lart poshtë nga zyrat e Brukselit për në kryeqytetin shqiptar. Në ikje e sipër thonë: "Sa mirë hëngrëm në Tiranë! Herën tjetër do të vijmë prapë!" Sa shtrenjtë po i paguan këto të gjitha ti, moj e mira e shtrenjtaTiranë!



Friday, January 15, 2016

Rrofsh Mark Zuckerberg, se na bëre nder



Rrofsh more Mark Zuckerberg, se na nxore në dritë! Na ke bërë një nder aq të madh ne shqiptarëve, që ti as nuk mund ta imagjinosh. Lere që ne në çdo gjë përpiqemi të gjejmë një lidhje gjaku e farefisnie me ty, duke nxjerrë në pah që po të mos ishim ne nuk do të ishe as ti. Me këtë emër që ke, patjetër që jot ëmë duhet të quhet Marie, ups qenka Karen, po s’ka gjë; është version i amerikanizuar. Ne shqiptarët që thua ti i dashur Mark, më parë kishim gratë e lagjes e pallatit, që bënin gjithë thashethemet e dynjasë. Aty martohej, aty ndahej, fejohej, sëmurej e vdiste kushdo që ato vendosnin ta merrnin nëpër gojë. Tani forma është bërë më moderne, shajmë e shqyhemi falë rrjetit tënd Facebook. Rrofsh i dashur Mark, që e krijove për ne! Sikur ta dije ti sa shumë shahemi e ziheni ne shqiptarët në FB, do të mendoje se plasi Lufta e Tretë Botërore, në mos ajo, Lufta Ballkanike është e sigurtë. Por mos u mërzit, këto sharje e shfryrje i kemi për të harruar hallet tona të përditshme. Se nëse do të merremi me ato që na mundojnë çdo ditë nuk do të kishim kohë të shkruanim gjithë farë lloj gjërash në internet. Natën e ndërrimit të viteve, gra e vajza u dhunuan e përdhunuan në Këln të Gjermanisë. U duk sikur bota mbajti vesh nga kjo gjë e shëmtuar. Një aktore (nëse e mbaj mend mirë), doli e zhveshur ne rrugët e Gjermanisë, për t'ju thënë këtyre njerëzve (që nuk dua t’i krahasoj as me kafshët se do të ishte ofendim ndaj këtyre të fundit), që askush nuk ka të drejtë të dhunojë një femër, qoftë edhe e zhveshur siç e ka bërë nëna. Më tronditi ai lajm dhe guximi i asaj gruaje, të cilën e pata zili dhe thellë brenda meje thashe: bravo! Por u trondita edhe më tepër tek lexoja komentet e bashkëkombasve tanë: k.. e m.., ja ti do kështu e do ashtu. Shumë mire jua kanë bërë, ju ketë doni prandaj ke dalë ashtu ti.... e sa e sa te tjëra. Dreqi e mori, njeri i pandreqshëm, nëse nuk ke asgjë për të thënë,mbaje më mirë gojën mbyllur.  Përse nuk flet për “përdhunimin”, që të bëjnë çdo ditë në mes të vendit. Përse nuk flet për gjithë ushqimet e skaduara që ha, për qumështin jashtë çdo standardi, që pi. Për biletat e transportit që të rriten çdo vit të ri, për faktin që e ke gjithë rininë në kafe e Facebook, që nuk kanë asnjë punë. Përse nuk flet për “kurvëllëkun”, tënd m’ú aty në mes të Tiranës, që ka mbuluar dynjanë. Përse nuk flet për të rinjtë që të shtyrë nga rrethnat, tentojnë vetëvrasjen, madje disa edhe e arrijnë. SIkur të flisje e të protestojë për të gjitha këto, jeta jote do të ishte më e mirë….
 Mbaj mend i dashur Mark që në kohën time bëheshin dy orë hartim, në lëndën e Letërsisë. Ti nuk e ke idenë sa shumë mërziteshin pjesa më e madhe e nxënësve kur vinte kjo kohë, kjo për faktin se e kishin inat të shkruarit, nuk dinin të bënin një paragraph siç duhej. Unë i përkas kohës kur hartimet ishin më shumë me fusha pjellore e bar shumë. Thjesht duhej pak imagjinatë, për të shkruar diçka të bukur. Por siç duket ne edhe kur imagjinojmë, na del përpara një fushë e tharë e djegur. Ndaj edhe shajmë kaq shumë, apo ndoshta është një dëshirë e çmendur shtazarake që ne paskemi patur në shpirt, e shyqyr që na u dha rasti: oburra shaj, shfryj, nxirt vrer... sa gjë e shëmtuar! Apo mos ndoshta kjo pjesë, ka qenë gjithmonë e refuzuar nga shoqëria, e ndaj tani që ju dha rasti, I kundërvihet asaj?!
"Gjuha kocka s'ka, po kocka thyen" - sikur vetem ta kishin dëgjuar ndonjëherë këtë shprehje të lashtë….

Saturday, January 9, 2016

Ç'burrë je ti që nuk pi një gotë raki?!



- Pi një gotë me ne se nuk të gjen gjë!
- Faleminderit, por kur jam me makinë nuk vë alkool në gojë.
- Çfarë thua bre burrë?! Po ty ta paska mbledhur gruaja keq, - ja ktheu tjetri duke u zgërdhirë, ndërsa ngriti me njerën dorë gotën e konjakut, që nga ngjyra tregonte se ishte i një çmimi krejt të lirë . Ishte ora 10 e mëngjesit, ndërsa ai dukej se i kishte kthyer edhe nja dy gota më herët.
Ç’ grua ore derëzi, dashnorja thuaj, - ja priti tjetri si pa të keq. Shokët e tij të fëmijërisë ishin krejt ndryshe nga çfarë ai mbante mend. Ju duk sikur ora i qe ndaluar në aeroport, madje që tek gate që tregonte portën që e çonte në Tiranë. “Jo!” - mendoi me vete, gjërat nuk duhet të ketë marrë të tatëpjetën kaq keq. “Po nëse doni ju unë do të pi”, - ja ktheu pa ju zënë besë fjalëve që i dilnin pa menduar. “Por më pas do të më duhet të marr taksi për t’ú kthyer në shtëpi. Ju betohem është gjëja më e keqe që mund të të ndodhë, nëse i jep makinës në gjendje të pirë.” Fjalët e tij ranë si më tym, askush nuk i dëgjoi. Nga brenda dëgjonte zërin e Tanës tek filmi "14 vjeç dhëndër", tek thoshte: "Pi, pi, - u ta piftë dreqi m'u në bark!" Ajo, Tana nuk duhej t'i drejtohej atij, por atyre burrave që gdhiheshin te klubi i lagjes që pa zbardhur.
Silli një gotë këtij djalkës, që duket sikur sot ka hapur sytë! - foli ai që kishte barkun deri tek goja. “Po pse ore për këto gjëra të dërguam ne ty në Europë, që të na vish kaq i qullët, pse për djalë mamaje të kemi ne ty ëëë?!”
 Nuk i kujtohej nëse shokët e tij e kishin dërguar në Europë. Me sa mbante mend kishte qenë ai vetë që çau ferrën në ato kohëra të vështira, kur ata ende i kishin krahët e ngohtë nga miqtë komunistë të baballarëve.
Ngriti gotën e rakisë, një lëng i bardhë pa ngjyrë, pa jetë. Rrëkëlleu një gllënjkë, u gëlltit keq, sa gjë e hidhur e shëmtuar. Mbajti veten para miqve të tij, ju duke sikur sytë po i lëshonin xixa nga djegia. Nuk do të pinte më, në djall të venë, ata nuk kishin më asgjë të përbashkët me të, fëmijëra ishte harruar tashmë, ishte tretur në hapësirë.
 I hodhi një sy makinës së parkuar, do të merrte taksi. Akooli që kishte pirë ishte i papërfillshëm, por donte të shmangte stresin e të qënurit në trafikun e çmendur të Tiranës.
Shoferi, një plak i thinjur, por që dukej të ishte më i ri në moshë, filloi të fliste kot më kot, edhe pse askush nuk e pyeste. “Kisha një dhimbje fyti sot në mëngjës, kohë e mallkuar dhjetori! Piva një teke raki, ke parë ti sikur më dogji mikrobet e ndihem më mirë.” - Përfundoi burri llomotitjen. Ishte e pabesueshme, kush e di sa gota do të pinte ai shofer deri në darkë kur të mbyllte makinën e tij. Kush e di sa gota e shishe në ditë i hedhin gurmazit të tjerët për të djegur mikrobet. Në radio dëgjonte zërin e spikeres së lajmeve në sfond. “Një i vdekur në aksin Elbasan- Librazhd, një tjetër një Krujë e një në Korçë.” - Bilanc lufte, nga njerëz të pirë…mendoi me dhembje në heshtje, teksa taksixhiu nuk pushonte së foluri.