Powered By Blogger

Friday, April 22, 2016

Te kam zili

Mjelma: Pse me shikon me inat?!
Une: Po gjykon gabim, moj mjelme! Nuk eshte inat, por zili. Je e bukur e re! I bie liqenit cep me cep e nuk zhvishesh per te rene ne sy. Nuk tregon as sa te dashur ke, as cfare te dhuruan e me ke e sa here ben ti dashuri. Perkundrazi i ngre krahet perpjete bashke me puplat; krenare! te kam zili edhe se nuk zgjohesh ne mengjesin me stresin se cfare do te besh me pare. Nuk eshte inat, por zili qe puplat e tua rrine rende, rende e floket e mia jane ngritur si shtriga e perrallave perpjete. Nuk te shoh as edhe nje rrudhe moj mjelme!
Te kam zili  edhe per shume gjera te tjera; nuk ke as qira per te paguar, as fatura dritash, internet, telefon etj. Te kam zili edhe se nuk shqetesohesh sh sa like more, as cfare do te thone shoqet, shoket neser ne mengjes! Te kam zili edhe se nuk lexon asnje gazete e nuk degjon asnje idiotesi. E sheh pra pse te kam zili!

Thursday, April 7, 2016

Gjithçka për një palë buzë...



Rrugës për në aeroport mendonte për shumën e madhe të parave që do  të futej në llogarinë e tij. Vendi ishte aq rrëmujë e askush nuk kërkonte burimin e parave, mjafton të kishe sa më shumë nga ato letrat jeshile për të dërguar në llogarinë personale në bankë, askush nuk pyeste për më tepër. Sa ide gjeniale!
Teksa do të ishte në një prej banesave të tij të shumta, duke shijuar një gotë verë më bukuroshen e tij, zerot në llogarinë bankare do të shtoheshin aq shumë, sa do të ishte vështirë të mbaheshin mend. Thirrja e emrit të tij në aeroport e kujtoi se avioni po nisej e duhej të nxitonte.
Dëshira për të blerë në "Duty free", nuk i mungonte kurrë. Nuk do të ishte keq një parfum për gruan, kështu do t'i dukej se ai mendonte për të kudo që ishte, ndërsa për të dashurën e zemrës, zgjodhi një palë të brendshme "Versace".
Fundja ajo ishtë vajzë e re, vetëm 20 vjeçe, i meritonte. Çfarë do të bënte gruaja e tij me ato, as nuk do t'ua dinte vlerën e ndoshta do të mbeteshin në fundin e dollapit siç ndodh gjithmonë me gjërat e saj.
Ky ishte sekreti i madh që Tani jo rrallëherë ia kujtonte. Nëse do ta merrte vesh gruaja, ai do të humbiste gjithë postet që mbante deri në atë kohë. Gjithçka i detyrohej së shoqes. Familja e saj kishte zotëruar në të gjitha kohërat polikën e atij vendi të vogël, ndaj dhe X-i, dhëndëri i tyre, nuk mund të ishte një njeri pa poste e privilegje. Kjo e mbante të lidhur ngushtësisht më M., gruan e tij. Dëshira për divorc nuk i mungonte, por kur analizonte humbjen që do të kishte, arrinte të frenonte veten.
Thirrja e dytë e bëri të nxitonte, nuk duhej të humbte avionin për ato çikërrima, duhej të nisej, kishte edhe ai shumë punë. 


Shkëpur nga libri "Mekati"

Monday, April 4, 2016

Zot, më fal që nuk jam VIP-e



Zot më fal, por nuk bëhem dot lajm! Nuk bëhem dot lajm, se nuk qëlloj dot në shenjë si gugu, gugushe, lepurushe, pilivesa e ku di unë. Zot më fal se nuk dal dot e zhveshur; kur është vapë zhvishem aq sa duhet, ndërsa në dimër kam shumë ftohtë e nuk rri dot me barkun jashtë. Zot me fal që nuk realizoj dot një puthje lesbike, po qe kështu më mirë të mos bëhem lajm. Më fal sërish edhe nëse nuk mund të përdor fjalor ordiner të tipit; zogu, pjeshka, dardha.
Zot, më fal që nuk mund të kem një të dashur politikan, ose të paktën të bëj sikur kam aq shumë kërkesa e mesazhe prej tij. Më fal edhe që nuk kam një biznesmen, dmth nga ata të tipit me para shumë, që të kem një makinë porsche, megjithëse nuk futet në shijet e mia, ama do të shisja p....
Zot, më fal edhe që nuk jam aq leshverdhë, se ndoshta edhe do të kisha rënë më shumë në sy. Kështu do të mund të kisha ndonjë post drejtues se mbetem gjithë jetën popull i thjeshtë. Zot më fal edhe që nuk mund të mashtroj dot, kështu do të kisha më shumë para. Më fal edhe që nuk jam nga ato femrat e pasarelave apo ato të tipit "bussines woman", me shumë tru dmth. Më fal edhe që nuk di të kem kaq sukses që ta ndaj në Linkedin, Facebook e Instagram me ata gjynahqarët në gjuhën moderne quhen "followers", e që shohin foto e histori hirushesh çdo ditë nëper gazeta.
Zot më fal, që kam bërë kaq shumë shkollë e s'më rri mendja rehat po edhe tani 35 vjeç vazhdoj e bëj tek - tuk ndonjë kurs, do ketë diçka që nuk shkon me mendjen time patjetër se ndryshe nuk e shpjegoj dot.
Zot falmi ato që më ke dhënë se nuk dua të kem më shumë! Ndihem mirë me ç  do pjese të trupit tim edhe pse është normal, pa fryrje e, nuk bëhet dot lajm. S'ka gjë do ta gëlltis me bukë e një gotë vera mbrapa. Më fal që jam kaq popull... që mezi shtyj muajin!