Powered By Blogger

Saturday, February 20, 2016

Coming soon ;)



Ora 5 e mëngjesit e gjeti duke shëtitur rrugëve të qeta të Parisit. Ishte vetëm, ai dhe rrugicat e lashta të dashurisë, i lumtur ashtu siç s'mund të ishte askush tjetër.
Me gjasë edhe pemët, gurët po gëzonin bashkë më të. U ul në një prej shëtitoreve buzë Senës, hoqi këpucët dhe futi këmbët në ujë. Ndjeu ftohtë. Sena po e guduliste lehtë e dukej sikur i thoshte: “Ah qerrata, qerrata, re dhe ti në dashuri. Askush nuk i ka bërë ballë aromës së qytetit tim. Është dehëse, e mbushur plot më ndjenjë, pasion. Ajo mund të gjendet vetëm këtu, askund tjetër, në asnjë vend, në një asnjë shtet.”
"Sa çudi!" -  mendoi me vete.
Por ai lumë magjik i fliste sërish.  Ishte çmendur vallë?! Tundi kokën, por sërish lumi  vazhdonte në të tijën. "Emma është e zgjedhura jote, mos ki turp, unë e di, unë di edhe shumë histori të tjera. Të gjithë të dashuruarit e gjejnë kohën të qahen tek unë. Ndaj dhe unë nuk shteroj kurrë, marr forcë nga dashuritë tuaja, gëzoj e qesh bashkë më ju, por edhe qaj, qaj shumë në ditët e furishme, atëherë kur jam e turbullt, e nervozuar, kam qarë e ndjerë një dashuri të shkuar."
Këmbët i ishin bërë akull nga uji i ftohtë, por nuk e ndjeu aspak. Dëgjonte gjithë vëmendje historinë e Senës kaltëroshe.  Atë mëngjes, edhe Sena gëzonte për dashurinë e tij.
Ndenji ashtu, së bashku me Senën përqafuar, deri kur rrezet e para puthën ëmbël tokën duke treguar ardhjen e një dite të re.

Saturday, February 13, 2016

Zoti të ruan, por edhe ti hapi sytë ama!



Ishte një natë dimri; ndoshta janari, kur unë rashë në një nga këto që shikoni në foto. Për pak sa nuk ngela me një këmbë, ndërsa lluca më kullonte nga të gjitha anët. Dëgjoja dhe të qeshurat e ca njerëzve që më panë kur rashë, por të vrarat e të nxirat nuk më linin as të ktheja kokën për të parë dhëmbët e prishur e atyre njerëzve që qeshnin me lot.. Mirë që nuk më thanë: qorre, hapi sytë! 
Në atë kohë nuk kishin njerëzit ende iphone apo samsung, ndryshe do të isha bërë videoja më e klikuar në youtube, s'do ishte keq; të paktën do kishim bërë ndonjë lekë. Por kjo foto nuk është bërë atëherë në kohën e qepës, ku njerëzia mbanin ende celularë nokia, por pikërisht sot nga një mikesha ime, me lejen e së cilës unë "vodha" dhe foton. Kjo foto është bërë sot m'u në mes të ditës, m'u në mes të Tiranës sonë. Ndoshta ai ujë që del aty edhe pihet në cezmat e kush e di se kujt familjeje. Punë e madhe shumë! Pushtetarët tanë e ata që ju shkojnë pas, pinë ujë të blerë, ecin me makina lukzose e nuk ju bie këmba as në baltë, as në ujë e vaj medet të bien ndonjëherë në pusetë...ndaj le të dalë ujë si t'i dojë korrka e qejfit se nuk ja prish dot fundjavën atyre të mëdhenjve të fshatit e aq më keq festën nesër. Ju populli i thjeshtë merni masa kur të kaloni, blini ca çizme a qizme llastiku si dikur, (ç apo q si t'ju vijë për mbarë;) ), e Zoti ju rujt!;)

Wednesday, February 10, 2016

Xha Sulo, ngrehu nga varri se u bë nami!



Unë nuk kam asgjë me vajzat e reja që duan të kapen pas diçkaje dhe e vetmja zgjidhje është të merresh me ata, ose s’ka! Pra zgjidh, të mesme nuk ka! Ndryshe nuk bën dot hajër, nuk i ngjit shkallët e karrierës, nuk ke punë, shtëpi, makinë e gjëra të tilla të vockla.
 Nuk kam asgjë vërtet dhe këtë e them me bindje, por të dalësh e të flasësh - futja kot se dicka do të dalë - kjo është e patolerueshme! Se ata që e dëgjuan ju vjen keq për veten që ndodhen në atë derexhe, ndërkohë që disa të tjerë shtrihen në një apartament e gdhihen në një tjetër.
     Ngrehu xha Sulo nga varri, se këto kryetarkat e reja s'paskan të krahasuar me ato që të dërguan ty të ruaje pulat! Këto, me këtë mendje që kanë do të dërgojnë me rradhë rend e mirëqënie sociale (duke qenë se të tilla ka vetëm në letër) për të ruajtur derrat. Se këto mirë që bëjnë gafa sa s'ka ku të shkojë, po si nuk di njeri të thotë: më falni njerëz, kisha pirë shumë mbrëmë! Jo falja nuk është për to, qyqja turp, ç'është kjo fjalë e huaj?! Na habisi fare, apo shkruhet habiti ?! Në këtë rast do preferoja të parën...
     Ndërkohë vazhdojnë ja hedhin mllefin që kanë njerëzve të thjeshtë që mezi ngrysin ditët, duke i ndarë dhe me pika e kategori, duke treguar edhe ata që kërkojnë punë poshtë hyrjes së pallatit. Por të paktën ata presin e nuk ngatërrojnë hyrjet. Ata janë njerëz të thjeshtë, jo aq të komplikuar sa këto çupëlinat e sotme. Këta të thjeshtit, mbajnë mend edhe në krevatët e kujt zgjohen, dinë dhe kush ju ulet ne krah. Sepse për të thjeshtët ka shumë rëndësi personi që fle me ta, i besojnë, i falin dhe presin dashuri. E dinë vallë këto të ndërlikuarat se çdo të thotë kjo fjalë?!  Po sigurisht që jo! Ndryshe nuk do të shkonin punët aq çorap.:) Kjo që pamë  nuk është as e para e as e fundit, por mos na i promovoni me kaq bujë se do i hiqni dëshirën për diçka pozitive edhe atyre që kanë arritur gjithçka me djersë, e djersë ballë jo djersë ku të dalë. Do i hiqni dëshirën për punë të ndershme edhe atyre që e kanë arritur diçka falë mendjes, e jo flokëve të gjata...