E mban kur të lashë vetëm atë
ditë, të çova në shkollë si çdo mëngjes, nuk e ktheva më kokën, u nisa larg.
Nuk doja të të kisha pranë, të shikoja sytë e tu kur të ngjisja përfundimisht
shkallët e avionit. Madje bëra “sherr” dhe me babanë tënd. Ai donte që të
kishte me vete edhe për pak orë. Por unë nuk ju binda, e dija që nuk do të përmbahesha
e duke të patur ty aty pranë, ndoshta
edhe nuk do të kisha ikur. Më mirë mos të të shikoja, kështu do ta kisha
më të lehtë.
Prisja të takoheshim shumë
shpejt, punë ditësh, e shumta një muaj, ndaj dhe mora të gjitha rrobat e tua me
vete, e mban mend? Ato këpucët e dimrit ngjyrë kafe, që të rrinin aq bukur e nuk
i kishe veshur asnjë ditë pasi kur t’i solla ishte verë, i mora me vete. Ti do
të vijë shumë shpejt e nuk doja që të të rëndonin rrugës. Ishe ende fëmijë, një
valixhe e madhe vetëm sa do të pengonte. Vendi ku do të shkonim ishte i ftohtë, do
të kishe nevojë për to. Ti nuk i veshe ato kurrë, pasi kur u takuam nuk ishe më
fëmijë, por burrë.
Ti nuk erdhe! Iku një javë, e më
pas shumë të tjera. Kaluan muaj e vite, sa shumë ditëlindje t’i festova duke
qarë. I shova vetë qirinjtë e tortës, fshehurazi tët eti, i cili nuk duronte të
më shihte në lot. Unë nuk isha pranë as ditën kur ti u bërë gati të shkoje në
mbrëmjën e maturës, u mjaftova me fotografitë që më nise. Ishe veshur me
kostum, sa bukur të rrinte, sa shumë ishe rritur!
E mban mend atë ditë më në
fund ti u paraqite në ambasadë, epo i thashë vetes se vitet e pritjes kishin mbaruan. Aq
e lumtur isha sa nisa të shikoja për biletën tënde në internet, do të vije me avionin e
parë. Nuk duroja dot më! Por, ata sërish thanë: “Jo!”
Nuk u dorëzuam as atë rradhë,
tashmë ishim aq pranë, megjithëse kishte kaluar aq kohë. Shpeshherë netëve vonë me kujtohej filmi “Nëntori
i Dytë”, aty ku i madhi Sandër Prosi në rolin e Ismail Qemalit thotë : “Vetëm
shqiptarët njohin brenga të tilla.” Dhe është e vërtetë, vetëm zemra e një nënë
shqiptare e di çdo të thotë e tillë vuajte e tillë brengë.
Tashmë ti je këtu, e di kam
humbur një pjesë të jetës tënde gjatë kohës që nuk të pata pranë, ndoshta do të
kishe dashur të më thoje shumë gjëra, që tani e di që s’do të m’i thuash më. Por,
jam e lumtur, ti u diplomove dhe unë isha aty, në krahun tënd. Madje edhe pse u
vesha me taka ti je rritur aq shumë sa unë mezi arrija tek shpatullat e tua, por
unë jam e gëzur për këtë. Ti tashmë je një zog i lirë, ke hapur krahët në
kërkim të jetës tënde. E di që shumë shpejt sërish do të fluturosh larg meje,
por kësaj here askush nuk mund të na ndajë.
No comments:
Post a Comment