Nuk do të kërkoja shumë vite, vetëm pak më tepër seç
pata mundësi të kisha. Sikur të kthehesha dhe një herë mbrapa, çfarë nuk do të
bëja... Të gjitha ato që lashë pezull, do t’i mbaroja me një frymë. Do të isha i ndërgjeshshëm
që kohë nuk do të kisha shumë. Askush nuk ka kohë të tepërt, por e kuptojmë vetëm kur
e humbim dhe nuk e kemi më. Nuk do të rrija më në kafetë e mbushura plot. Nuk do të dilja pa
asnjë shkak nga shtëpia. Do të kisha shumë më tepër kohë, vetëm për ju.
Njihemi shumë pak, ajo çfarë ka mbetur tashmë nga unë janë vetëm foto të
shumta të varura në dhomë. Vij natën ju shoh në gjumë, teksa flini. Shpesh
jeni të zbuluar e më dhemb në shpirt që nuk mund t’ju mbuloj dot. Më keni aty
sa herë kolliteni, apo keni ftohtë. Më keni aty dhe në çdo ditëlindje. Sa pak kohë pata fatin të jem aty! Nuk më mjaftuan ato vite që t’ju puthja pa fund. Do të kisha
dashur më shumë, duhej të isha aty kur të më thërrisnit në emër, kur të qeshnit
apo zemëroheshit me mua. Do të doja të shihja sytë tuaj kur t’ju zgjoja çdo mëngjes.
Do të kisha dashur shumë! Sa shumë gjëra do të kisha dashur të bënim bashkë! Do
të më tregonit, apo jo edhe për vajzën e parë që do të dashuronit?!
Edhe sa pak vite jetë do të
kisha dashur! Nuk e di! Do të doja ndoshta për të ndenjur me ju një pafundësi.
Por, nëse kjo nuk do të ishte e mundur, do të doja të kisha aq kohë sa të shikoja
ju të rriteshit edhe pak. E dija që, padrejtësisht ditët i kisha të numëruara, por
të paktën të kisha kohë deri sa të shkonit ju në klasën e parë. Do të kisha
dashur t’ju shikoja ashtu me çanta në kurriz, teksa përplaseshit me njëri-tjetrin
kush të dilte i pari nga dera e shtëpisë. Sa do të më pëlqente t’ju shikoja të
ziheshit për vendin e parë të makinës, duke e ditur që të dy do të uleshit
mbrapa. Do të më pëlqente edhe kur do të ankoheshit për mësuesen, shokët e klasës,
apo kur të më tregonin prapësitë e bëra një ditë më parë.
Nuk patëm kohë as të përshëndeteshim
si burrat, ishit aq të vegjël atë ditë sa nuk doja t’ju trembja, nuk dija çfarë
t’ju thoja, e ndaj ika ashtu atë pasdite të ftohtë janari.
Ju nuk kishit mbushur ende 3
vjeç, unë nuk desha, ju betohem, por Zoti kaq na lejoi të jemi bashkë, vetëm kaq jetë më
kishte dhënë. Sikur të kisha edhe pak vite jetë, sa për t’ju puthur duar e
këmbë…