Ah moj Tiranë, e
mjera Tiranë! A e mban një herë e një kohë kur ishte ti vërtet zonjë e randë?!
Shoqeve të tua (qyteve të tjera) ju mbaje me të madh, jo gjithkush mund të
jetonte në Tiranë. Ke pas ti rrugë të pastra e trotuare me lule plot, ke pas
dhe djem të rinj e gra të bukura shumë. Se në kohën tënde Tiranë, gratë vishnin
taka të larta e funde përmbi gju, e prapë ishin femra të veshura me klas.
Se na
ishte një herë një Tiranë me studentë që i jepnin jetë, kulturë, dije e
shkencë. Tani kemi diploma e mastera shumë, por pak njerëz që vërtet kanë një
punë. Kishte dhe teatër, kinema e filma të bukur, nuk shante njeri me libër
shtëpie për disa duartrokitje më shumë. Se në kohën tënde ishte fat, dëshirë e
çmendur, dashuri e verbër për me ardh n'Tiranë.
Eh, të deshën të gjithë, moj e
mjera Tiranë! E nga dashuria e tepërt që patën për ty, të dhunuan si të çmendur,
si të marrë... Po sot Tiranë, a mundesh me thanë si je? Stacionin qendror te
trenit ku e ke ? Je bërë si një lëneshë, që lyp dy lekë për të shtyrë ditën që
vjen. E trukuar aty këtu, me make up të lirë, blerë me miq në panairet kineze,
kërkon të fshehësh rrudhat që ti ke. Në dimër, të futen ethet nga të ftohtët e
hidhur e në verë, djersa të shkon rrëke.
Është natë e ftohtë janari sonte Tiranë!
Sa shumë lypësa në rrugët e tua ke? A po e ndien si dridhen ata të mjerë? E ti i
vështron e s’mund të bësh asgjë! Arteriet i ke të bllokuara moj Tiranë, e shiu
i parë që bie, të zë frymën, e ti mbytesh bash me pështymën tënde.Ti ke makina
të bukura fort, Tiranë, por ke dhe njerëz që vriten në mes të ditës për një
vend ku të lënë atë copë llamarinë, blerë kush e di sa shtrenjtë!
Se ti nuk je
vetëm Blloku, ku të pasurit nuk ecin më këmbë. Ti je dhe brenda lagjeve, aty ku
është errësirë, s’ka as trotuare e as rrugë, e po nuk pe mirë ku kalon, rrezik
të thyesh ndonjë kockë. Faji duhet të jetë i takave të larta! Ke pas dikur edhe
drita shumë, po sot nuk di çfarë të të them! A e di ti Tiranë se kur gjindja
fle, bëhen më kollaj ca punë?!
Po sot Tiranë pa më thuaj si je?! Sa shumë të
duan e sa shumë po të shkelin me këmbë, moj e mjerë! E sa me g’zim e themi: po shkojmë në
Tiranë. E g’zimi fillon venitet teksa sheh fytyra të vrenjtura, tek ecin nëpër
rrugët e tua. S'dinë ç'të bëjnë e ç'të thonë, përveçse jetojnë në Tiranë, por
kjo as hahet e as pihet me ujë.
Zyrtarë të huaj vijnë sa lart poshtë nga zyrat
e Brukselit për në kryeqytetin shqiptar. Në ikje e sipër thonë: "Sa mirë
hëngrëm në Tiranë! Herën tjetër do të vijmë prapë!" Sa shtrenjtë po i paguan
këto të gjitha ti, moj e mira e shtrenjtaTiranë!
No comments:
Post a Comment