Powered By Blogger

Saturday, January 9, 2016

Ç'burrë je ti që nuk pi një gotë raki?!



- Pi një gotë me ne se nuk të gjen gjë!
- Faleminderit, por kur jam me makinë nuk vë alkool në gojë.
- Çfarë thua bre burrë?! Po ty ta paska mbledhur gruaja keq, - ja ktheu tjetri duke u zgërdhirë, ndërsa ngriti me njerën dorë gotën e konjakut, që nga ngjyra tregonte se ishte i një çmimi krejt të lirë . Ishte ora 10 e mëngjesit, ndërsa ai dukej se i kishte kthyer edhe nja dy gota më herët.
Ç’ grua ore derëzi, dashnorja thuaj, - ja priti tjetri si pa të keq. Shokët e tij të fëmijërisë ishin krejt ndryshe nga çfarë ai mbante mend. Ju duk sikur ora i qe ndaluar në aeroport, madje që tek gate që tregonte portën që e çonte në Tiranë. “Jo!” - mendoi me vete, gjërat nuk duhet të ketë marrë të tatëpjetën kaq keq. “Po nëse doni ju unë do të pi”, - ja ktheu pa ju zënë besë fjalëve që i dilnin pa menduar. “Por më pas do të më duhet të marr taksi për t’ú kthyer në shtëpi. Ju betohem është gjëja më e keqe që mund të të ndodhë, nëse i jep makinës në gjendje të pirë.” Fjalët e tij ranë si më tym, askush nuk i dëgjoi. Nga brenda dëgjonte zërin e Tanës tek filmi "14 vjeç dhëndër", tek thoshte: "Pi, pi, - u ta piftë dreqi m'u në bark!" Ajo, Tana nuk duhej t'i drejtohej atij, por atyre burrave që gdhiheshin te klubi i lagjes që pa zbardhur.
Silli një gotë këtij djalkës, që duket sikur sot ka hapur sytë! - foli ai që kishte barkun deri tek goja. “Po pse ore për këto gjëra të dërguam ne ty në Europë, që të na vish kaq i qullët, pse për djalë mamaje të kemi ne ty ëëë?!”
 Nuk i kujtohej nëse shokët e tij e kishin dërguar në Europë. Me sa mbante mend kishte qenë ai vetë që çau ferrën në ato kohëra të vështira, kur ata ende i kishin krahët e ngohtë nga miqtë komunistë të baballarëve.
Ngriti gotën e rakisë, një lëng i bardhë pa ngjyrë, pa jetë. Rrëkëlleu një gllënjkë, u gëlltit keq, sa gjë e hidhur e shëmtuar. Mbajti veten para miqve të tij, ju duke sikur sytë po i lëshonin xixa nga djegia. Nuk do të pinte më, në djall të venë, ata nuk kishin më asgjë të përbashkët me të, fëmijëra ishte harruar tashmë, ishte tretur në hapësirë.
 I hodhi një sy makinës së parkuar, do të merrte taksi. Akooli që kishte pirë ishte i papërfillshëm, por donte të shmangte stresin e të qënurit në trafikun e çmendur të Tiranës.
Shoferi, një plak i thinjur, por që dukej të ishte më i ri në moshë, filloi të fliste kot më kot, edhe pse askush nuk e pyeste. “Kisha një dhimbje fyti sot në mëngjës, kohë e mallkuar dhjetori! Piva një teke raki, ke parë ti sikur më dogji mikrobet e ndihem më mirë.” - Përfundoi burri llomotitjen. Ishte e pabesueshme, kush e di sa gota do të pinte ai shofer deri në darkë kur të mbyllte makinën e tij. Kush e di sa gota e shishe në ditë i hedhin gurmazit të tjerët për të djegur mikrobet. Në radio dëgjonte zërin e spikeres së lajmeve në sfond. “Një i vdekur në aksin Elbasan- Librazhd, një tjetër një Krujë e një në Korçë.” - Bilanc lufte, nga njerëz të pirë…mendoi me dhembje në heshtje, teksa taksixhiu nuk pushonte së foluri.

No comments:

Post a Comment