Powered By Blogger

Monday, October 27, 2014

Loti i parë



“Dje na doli loti i parë. Pse nuk treguam dje? Po sepse dje mami nuk pati mundësi të ulej për asnjë çast, pasi unë Ayden Maximus po qaja shumë. Dhe kur mamit i erdhi koha të ulej ishte aq e lodhur se nuk mund të mbante sytë hapur. Sot, edhe sot u zgjova herët siç bëj gjithmonë, nuk është se dua, por herë kam uri, herë më dhemb barku e herë nuk e di as vetë përse qaj. Por sot e di përsenë. U zgjova herët se doja t’i jepja mamit kohë të shkruante diçka”.
Kështu besoj se mendon Ayden Maximus sa herë zgjohet nga gjumi. Do thoni ju pse nuk mbajmë mend buzëqeshjen e parë? Sepse Ayden qeshi që ditën e parë që lindi, por unë nuk jam e bindur nëse qeshi me mua, ndoshta qeshi me engjëjt, (siç thuhet shpesh për bebet), ndoshta qeshi pasi u ndje mirë nga lirimi i gazrave të shumtë që sillen në barkun e tij të vogël e nuk e lenë rehat. Por lotin e parë e pashë mirë. Ishte një “shkulm” qumështi që nuk ja pranoi stomaku e i erdhi sërish mbrapsht. Kjo e vrau beben time të vogël e ndaj na doli dhe loti i parë. Pse po shkruajmë për lotin e parë? Po sepse më duket se bebja ime u rrit. A nuk qajmë me lot vetëm ne?
Pse nuk shkrova për lotin e parë të Joël Amadeus? As vetë nuk e di. Ndoshta isha shumë e shqetësuar e më ikën pa parë disa gjëra. Gjithçka ndodhte përreth nesh ishte shumë e madhe, më dukej vetja se diç kisha bërë; diçka që nuk e kishte bërë askush: një fëmijë. Por teksa ditët kalonin pyesja veten: a nuk kanë lindur të gjithë fëmijë? (me përjashtime të rralla) E gjithë bota lind fëmijë, madje gjyshja ime ka lindur 7 të tillë, e nuk ka thënë kurrë që ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Madje nuk ndihmohej nga askush, në lindje nuk merrte asnjë qetësues e nuk kishte askënd tek koka e sërish nuk e dëgjova të ankohej kurrë.
Ndërsa unë kujdesesha deri në detaje, sterilizoja gjithçka, i jepja qumështin, vitaminat, në orare të caktuara, pa kaluar asnjë minutë më shumë apo më pak. Ato ditë edhe bota kishte ndryshuar, nuk ishte më e njëjtë. E teksa përpiqesha të bëja këto gjëra, e humba lotin e parë. Tani jemi më të qetë dhe jam e lumtur,  e lumtur pasi po shijoj çdo gjë që më jep Ayden Maximus që prej ardhjes në këtë jetë.

No comments:

Post a Comment