Powered By Blogger

Wednesday, October 15, 2014

Mes fqinjësh që të urrejnë


E frikshme. Të jetosh në tokën tënde, shtëpinë tënde, mes fqinjësh që të urojnë zhdukjen. Sa e vështirë është kjo për një komb? Kjo më erdhi ndërmend mbrëmë, teksa shikoja ato pamje që vinin nga Beogradi. Ndër kohëra kemi mbijetuar kështu dhe ç’është më e keqja nuk kemi bërë asnjë faj, thjesht jemi ata që jemi; jemi shqiptarë. Nuk po bëj patrioten e madhe, ulur në një karrige të rehatshme në mes të Rotterdamit, teksa shijoj një kafe e shoh një pamje të bukur përmes xhamit. Ajo që të vjen nga shpirti nuk mund të mbahet. Nuk dal as të bërtas, por ajo që ndodhi mbrëmë ishte e turpshme.
Nuk jam tifoze dhe nuk marr vesh asgjë nga sporti, e vetmja gjë që di të ndaj nga lojtarët në fushë është arbitri, ndërsa të tjerët për mua janë njësoj, ju ndryshon vetëm ngjyra e fanelave. Përveç ndeshjes me Greqinë në gusht të 2004-ës, mbrëmë ishte ndeshja e dytë që unë ulem me ndërgjegje të pastër për të parë sport. M’u rrënqeth mishi nga ato pamje, që vetëm futboll nuk mund të quhej.
Më erdhën në mend nënat e atyre djemve të skuadrës tonë. Pa fjalë; një popull i tërë kundër 11 djemve shqiptarë. Nuk dua t’i quaj serbët siç pashë sot gjithëandej në rrjetet sociale: barbarë. Por a nuk është turp? A nuk kemi lexuar legjenda me “shkjaun”, që bënte kërdinë mbi ne. Në kokën time “shkjau” ishte një qënie e frikshme, e zezë, si një përbindësh i madh. Mbrëmë u ndjeva sërish e vogël, u struka si dikur, ndërsa grindesha me telekomandën që nuk ndërronte aq shpejt sa duhej stacionet që të merrja vesh diçka më shumë.
Sot të gjithë bëhemi trima e flasim, por mbrëmë ata ishin vetëm atje në mes të fushës duke degjuar per aq gjate thirrjet : vritini shqiptaret! E pafalshme per te gjitha koherat! Sot mund të thuhet çdo gjë, sot serbët thonë që na provokuan shqiptarët, si mund te besohet kjo, kur e gjitha bota ( vetem nese do te mbylle syte) pa dhunen e ushtruar mbi shqiptaret. Epo shqiptaret nuk mund te kthejne faqen tjeter e te thone: s'ka gje, na godisni prape. Nuk rrjedh uje ne venat tona, por gjak. Evropa plake duket se po i mbyll serish syte, duke lene menjane thirrjet raciste e duke u fokusuar tek flamuri i "Shqiperise se Madhe". Fjale qe nuk i le te qete qe nga konferenca e Londres ne vitin e mbrapshte 1913.
Vetëvetiu m’u kujtua vajza serbe në shkollën time. Nuk e  kisha kuptuar arsyen pse ajo me ta marrë vesh që jam shqiptare u distancua. Më vjen keq që për arsye personale nuk mund të shkoj në shkollë, e më vjen keq që ajo për arsye të saj nuk është më në grupin tim, pasi do të doja ta shikoja në sy. Do ta pyesja edhe nëse e kishte parë mbrëmë flamurin tonë në zemër të Serbisë? Sa keq më vjen! Megjithëse fshihet nën petkun e një boshnjakeje të mire (kjo për përfitime personale), e njoha që në ditën e parë, madje ju drejtova me fjalët: ti je nga Serbia? Kur më tha që vinte nga Bosnja, m’u duk se e fyeva, pasi një boshnjakeje të vuajtur nga serbët nuk mund t’i trejtohesh as për shaka me ato fjalë. Për pak desh i kërkova falje, por sado një ujk mund të mbulohet me petkun e deles,nuk mund të qëndrojë ashtu për shumë kohë. Nxori kryet në përpjekje për të m ú kundërvënë me gjithçka. E vetmja e keqe e saj ishte se nuk e dinte se me kë kishte të bënte. Unë jam shqiptare e nuk fshihem nën petkun e askujt.
Ne jemi autoktonë, por serbët nuk mund ta pranojnë. Po, po ne jemi autoktonë në tokën tonë, pavarësisht se shumë na kanë coptuar. Ne dimë të jemi dhe qytetarë dhe e tregojmë se herë bëhet fjalë për kombin tonë. Në gushtin e largët të 2004-ës e gjithë Tirana ishte në këmbë e gëzonte atë natë. Isha dhe unë tifozja që nuk kisha parë kurrë futboll.
Nuk mbaj mend që shqiptarët t’ju kenë thënë grekëve: tifozët tuaj nuk do të jenë në stadium. Nuk mbaj mend as ndonjë lojëtar grek të jetë prekur sadopak nga askush, e jo më drejt tyre të jenë hedhur mjete rrethanore si në filmat me Robin Hood. Nuk mbaj mend të kem parë stola apo karrige në atë fushë, pavarësisht se grekët (atëherë kampion Evrope) u mundën nëse më kujtohet mirë më një rezultat 2-0, që kënaqi gjithë shqiptarët. Ne dimë të respektojmë fqinjët tanë, e nuk presim askënd në besë në shtëpinë tonë. Por serbët nuk e dinë ç’është besa, kjo është sikur t’i kërkosh hienës të sillet si luan.





No comments:

Post a Comment