Më fal që po e përdor jetën tënde! A nuk kanë bërë të
gjithë kështu me ty, ndoshta që në ditën kur ti u linde? Ndaj dhe unë po i shtohem
sot në këtë mëngjes të hëne, listës së gjatë të personave të cilët të kanë përdorur
ty. Një më shumë apo një më pak nuk do të ndryshonte asgjë. Në këto momente
ndoshta do të jesh duke qarë, ndoshta je rrahuar aq shumë sa nuk mund të lëvizësh,
ndoshta edhe të kanë degdisur andej nga erdhe. Asgjë nga këto nuk do të mund të
mësoj prej teje. Di vetëm që prej momentit që të takova nuk më hiqesh nga
mendja.
7 vjet më e vogël se unë ( por që të krijonte përshtypjen
se mbante edhe disa vite më tepër në kurriz), ishte vajza kosovare që rasti e
deshi të më kishte si përkthyese. E përdora. Po! Dhashë provën që unë mund t’ja
dal. Ndërsa ajo bëri vetëm një nga sforcot e saj të rradhës pa rezultat. Me vetulla
të pahequra dhe flokë të lidhura si në kohën e qëmotit ishte priste për shpresë.
Në të njëjtën tavolinë ishin ulur dy anë të ndryshme të së njëjtës medalje.
Ishim të dyja vajza shqiptare. Atë ditë si për dreq flokët më rrinin më bukur,
tualetin e kisha bërë me nge, e ndërsa i kisha lejuar vetes edhe një fund të
shkurtër.
Pasi përshëndeta disa prej atyre që njihja pashë vajzën
që qëndronte si e zënë në faj. Kishte ardhur me kokën e saj, shpresonte se aty
do të mund të merrte disa leksione, sa t’ja hidhte të shpëtonte. Shpëtonte nga
kush?! Nga të gjithë ata që po përdorin jetën e saj. Ishte burri shqiptar me
pasaportë europiane, ai që nuk donte që gruaja e tij të mësonte asgjë, të mos bënte
asgjë përveç atyre që do donte dhe thoshte ai. Shkurt një shërbëtore në shtëpinë
e tij. I kishte treguar një marokan në shkollën ku mëson I biri 4-vjeçar se ku
mund të merrte disa leksione. U ndjeva keq e ndaj nuk më del nga mendja prej së
premtes që e takova. Nuk e pyeta sesi ishte kuptuar me marokanin. Ndoshta kur
njeriu e dëshiron diçka me gjithë shpirt përpiqet deri në grimën e fundit për
ta arritur atë.
Nuk mund të ndiqte shkollën pasi është e shtrenjtë,
madje as librat nuk mund t’i blinte, kushtonin vetëm 100 euro. Ndoshta po ta mësojë
i shoqi se çfarë kishte bërë ajo mund ta kthejë mbrapsht, duke e ndarë përfundimisht
nga i biri. Ishte ilegale, nuk kishte pra asgjë të ligjshme, duket sikur jeta e
saj ishte ngritur mbi gjithçka të rreme. Ajo nuk mund t’i thoshte kurrësesi
atij, nuk mund t’i kërkonte as paratë për librat. U përpoqa të përfytyroja se
ç'fytyre do të kishte ai njeri. Por ai mund të mbajë maskën e çdokujt e kjo pak
ndryshim do të kishte për të. Doja dhe t’i bërtisja në fytyre asaj: përse? Po
sa vlerë do të kishte? Çfarë di unë për jetën e saj, përveç dy gjërave të vogla
që po i përdor për të shkruar diçka. Sa e padrejtë!
Harrova t’i thoja që në Kishë jepet mësim falas për
gjuhën. M’u kujtua se ndoshta mund të ishte dhe muslimane. “Në djall”, - i thashë
vetes çfarëdo që të ishte unë duhej të isha kujtuar. Më falenderoi për "asgjënë" që bëra për të. Iku ashtu nën shiun e imët të Rotterdamit, me kokën ulur, për t’ju
kthyer fatit të saj. Më la një ndjenë boshllëku, keqardhje, habie gjithçka
bashkë. Jetojmë në vitin 2015.
No comments:
Post a Comment