Nuk ishte fati, nuk ishte as e shkruar, siç jemi mësuar
të themi gjithmonë në të tilla tragjedi. Jo! Ishte një krim i tmerrshëm,
mund të kishte qenë kushdo në atë avion ogurzi. Mund të kishim qenë edhe unë e
ti, por fati e do që ne të mos shkojmë për pushime në Malajzi, Australi,
Indonezi nëse ky do të quhet fat.
Pashë disa foto mbrëmë, foto që të trondisin pavarësisht
se nuk i njeh ata njerëz, por nuk të duhet t’i njohësh, mjafton një majmun i vockël,
që kush e di nga dora e kujt fëmijë kishte rënë. Unë nuk e njoh, por gjyshja
dhe gjyshi i tij ose saj e dinë mirë që majmuni i vockël, është, ishte i
Hans-it, apo Tom-it, apo Laailës, apo Annës, sido që ta ketë patur emrin ai fëmijë.
Në çast m’u kujtua kukulla prej pellushi e Mickey Mouse që djali im nuk ndahet
një çast prej tij. Ashtu siç isha e turbulluar nga fotot, nga ngjarja, u ngrita
dhe u nisa drejt dhomës së tij, duhet ta shikoja; falë Zotit ai ishte aty,
bashkë me kukullën e tij, flinte i qetë. E falenderova Zotin, ne nuk kishim qenë
në atë avion, por fare mirë një nga ne mund të gjendej aty.
Fati e deshi që Riku të mos nisej të enjten me avion.
U rrëzua ditë më parë nga biçikleta e nuk la gjë pa thyer. Natyrisht në moshën
e saj 60 e kusur vjeç, çfarë mund të presësh nga një rënie nga biçikleta. Por nëse do të kishte ngjitur
shkallët e atij avioni, fundi do të kishte qenë tjetër... Kur e takova nuk
fliste fare, sytë i mbante të perënduar a thua se kërkonte diçka në hapësirë.
Ishte e shokuar, e kishte shpëtuar biçikleta e saj e vjetër e shkatërruar që
100 herë kishte thënë se do ta shiste, por nuk e kishte bërë. E pyeta nëse
kishte dhembje. Më pa shtrembër, a thua se kisha shkelur unë tokën ruse, apo
ukrainase. Plagët e saj nuk ishin më asgjë. Profesori im u nis dje drejt Ukrainës,
s’ka faj ka gruan atje. I dërgova një mesazh ta pyesja si mbërriti e ndër fjalët
e tjera të shkruara nxitimthi, ishin që të mundohej të kthehej sa më shpejt në
Holandë, këtu do të ishin të sigurtë. Të sigurtë, çfarë përmban kjo fjalë në
vetvete tani në këtë kohë, ku jemi vertët të tillë? Me tremb ta shkruaj “askund”.
Nuk mund të gjej një fjalë të përshtatshme për atë që
ndodhi vetëm “e tmerrshme”. Nuk ka rëndësi në ishin holandezë, belgj,
austrialianë, indonezianë, amerikanë, ç’rëndësi ka, ajo që vlen është se ishin njerëz,
po shkonin për pushime, pushime që nuk u arritën asnjëherë në destinacion. Pashë
edhe valixhe të shpërndara sa andej-këtej me rroba e sende personale. Nuk po i hy
debatit nëse është normale publikimi i të tilla fotove, kur kjo i përket vetëm
atyre që kanë humbur ata njerëz. Është personale, ishte intime, askush nuk
duhet t’i shohë ato pamje veç tyre. Ata e njohin atë çantën rozë, njohin edhe
bluzën me vija që ndodhet në atë valixhe. Ç’punë kemi unë dhe ti t’i shohim
ato. Jo! Ato ju përkasin atyre. Por media është e pamëshirme, krahas dhimbjes
kishte kapur edhe gjah.
Me herët një
tjetër avion i Malaysia airlines u zhduk pa nam e pa nishan, nuk pamë as foto e
asgjë, nuk u mor vesh se çfarë u bë me ata shpirtra të pafajshëm që i vetmi faj
ishte bileta në kohën, avionin dhe vendin e gabuar. Por në këtë rast gjërat
ndryshojnë, këto shpirtra që ju bashkuan shumë të tjerëve atje nga ku askush
nuk kthehet më, bënë një faj; shkelën një tokë të ndaluar. Ç’është e vërteta
fluturuan mbi të si një zog i lirë, por nuk mund të jesh i lirë në zonë ku njerëzit
kanë humbur arsyen e të jetuarit. Po hapësirën kush e krijoi, kush e ndau, kush
urdhëroi: kjo është imja, ndal! “Rrëzuam një avion”, ishin fjalët e atyre që
kryen krimin makabër vetëm disa çaste më pas. Ishte një avion civil, nuk i prishte
punë askujt, por në dialogun e tyre të etur për gjak, nuk kishte asnjë fije
pendëse.
Bënë një vrasje të përmasave të tilla. Një vrasje e
pashoqe, që të sjell ndërmjet kohë lufte, atë të luftës së Dytë Botërore, ndërsa
flitet gjithë ditën për paqe.
No comments:
Post a Comment