Të harrohesh nga bota është diçka, por të harrohesh nga krijesa që
ti i ke dhënë jetë është diçka tjetër. Kjo dhemb, e dhemb shumë në shpirt. Mos
vallë harresa do të thotë të jetohesh kohët moderne?! Nuk do të doja të kisha fatin e saj.
Fatin e kujt? Të një moshuara të ardhur para disa ditësh në Tiranë në kërkim të
së bijës. Ajo nuk e dinte, nuk e mbante mend adresën e saj, apo mos ndoshta dhe
më keq akoma nuk kishte qenë kurrë në shtëpinë e saj. Nuk dua të mendoj që
plaka e shkretë kishte ngatërruar qytet, ndoshta vajza e saj nuk jetonte aspak
në Tiranë, por në një tjetër vend. Ndoshta edhe nuk e kishte një vajzë, por
mendja e saj prej plake i thoshte se dikur kishte patur një të tillë. Mbante
mend ditën kur e lindi me aq shumë dhembje, ndaj duhej me patjetër të kishte
patur një vajzë.
Nuk më doli nga
mendja tërë ditën kur pashë lajmërimin për “humbjen e saj” në Facebook. Ajo
kishte përfunduar në një rajon policie të kryeqytetit. Nuk dua të jap emrin e
saj, pasi si ajo mund të ketë shumë, ndaj mbart mbi vete të tjerë emra që kanë
të njëjtin fat. U tregova indiferente nuk komentova asgjë, fundja nuk ishte
problem im, nuk e njihja fare as plakën e as të bijën nëse ajo vërtet ishte.
Por ama nuk mund të mos më bënin përshtypje komentet që lexova në atë lajmërim
të shkurtër. Edhe në këtë rast e kishte fajin shteti, po ç'faj ka shteti këtu,
ndoshta ka shumë! Të tjerë thonin që e kishte fajin policia, e të tjerë adresa
e së bijës së munguar.
Ndoshta faj kemi
pak të gjithë ne, duke harruar që një ditë sa hap e mbyll sytë do të gjendemi në
të njëjtën moshë, “plakja s’ka kthim”. Mua më tremb kjo fjali, unë nuk dua të
jem e harruar. Më tremb fakti që im bir mund të iki larg, duke më lënë fillikat.
A thua do të më marrë në telefon, apo të më sjellë një tufë lule për
ditëlindje? Ndoshta as nuk do ta mbajë mend fare. Megjithëse ka kohë derisa të
vi ajo ditë, më mire të merremi me plakën në fjalë, fundja dikush tjetër do të
merret me hallet e mia.
Mos ndoshta të dyja
nënë e bijë kanë dashur që të mos dinin ekzistencën e njëra-tjetrës, por pastaj
nëna është penduar dhe e kërkon, kush e di çdo t’i thotë, të fundit fjalë.
Edhe gjyshja ime ka
një telefon, ajo nuk i njeh as shkronjat e as numërat, por ama di ta hapë kur
dikush kujtohet. Sa mire që ne kujtohemi
për të! Mendova edhe për të bijën e saj sesi mund të harrojë të ëmën, kur unë
flas çdo ditë me mamanë time në telefon; di edhe sa herë ka patur dhembje koke,
kur ajo me tregon natyrisht.
Por nuk di pse nuk
i vura vajzës së saj edhe shumë faj. Nëse do të ekzistonin qendra për të
moshuar, ashtu siç duhet vërtet të jenë, ndoshta dhe kjo nënë e vajza e saj nuk
do të humbeshin e ishin pa adresë. Nuk do të bëheshin statuse në Facebook,
material për shkrim në një blog që ndoshta askush nuk do ta shohë. Por edhe nëse
qendra të tilla do të ekzistonin, me të gjitha standardet me çfarë do të paguajë
e shkreta plakë; me një pension që ndoshta nuk i kalon 100 mijë lekë, e atëherë
shteti paska faj. Paska vërtet shumë, përtej deklarave boshe që bëhen çdo ditë
në televizor nga ministra që qeshin para kamerave, ky është realiteti ynë.
Dikush e lë të harruar, dikush tjetër shkon më tutje dhe më keq duke e vrarë. Kjo
vdekja fizike vjen e të merr, të hedh tutje në dy metra dhe, ndërsa harresa, pa
nam pa nishan vret më tepër. Më lind në kokë një pyetje naive, nëse të moshuarit
do të kishin vendin e tyre nuk do të bëheshin “barrë”, për fëmijën në këtë jetë
kaq të ndërlikuar, besoj se do të shmangeshin të tilla ngjarje harbute. Por edhe
nëse këto qendra, të cilat ne rëndom i quajmë me emrin jo dashamirës “azil”, do
të ishin të përshtatshme, atëherë do të ngriheshim ne. Gojët e liga të “plakave
të lagjes”, të cilat jemi unë dhe ti, nuk do të linin pa thënë : “Turp që bëri i
biri ose e bija e filanit, lihet ai prind në azil?! Dhe ne që e mbanim në gojë
për mirë”. Nuk i dhashë dot asnjë
zgjidhje, vetëm thashë me vete “sa mirë që atë kohë e kam ende larg”!
No comments:
Post a Comment