Kur e pyet se çfare shkolle ka mbaruar, nuk di të të thotë
emrin e saj, por nëse do të kesh kohë të presësh pesë minuta sa të marrë mamanë
në telefon që t’i lexojë se çfarë shkruhet në atë copë kartoni, atëherë do ta
marrësh vesh. E pyet sa ka kushtuar çanta e saj Louis Vuitton, që për muaj me
rradhë e ke parë nëpër vitrina si dhelpra me rrushtë, e në fund kur nuk e bleve
dot the: nuk e dua! - të thotë që është dhuratë nga ish i dashuri i saj i
shkuar. Nuk di pse e mban ende, kur ka marrë dhuratë nga dashuri tjetër çantën
e fundit "Gucci", e cila sapo ka dalë, ajo po, ajo është çantë.
Të kujtohet se dikur loznit të dyja bashkë para
pallatit, me peta, me top, me ç’të gjenit. Ishte ajo që të lutej të futej në lojë,
e ty të vinte keq, "pse jo?" - ju thoje dhe vajzave të tjera të pallatit që ta
merrnin se ishte gjynah, ç’punë do t’ju prishte?
Ul sytë e rrotullon filxhanin e kafesë, pse erdhe, pse
e takove? Ndoshta ngaqë e gjete rastësisht në facebook e pe që tashmë shoqërohej
me njerëz të rëndësishëm, një prej tyre ishte pikërisht ai që të duhej për të futur
në punën motrën tënde.
Ka ndryshuar ngjyrën e flokëve, bionde e lyer që nuk e
ngatërroje dot më, nuk i ka ato bishtat e djegur nga dielli, as vetullat e
pahequra. Një hark tatuash i rri mbi sy, por që s’ka asgjë të ngjashme me
shprehjen “vetullën si gajtan”. Nuk mban më as erë djersë, ka një parfum “dolce
gabbana”, pikërisht ai që të pëlqen ty shumë. Tymi i cigares që nxjer sa herë e
thith të bie m’u në turi. E shikon me bisht të syrit pasi ke frikë se do ta
kuptojë qëllimin e vërtetë të ftesës tënde për kafe. Nuk keni pirë kurrë një të
tillë, ajo nuk ka qenë kurrë në listën e shoqeve të tua. E mban mend edhe atëherë
kur e pe rastësisht në rrugë e nxitove hapat që të mos përballeshe me të.
Ajo flet pa e vrarë mendjen për çfarë mendon ti, të
tregon për pushimet e fundit që ka bërë në Paris. Për hotelin me katër yje ku
ka fjetur, e cili nuk ishte asgjë krahasurar me një tjetër me 5 yje, ku kishte
fjetur një vit më parë. Kishte bërë gabim që kishte zgjedhur atë, madje ishte
grindur dhe me ata të “room service”, pasi mëngjesi nuk i kishte vajtur në dhomë
siç kishte kërkuar ajo. Pastaj as darka e ngrënë në një prej atyre rrugicave të
shumta pariziene, që mbajnë aq shumë poezi mbi kurriz, nuk kishte qenë kush e di
se çfarë.
Të vjen të ulërasësh me të madhe që ta marrë vesh e
gjithë njerëzia. Por s’bën asgjë, ul kokën e ngre filxhanin e kafesë, ai është
mbaruar, por të duhet ta mbash ashtu ndryshe do të shpërthesh fort.
Një mendje të thotë të ngrihesh e të ikësh me vrap?
Jo! Duhej të mbaroje atë për të cilën kishe ardhur, të paktën të tentoje. Kush
e di sa njerëzve ju kishe thënë për atë vend pune, e askush nuk të kishte
zgjidhur hallin që kishe. Po çfarë kishte motra jote para saj, shumë pak; një
diplomë me mesatare të lartë, 3 gjuhë të huaja, një mastër - pffff; gjëra koti....