Powered By Blogger

Monday, May 19, 2014

Udhëkryq

Një kohë iku, perëndoi, e sa shumë të tilla, kanë ardhur e shkuar, ndërsa ne, duket sikur qëndrojmë në po të njëjtin vend. Duket sikur ne jemi vrojtues të fatit tonë tragji-komik, spektator i një tragjedie pafund, që nuk kemi guximin të ndalojmë aktin që po ndodh.
Ai, populli që mbart kaq shumë forcë në vetvete, ka nuk di ku ka kryet.
Askush nuk mund të thotë se kush jemi e ku po shkojmë?
Ata, hienat politike, çirren me sa fuqi kanë, t’ju mbushin mendjen. Ju është bërë koka daulle, nuk dini çfarë bëni.
Dhe koha ikën, e asgjë nuk ndryshon.
Nga mjerimi mund të presësh gjithçka, vjedhje, plaçkitje, kurvëri… E pra, në këtë pikë kemi mbërritur ne.
Po tani ç’na ka mbetur vallë? Hedh vështrimin tutje dhe nuk sheh asgjë, vetëm gri e më pas hapësirë e errët pafund.
Kemi shitur gjithçka, pasuri e nder, nuk na ka mbetur më asgjë. Pse në mendje të vijnë vargje të shkruara kohë më parë?
Po sot Shqypni pa më thuaj si je?
Po sikur lisi i rr'zuem për dhe.
Edhe për sa kohë këto vargje do të jenë realitet, realitet i dhimbshëm që e sheh çdo ditë, që e prek çdo çast, me të cilin vuajmë në përjetësi.
Ne presim me sytë nga qielli dhe nga bota.
Të dyja bashkë duket sikur thonë: Çfarë po bën ti me fatin tënd o njeri? Çohu, ndrysho, mos rri i ngrirë.
E ne sërish bëjmë sikur nuk dëgjojmë, e sërish rrimë, presim e fatin tonë tragjik vështrojmë.

No comments:

Post a Comment