Përpara se të vinte ora 17:00, vendosi të dilte
të bënte pazarin. I duhej të blinte gjërat e nevojshme. Në këtë orë
kishte edhe pak njerëz nëpër shkallët e pallatit, pasi kërkonte të
shmangte në maksimum takimin me ta. Gjithçka në këto çaste e bezdiste
sidomos pyetjet kureshtare të fqinjëve që nuk ndryshonin asnjëherë,
sepse gjithmonë e pyesnin kur do të gjente punë dhe kur do të fejohej.
Këto ishin dy gjërat që atë e shqetësonin tej mase, njeriu nuk guxonte
të kishte aspak jetë private në këtë qytet që shumëkush e quante edhe
Metropol.
Një grua e moshuar rreth të 80-ave, e cila jetonte në
apartamentin ngjitur dukej sikur nuk bënte gjë tjetër vetëm qëndronte
prapa derës. Sa herë që Keit do të dilte nga shtëpia, do të përballej me
gruan e moshuar, kjo gjë e acaronte shumë. Tani po luante kukafshehthi,
ruante çastin që i dukej qetësi dhe dilte nga shtëpia në majë të
gishtave. Plaka i kërkonte llogari ku po shkonte, pse nuk i
kishte
fshirë shkallët për atë ditë, ose pse nuk ishte zgjuar në orën 5:00 të
mëngjesit që të ndizte pompën e ujit, pasi na kishte qenë radha e
Keitit.
Kur dëgjonte këto llomotitje të plakës, sa nuk i ulërinte
në fytyrë që ta linte të qetë me gjithë fjalët që thoshte, por sërish e
mbante veten dhe përgjigjej si një vajzë me kulturë.
- Më fal nëno, por kam qenë pak e zënë këto ditë, ja do ta ndez sot pompën në darkë.
- Jo unë kam ujë, ti për mua mos e ndiz, - përgjigjej me të njëjtin ritual ajo.
“Po
atëherë çfarë dreqin ke që më turfullon që në mëngjes”, fliste Keit me
vete, ndërsa plakës i shfaqte një buzëqeshje të shtirur dhe hidhej
shkallëve, sa nuk vraponte që të shpëtonte nga plaka thinjoshe, e cila
tundte kokën sikur donte.
Keit kishte studiuar gjashtë vjet për gazetari në një nga shkollat
më të mira të Holandës, kishte bërë shumë
praktikë në Hilversum, ku dhe ishte qendra e gjithë medias në këtë vend të
vogël. Po kështu, ajo kishte një Curriculum
Vitae më se të mirë, ndërsa po haste shumë vështirësi për të
gjetur një vend pune në profesionin e saj. E para vështirësi ishte
konvertimi i diplomës. Shpeshherë mendonte sesi kishte mundësi që në
vendin e saj kishte politika të tilla që nuk i jepnin kurrë përparësi
studentëve, të cilët kishin mbaruar studimet jashtë vendit. Për hir të
së vërtetës, sado e hidhur që të jetë, duhet pranuar se në Shqipëri një
pjesë e mirë e studentëve, jo të gjithë, që e merrnin diplomën me miq
ose me para dhe po ata ishin të parët që gjenin vendet më të mira të
punës. Kjo i dukej shumë e padrejtë dhe jo vetëm e padrejtë, por sipas
saj kjo bëhej burim burokracie, mediokriteti, duke bërë që sërish ai
vend i vogël të mos kishte një brez të specializuar njerëzisht që do t’i
jepnin mundësinë të ecte përpara.
E gjitha kjo i ngjallte dhembje,
kishte braktisur gjithçka, për t’u kthyer në këtë vend, i cili po e
shkelte gjithmonë e më shumë me këmbë. Sa herë ishte përplasur në dyert e
Ministrisë së Arsimit, për të konvertuar atë të shkretë diplomë. Çudia
ndodhte kur punonjësit ishin në kafene dhe as që denjonin të vinin të
shikonin diplomën e saj. Për një vulë ajo u detyrua të shkonte një javë
rresht në Ministri, në këtë institucion që duhej të hapte dyert për
studentë të tillë, madje jo vetëm për të. Çdo ditë ikte nga dyert e
kësaj ndërtese, që nga jashtë i dukej si burg ku nuk mund të hyje pa
lejen e gardianit, pa bërë thuajse asgjë. I vetmi që arrinte të takonte
ishte polici te hyrja, i cili si gjithmonë nuk e lejonte të bënte asnjë
hap më tutje. U përpoq të linte takim me personin përgjegjës për
diplomat si ajo e Keit, por dukej çdo gjë e kotë. Pas shumë
rropatjesh, arriti më në fund të konvertonte atë copë kartoni që
përmblidhte gjithë mundin dhe sakrificën e saj.
Hapi i radhës
ishte një takim për punë në një gazetë të njohur në vend. Aty shpresonte
shumë ta fitonte një vend pune, lajmërimin për të cilin e kishte parë
rastësisht në një gazetë. Ajo përmbushte të gjitha kriteret që kërkonin.
Bëri gati të gjitha dokumentet që i duheshin për të pasur një paraqitje
dinjitoze. Nuk i mbetej që tjetër veçse të priste të nesërmen.
Pas
shumë kohësh po zgjohej me zile, e me një qëllim të caktuar. Bëri
lutjen e saj drejtuar Zotit, si çdo mëngjes, niset drejt qendrës së
qytetit, aty ku edhe ndodhej godina që priste me padurim të punësohej.
Kjo jo vetëm se i duheshin paratë, por edhe se gazetaria ishte pasioni i
vetëm. I dukej sikur që nga lindja mbarte një mision mbi vete, ose
kishte iluzione se do të përmbushej me profesionin që kishte zgjedhur.
Trokiti
në një derë. Brenda dëgjohet një zë i plotë mashkulli. Keit u dridh:
“Bo, bo, çfarë zëri, si do të flas unë kur ky të pritka me këmbët e
para”.
Gjithsesi mori guximin dhe u fut brenda.
-
Mirëdita, kam ardhur për atë vendin bosh për gazetare. E pashë
lajmërimin në gazetë. Unë quhem Keit dhe në këtë dosje ndodhen të gjitha
rezultatet e mia.
Tha gjithçka kishte për të thënë me një
frymë, si e zënë në faj. Dokumentet që mbante në duar ia vuri me ngadalë
në tavolinë burrit hijerëndë, që qëndronte para saj, i cili pa ngritur
sytë nga tavolina e pyet:
- Ku e ke mbaruar shkollën e lartë?
Keiti përgjigjet me ndrojtje, a thua se kishte gabuar në gjithë atë punë dhe lodhje që kishte bërë.
- Kam mbaruar në Holandë, në “Erasmus University”, kam studiuar për gjashtë vjet atje.
-
Aaa edhe domethënë meqë ke mbaruar në Holandë duhet të të pranojmë ne
patjetër, - përgjigjet ai që mbante pozicionin e drejtorit të gazetës.
-
Unë, unë... - belbëzoi Keit, - nuk e thashë këtë gjë zotëri, po kërkoj
vetëm një punë, siç mund ta kërkonte gjithkush. Mori pak zemër dhe
shtoi: - Besoj se e kam këtë të drejtë.
- Ou po na tregon edhe të
drejtat tani. Po mirë çfarë ju mësonin në atë shkollën në Holandë, ëëë,
se këtë nuk e marr vesh. Po çfarë kujtoni ju se duke mbaruar një
shkollë jashtë shtetit mund të vini këtu e të bëni si të doni.
U
turbullua edhe më tepër, i dukej sikur kishte ngatërruar zyrën ku po
kërkonte punë. Për një çast mendoi se mos ndoshta duhej të ishte futur
te zyra përballë. Por jo ishte pikërisht ai, personi që duhej të
takonte. Në këto çaste, sekretarja e tij hyri në zyrë dhe duke e thirrur
në emër i foli në vesh për një çështje pune. Ajo ishte një vajzë e re
që nuk duhej t’i kishte mbushur të 20-at. Ishte veshur me një minifund,
ose më mirë të themi superminifund, një kanotiere që më shumë ia nxirrte
jashtë bukuritë që ia kishte falë natyra sesa i mbulonte.
U
çudit shumë nga kjo pamje. Vjedhurazi i hedh një sy vetes së saj. Atë
ditë ishte veshur me një palë pantallona të zeza dhe një këmishë të
bardhë. Të dyja i shkonin shumë. Kur u pa në mëngjes në pasqyrë mendoi
me vete se ngjante vërtet si një gazetare serioze, por tani e kuptoi se
kishte zgjedhur veshjen e gabuar.
Vajza doli nga zyra duke vënë
në pah më tepër hiret e saj, ndërsa Keiti ishte skuqur nga koka te
këmbët. Donte të merrte dosjen, të cilën personi që qëndronte përballë
saj as që mori mundim më të vogël ta hapte, do të ishte shumë po të
thoshim që ta shikonte.
- Pra, ku e lamë, ah po ti ishe ajo që kërkoje punë, - nisi ai sërish bisedën me atë zërin e vrazhdë.
-
Epo na vjen keq, atë vendin për të cilin thuhej në gazetë sapo e zumë.
Siç e pe edhe vetë sekretarja ime sapo më sugjeroi dikë, më duhet ta
marr në punë. Normalisht, është mbesa e mikut tim dhe ka mbaruar me nota
shumë të mira, nuk kam sesi ta lë pa punë, ndryshe nuk do të kem
mundësi të luaj as tavëll me mikun tim pasditeve e të pimë ndonjë birrë,
besoj më kupton.
Për Keitin kjo përgjigje ishte fyerja më e
madhe që i ishte bërë. Nuk arrinte as ta besonte që para syve të saj
vjen një bishtpërdredhur dhe i hedh poshtë të gjitha vitet e punës, të
mësimeve, hedh poshtë gjithë ata profesorë dhe emra të njohur të
gazetarisë në botë.
E ndjente që një tufë lotësh po i rrotullohej
në kapakët e syve, nuk mund të fliste, pasi nëse do ta bënte një gjë të
tillë, lotët do t’i vërshonin si lumë mbi faqe. Mori ngadalë dokumentet
që qëndronin mbi tavolinë dhe me gjysmë zëri, por që askush, përveç
saj, nuk e dëgjoi tha: “Më falni” dhe doli jashtë.
Shkallët e
institucionit i zbriti duke gëlltitur lotët, përpiqej në maksimum që
njerëzit që po kalonin aty të mos e shikonin duke qarë. E vetmja gjë që
nuk donte në ato çaste ishte të fliste, pasi e dinte që nuk ishte e aftë
të mbante vërshimin e lotëve, që besonte se ishin më shumë sesa lumi
Lana që kalonte aty pranë. Nuk donte të shkonte menjëherë në shtëpi,
pasi atë ditë ishte edhe takimi i parë me
Julian. Megjithëse, ajo
i kishte lënë përshtypje të mirë, nuk donte kurrsesi që banorja e re e
shtëpisë ta shikonte në atë gjendje. Pasi bëri një shëtitje duke u
sorollatur sa andej-këtej, e mblodhi mendjen. Do të shkonte në shtëpi
dhe do të ftonte Julian të hanin diçka jashtë. I dukej sikur shtëpia ia
kujtonte edhe më shumë dështimin që kishte pasur atë ditë, ose ndoshta
përfundimisht nuk donte të rrinte brenda. U përpoq të hiqte nga fytyra
atë shprehi sikur kishte vdekur dikush dhe u nis.
Julia e pa
disi me dyshim ftesën për të darkuar jashtë, duke llogaritur edhe paratë
që kishte, megjithatë nuk tha jo. Edhe ajo kishte vendosur që do ta
shijonte jetën, do të shfrytëzonte çdo rast që i jepej qoftë edhe për të
ngrënë një sufllaqe, doner ose për të pirë një kafe.
Ato të
dyja ishin dy vajza të këndshme, që shumëkush mund t’i merrte edhe për
binjake. Secila kishte kaluar peripecitë e saj në jetë, për asnjërën nuk
kishte qenë asgjë e lehtë, ndoshta prandaj mes tyre filloi vërtet një
shoqëri e mirëfilltë. Darkën e hëngrën të thjeshtë, por në një vend të
qetë e të këndshëm. Siç dukej asnjëra nuk donte të përfshihej në turmën e
zhurmës e të jetës së natës që ofronte qyteti. Gjatë darkës i tregonin
njëra-tjetrës ndodhi, por nuk prekën ato detaje që nuk donin, ose
mendonin që të paktën për momentin ishte më mirë që ato që i shqetësonin
të ishin sërish pjesë e fshehtësisë së tyre…
* * *
Gjumin
e bëri të trazuar, në ëndërr e ndiqte nga pas zëri vulgar i personit që
kishte takuar atë paradite. Madje në ëndërr shkoi shumë larg. Njeriu i
tmerrshëm, e ndiqte nga pas, ndërsa në dorë tundte dosjen e saj të
diplomës, të masterit, të internshipeve, ose kurseve që ajo kishte
ndjekur. E gjithë jeta e saj ishte e përmbledhur në ato letra, ndërsa ai
me një të lëvizur të dorës i flaku tutje nga kati i gjashtë, ku edhe
ndodhej zyra e tij. Keit u tmerrua, zbriti rrëmbimthi shkallët, pasi
ashensori nuk punonte. Doli në katin e parë dhe mori djathtas ndërtesës,
mendoi se në atë krah duhej të kishin rënë edhe dokumentet e saj. Po
ç’të shikonte, pastruesit e qytetit kishin ndezur një zjarr dhe po
digjnin edhe ca letra, ndër to edhe dosjen e saj. Oh, jo aty ishte e
gjithë jeta e saj. U ul në gjunjë e rropatur: “Kjo nuk mund të ndodhë”,
klithi me një zë të trembur. Siç duket kishte bërtitur aq shumë, sa
dëgjon një zë duke e thërritur: - Keit, Keit, zgjohu ishte vetëm një
ëndërr e keqe, zgjohu, nuk është asgjë!
Hap sytë dhe sheh Julian që e thërriste, ndërsa në duar mbante një gotë me ujë.
- Paskam qenë në ëndërr, - tha ndërsa mori gotën me ujë që i zgjati Julia.
No comments:
Post a Comment