Powered By Blogger

Thursday, January 1, 2015

Çfarë mbeti pas



Një gotë e thyer, pak verë e mbetur në një fund shisheje, një pjatë e çapërlyer, që duket sikur ndihet në faj në tavolinën që nuk ka më bukurinë dhe delikatësen më të cilën u shtrua mbrëmë. Një shishe shampanjë e boshatisur ka humbur madhështinë e saj. Mishi ka mbetur thuajse i paprekur, ndërsa koka të rrotullohet nga perzirja e pijeve të mbrëmshme. Çfarë pimë? As nuk të kujtohet; më duket se u nis me shampanjë, më pas verë, pastaj sërish verë, shampanjë në momentin e ndërrimit të viteve e më pas nuk mbaj mend asgjë. Sot është qetësi, të duket sikur dita e djeshme është aq e largët, natyrisht ka një vit në mes. Tirana besoj duket aq bosh sot në mëngjes, tek - tuk sheh njerez të lodhur që vazhdojnë me idenë se duhen bërë vizita për të uruar nje vit të bukur. Plehrat e hedhura mbrëmë besoj janë ende në shesh, ndërsa qentë shqyejnë ç’të mundin.
Dje kur vrapuam sa lart poshtë për të patur çdo gjë në tavolinën tonë, dogjëm gishtat e u përvëluam që të mos mungonte asgjë. U lodhëm aq shumë, e na vinte erë gjellë, as dushi e as parfumi nuk i bënë derman. Krijuam e sajuam gjithëfarë lloj ushqimesh, disa të para në internet e disa të shpikura nga mendja. I bëmë pjatat të bukura e sërisht fëmijët hëngrën atë që deshën vetë. U munduam të shtronim sa më bukur tavolinën, facebook-u të nxjerr bojën, a nuk është në modë të nxjerrim të gjithë tavolinat e rregulluara për merak. Po bakllavaja? Unë e pres Vitin e Ri pa bakllava, fundja ai nuk është ankuar kurrë për këtë. Kam hequr dhe sikletin e madh të tolljes së petëve, apo në kohët moderne bëhet me petë të gatshme, por ama komshies i themi që i bëmë vetë.
E kështu ndodh çdo datë 31 dhjetor me ne. Po perdet, po shtëpia që duhej tundur e shkundur me themel.  A thua se Viti i Ri do të ndalonte, nuk do të vinte nëse ne nuk lodhemi e këputemi si gjithmonë. U ulëm në tavolinën e mbushur plot, ama të lodhura me nder, që nuk kishim lënë gjë pa shpikur, ndiheshim krenare; dukej bukur, një bukuri që u shpërbë dalëngadalë sapo akrepat ju afruan orës 00:00, e më pas gjithçka dukej si mbetje të një viti të lodhur, të plakur. Nga dje në sot çfarë ka ndryshuar? Thuajse asgjë, jemi sërish ne, një vit më të rritur, në një ndarje artificiale e krijuar nga vetë ne që ecim me shpejtësi në një tren ekspres. Ajo që uroj dhe shpresoj është që ky vit i saponisur të jetë i mbarë me ne, të mos jetë i dhunshëm, kjo ishte dhe lutja ime mbrëmë.

Sunday, December 28, 2014

Në Tiranë



Sot do të doja të isha në Tiranë! Sa i çuditshëm qenka njeriu, kur është atje, kërkon të ikë, kur je larg kërkon të kthehesh, nuk i gjendet filli kësaj pune. Por sot do të doja të isha në Tiranë, do të më pëlqente të zgjohesha nga zhurma e petrogazit, që do të thoshte se mami po bënte kafenë. Meqë nuk e pi kafen turke, ajo kujdeset që ta bëjë enkas për mua në një ekspres të vogël, i hedh edhe pak qumësht dhe ka shijen më të mirë në botë, që vetëm ajo di ta bëjë. E kam provuar edhe vetë, por kurrë nuk ka dhënë rezultatin e duhur. E çuditshme, tani po pi një kafe “nespresso”, e po ta dëgjonte George Clooney këtë që po them do të qeshte me të madhe, por mund të ndodhte dhe e kundërta, do të kërkonte të njihte këtë person me shije të tilla të habitshme. Sa mirë po të ndodhte kjo e dyta, yyyy sa shumë media do të shkruanin për mua. Haha do të isha e famshme. Po do të dilja në televizor, do të shkruaja në Facebook: me shikoni njerëz, kjo jam unë, s’kam bërë asgjë të mençur, po pi vetëm kafe.
Por sot kam një dëshirë të papërmbajtur që të isha në Tiranë, s’ka problem se është ftohtë e nuk ka ngrohje, s’ka problem që ajo rezistenca e vogël mezi të ngroh njërën anë të trupit, e pjesa tjetër të është bërë akull, por punë  e madhe do të uleshim në ndonjë lokal e do të rrinim aty për një dy ose tre orë të mira me një makiato me qumësht të ftohtë.
 Do të doja të isha në Tiranë, megjithëse ajo zhurma dhe zallamahia para datës 31 dhjetor më lodh kokën, megjithëse nuk i duroj dot ato zhurmat nga plasja e nuk e di se çfarë, apo tymi që ndodh nga pas, do të bëja sikur nuk i dëgjoja. Sot do të doja të isha në Tiranë, nuk do të kaloja fare nga tregu ku shitet gjel deti apo pulë deti, asnjëherë nuk di nga dallohen, dhe fundja as që me duhet fare, nuk dua as ta ble, pse pak pula ka në dyqan, te therura të bëra gati vetëm për t’u vënë në tavë. Shija?! Pse çfarë ndryshon? Kur mendon çmimin më duket më e mirë ajo e ngrira, që pret vetëm për t’u shkrirë, mmm sa shumë shijon! ;)
Përfundimisht sot do të doja të isha në Tiranë!

Saturday, December 27, 2014

Mos më zgjo, nuk dua




U struka nën çarçafët që mbanin një erë freskie, erë që vetëm në Paris mund ta ndjesh. As vetë nuk e di pse gjendem gjithmonë duke shkruar në këtë qytet, por të ngjall aq shumë ndjenja dhe përjetime sa nuk mund të kalosh pa i vënë re. Dhoma e madhe e rregulluar sipas stilit francez, më bënte të ndihesha akoma më mirë. Më dukej vetja se po ja kaloja dhe Meryl Streep në filmin “Djalli vishet me Prada”; nejse Prada nuk kisha, por ama mbaja veshur një këmishe nate të zezë “Armani”, që më rrinte sipas trupit. Mëndafshi i lehtë merrte format që dëshironte sa herë unë rrotullohesha në krevat. Doja të flija, të flija gjatë; zhytur në dyshekun “pullman”, por dritat e qytetit hynin pa pyetur në dhomën time. Ishte Krishtlindje; si mund të flejë njeriu në këtë kohë, e për më tepër në Paris.
Parisi nuk është qyteti i duhur për të fjetur gjumë e, megjithatë unë doja ta sfidoja.
E pamundur!
Parisi fiton tek unë gjithmonë. Ky qytet është pika ime e dobët e, unë nuk lodhem asnjë çast duke e parë atë. Çdo rrugicë e tij më duket sikur mban mbi vete poezi, më duket sikur ky qytet është ndërtuar enkas për të qenë i tillë.
U ngrita ngadalë a thua se do të më thyhej ndonjë gjë po të ngrihesha më shpejt. Lëviza pak perden e dhomës: dritat nuk shuheshin kurrë në atë qytet. Ishte ftohtë; dëbora e parë sapo kishte zënë të shtrohej qetë-qetë: pa u vënë re. Të rinjtë putheshin në rrugicat, tashmë te bardha . As i ftohti e as bora, – mendova me vete, - nuk e bën këtë qytet të ndalojë një çast; të marrë frymë. Jo nuk ka kohë, ndalesa është vetëm për të vdekurit. Qyteti ecte me ritmin e ditës edhe natën, kështu kishte qenë ndër kohëra e kështu do të ishte sërish. Mbylla perden, nuk ishte mirë të përgjoja të rinjtë teksa i përgjëroheshin njeri – tjetrit për dashurinë.
U vesha, mora çantën dhe dola, ndoshta nuk do të më jepej një rast i dytë të shëtisja natën, nën dëborë, rrugicave të qytetit magjik.

E ndjeja që po gdhihej, në horizont dukej që nata po shkrihej ngadalëme ditën. E habitshme, kisha ndenjur të gjithë natën jashtë; duart me ishin bërë akull e pothuajse kisha ngrirë. Këpucët me taka m’i kishin rraskapitur këmbët. Ç’më tha mendja kur dola që vesha pikërisht ato? U kujtova. Nuk kisha çfarë bëja, ato shkonin më shumë me çantën që mora me nxitim. Po pse pikërisht atë çantë? Në dollap kishte dhe shumë të tjera. Ohu, sa shumë pse? Sepse ajo çantë nxë më shumë ato që më duhen mua për një natë, si psh: parfum, peceta duarsh të lagura, të thata, kutinë e tualetit, një buzëkuq, një palë geta rezervë se mund të griseshin ato që kisha, kapuçin të cilin nuk di pse e vë, pasi gjithmonë përfundon në çantë, pastaj një bllok shënimesh, dhe një libër. Këto dy të fundit nuk e di as vetë se përse duheshin në atë natë, por asnjëherë nuk i dihej, fundja çanta prandaj ishte e madhe.
Ndihesha mirë, kisha parë aq shumë gjëra të cilat nata m’i tregoi vetëm mua. Sytë po më perëndonin. Dëgjoja një zhurmë që s’më linte të përqëndrohesha, duhej të gjeja rrugën e kthimit, tashmë ishte pothuajse dritë. Flokët e dëborës që binin pa pushim nuk më lejonin të mbaja sytë hapur, më në fund ja arrita: i hapa

Mos! Isha në ëndërr, alarmi i orës vazhdonte të binte pa pushim.

Ps. kur njeriu ka nevojë për një ëndërr ;)