Powered By Blogger

Thursday, January 1, 2015

Çfarë mbeti pas



Një gotë e thyer, pak verë e mbetur në një fund shisheje, një pjatë e çapërlyer, që duket sikur ndihet në faj në tavolinën që nuk ka më bukurinë dhe delikatësen më të cilën u shtrua mbrëmë. Një shishe shampanjë e boshatisur ka humbur madhështinë e saj. Mishi ka mbetur thuajse i paprekur, ndërsa koka të rrotullohet nga perzirja e pijeve të mbrëmshme. Çfarë pimë? As nuk të kujtohet; më duket se u nis me shampanjë, më pas verë, pastaj sërish verë, shampanjë në momentin e ndërrimit të viteve e më pas nuk mbaj mend asgjë. Sot është qetësi, të duket sikur dita e djeshme është aq e largët, natyrisht ka një vit në mes. Tirana besoj duket aq bosh sot në mëngjes, tek - tuk sheh njerez të lodhur që vazhdojnë me idenë se duhen bërë vizita për të uruar nje vit të bukur. Plehrat e hedhura mbrëmë besoj janë ende në shesh, ndërsa qentë shqyejnë ç’të mundin.
Dje kur vrapuam sa lart poshtë për të patur çdo gjë në tavolinën tonë, dogjëm gishtat e u përvëluam që të mos mungonte asgjë. U lodhëm aq shumë, e na vinte erë gjellë, as dushi e as parfumi nuk i bënë derman. Krijuam e sajuam gjithëfarë lloj ushqimesh, disa të para në internet e disa të shpikura nga mendja. I bëmë pjatat të bukura e sërisht fëmijët hëngrën atë që deshën vetë. U munduam të shtronim sa më bukur tavolinën, facebook-u të nxjerr bojën, a nuk është në modë të nxjerrim të gjithë tavolinat e rregulluara për merak. Po bakllavaja? Unë e pres Vitin e Ri pa bakllava, fundja ai nuk është ankuar kurrë për këtë. Kam hequr dhe sikletin e madh të tolljes së petëve, apo në kohët moderne bëhet me petë të gatshme, por ama komshies i themi që i bëmë vetë.
E kështu ndodh çdo datë 31 dhjetor me ne. Po perdet, po shtëpia që duhej tundur e shkundur me themel.  A thua se Viti i Ri do të ndalonte, nuk do të vinte nëse ne nuk lodhemi e këputemi si gjithmonë. U ulëm në tavolinën e mbushur plot, ama të lodhura me nder, që nuk kishim lënë gjë pa shpikur, ndiheshim krenare; dukej bukur, një bukuri që u shpërbë dalëngadalë sapo akrepat ju afruan orës 00:00, e më pas gjithçka dukej si mbetje të një viti të lodhur, të plakur. Nga dje në sot çfarë ka ndryshuar? Thuajse asgjë, jemi sërish ne, një vit më të rritur, në një ndarje artificiale e krijuar nga vetë ne që ecim me shpejtësi në një tren ekspres. Ajo që uroj dhe shpresoj është që ky vit i saponisur të jetë i mbarë me ne, të mos jetë i dhunshëm, kjo ishte dhe lutja ime mbrëmë.

No comments:

Post a Comment