
Parisi nuk është qyteti i duhur për të fjetur gjumë e, megjithatë unë doja ta sfidoja.
E pamundur!
Parisi fiton tek unë gjithmonë. Ky qytet është pika ime e dobët e, unë nuk lodhem asnjë çast duke e parë atë. Çdo rrugicë e tij më duket sikur mban mbi vete poezi, më duket sikur ky qytet është ndërtuar enkas për të qenë i tillë.
U ngrita ngadalë a thua se do të më thyhej ndonjë gjë po të ngrihesha më shpejt. Lëviza pak perden e dhomës: dritat nuk shuheshin kurrë në atë qytet. Ishte ftohtë; dëbora e parë sapo kishte zënë të shtrohej qetë-qetë: pa u vënë re. Të rinjtë putheshin në rrugicat, tashmë te bardha . As i ftohti e as bora, – mendova me vete, - nuk e bën këtë qytet të ndalojë një çast; të marrë frymë. Jo nuk ka kohë, ndalesa është vetëm për të vdekurit. Qyteti ecte me ritmin e ditës edhe natën, kështu kishte qenë ndër kohëra e kështu do të ishte sërish. Mbylla perden, nuk ishte mirë të përgjoja të rinjtë teksa i përgjëroheshin njeri – tjetrit për dashurinë.
U vesha, mora çantën dhe dola, ndoshta nuk do të më jepej një rast i dytë të shëtisja natën, nën dëborë, rrugicave të qytetit magjik.
E ndjeja që po gdhihej, në horizont dukej që nata po shkrihej ngadalëme ditën. E habitshme, kisha ndenjur të gjithë natën jashtë; duart me ishin bërë akull e pothuajse kisha ngrirë. Këpucët me taka m’i kishin rraskapitur këmbët. Ç’më tha mendja kur dola që vesha pikërisht ato? U kujtova. Nuk kisha çfarë bëja, ato shkonin më shumë me çantën që mora me nxitim. Po pse pikërisht atë çantë? Në dollap kishte dhe shumë të tjera. Ohu, sa shumë pse? Sepse ajo çantë nxë më shumë ato që më duhen mua për një natë, si psh: parfum, peceta duarsh të lagura, të thata, kutinë e tualetit, një buzëkuq, një palë geta rezervë se mund të griseshin ato që kisha, kapuçin të cilin nuk di pse e vë, pasi gjithmonë përfundon në çantë, pastaj një bllok shënimesh, dhe një libër. Këto dy të fundit nuk e di as vetë se përse duheshin në atë natë, por asnjëherë nuk i dihej, fundja çanta prandaj ishte e madhe.
Ndihesha mirë, kisha parë aq shumë gjëra të cilat
nata m’i tregoi vetëm mua. Sytë po më perëndonin. Dëgjoja një zhurmë që s’më
linte të përqëndrohesha, duhej të gjeja rrugën e kthimit, tashmë ishte
pothuajse dritë. Flokët e dëborës që binin pa pushim nuk më lejonin të mbaja
sytë hapur, më në fund ja arrita: i hapa
Mos! Isha në ëndërr, alarmi i orës vazhdonte të binte pa pushim.
Ps. kur njeriu ka nevojë për një ëndërr ;)
No comments:
Post a Comment