Powered By Blogger

Wednesday, July 16, 2014

Harruar



Të harrohesh nga bota është diçka, por të harrohesh nga krijesa që ti i ke dhënë jetë është diçka tjetër. Kjo dhemb, e dhemb shumë në shpirt. Mos vallë harresa do të thotë të jetohesh kohët moderne?! Nuk do të doja të kisha fatin e saj. Fatin e kujt? Të një moshuara të ardhur para disa ditësh në Tiranë në kërkim të së bijës. Ajo nuk e dinte, nuk e mbante mend adresën e saj, apo mos ndoshta dhe më keq akoma nuk kishte qenë kurrë në shtëpinë e saj. Nuk dua të mendoj që plaka e shkretë kishte ngatërruar qytet, ndoshta vajza e saj nuk jetonte aspak në Tiranë, por në një tjetër vend. Ndoshta edhe nuk e kishte një vajzë, por mendja e saj prej plake i thoshte se dikur kishte patur një të tillë. Mbante mend ditën kur e lindi me aq shumë dhembje, ndaj duhej me patjetër të kishte patur një vajzë.
Nuk më doli nga mendja tërë ditën kur pashë lajmërimin për “humbjen e saj” në Facebook. Ajo kishte përfunduar në një rajon policie të kryeqytetit. Nuk dua të jap emrin e saj, pasi si ajo mund të ketë shumë, ndaj mbart mbi vete të tjerë emra që kanë të njëjtin fat. U tregova indiferente nuk komentova asgjë, fundja nuk ishte problem im, nuk e njihja fare as plakën e as të bijën nëse ajo vërtet ishte. Por ama nuk mund të mos më bënin përshtypje komentet që lexova në atë lajmërim të shkurtër. Edhe në këtë rast e kishte fajin shteti, po ç'faj ka shteti këtu, ndoshta ka shumë! Të tjerë thonin që e kishte fajin policia, e të tjerë adresa e së bijës së munguar.
Ndoshta faj kemi pak të gjithë ne, duke harruar që një ditë sa hap e mbyll sytë do të gjendemi në të njëjtën moshë, “plakja s’ka kthim”. Mua më tremb kjo fjali, unë nuk dua të jem e harruar. Më tremb fakti që im bir mund të iki larg, duke më lënë fillikat. A thua do të më marrë në telefon, apo të më sjellë një tufë lule për ditëlindje? Ndoshta as nuk do ta mbajë mend fare. Megjithëse ka kohë derisa të vi ajo ditë, më mire të merremi me plakën në fjalë, fundja dikush tjetër do të merret me hallet e mia.
Mos ndoshta të dyja nënë e bijë kanë dashur që të mos dinin ekzistencën e njëra-tjetrës, por pastaj nëna është penduar dhe e kërkon, kush e di çdo t’i thotë, të fundit fjalë.
Edhe gjyshja ime ka një telefon, ajo nuk i njeh as shkronjat e as numërat, por ama di ta hapë kur dikush kujtohet.  Sa mire që ne kujtohemi për të! Mendova edhe për të bijën e saj sesi mund të harrojë të ëmën, kur unë flas çdo ditë me mamanë time në telefon; di edhe sa herë ka patur dhembje koke, kur ajo me tregon natyrisht.
Por nuk di pse nuk i vura vajzës së saj edhe shumë faj. Nëse do të ekzistonin qendra për të moshuar, ashtu siç duhet vërtet të jenë, ndoshta dhe kjo nënë e vajza e saj nuk do të humbeshin e ishin pa adresë. Nuk do të bëheshin statuse në Facebook, material për shkrim në një blog që ndoshta askush nuk do ta shohë. Por edhe nëse qendra të tilla do të ekzistonin, me të gjitha standardet me çfarë do të paguajë e shkreta plakë; me një pension që ndoshta nuk i kalon 100 mijë lekë, e atëherë shteti paska faj. Paska vërtet shumë, përtej deklarave boshe që bëhen çdo ditë në televizor nga ministra që qeshin para kamerave, ky është realiteti ynë. Dikush e lë të harruar, dikush tjetër shkon më tutje dhe më keq duke e vrarë. Kjo vdekja fizike vjen e të merr, të hedh tutje në dy metra dhe, ndërsa harresa, pa nam pa nishan vret më tepër. Më lind në kokë një pyetje naive, nëse të moshuarit do të kishin vendin e tyre nuk do të bëheshin “barrë”, për fëmijën në këtë jetë kaq të ndërlikuar, besoj se do të shmangeshin të tilla ngjarje harbute. Por edhe nëse këto qendra, të cilat ne rëndom i quajmë me emrin jo dashamirës “azil”, do të ishin të përshtatshme, atëherë do të ngriheshim ne. Gojët e liga të “plakave të lagjes”, të cilat jemi unë dhe ti, nuk do të linin pa thënë : “Turp që bëri i biri ose e bija e filanit, lihet ai prind në azil?! Dhe ne që e mbanim në gojë për mirë”.  Nuk i dhashë dot asnjë zgjidhje, vetëm thashë me vete “sa mirë që atë kohë e kam ende larg”!

Saturday, July 12, 2014

Qesh, se s'mundesh dot të qash




“Mos”, - të duhet të ndërrohesh sërish, sapo t’u derdh kafeja, ishte ajo këmisha që dje kishe ndenjur një orë duke e hekurosur. Pikërisht ajo me 100 pala e rrudha që nuk e di se çfarë të tha mendja kur e bleve. E kur dita nis në këtë mënyrë, edhe përfundimi nuk pritet të jetë më ndryshe. “Een ongeluk komt nooit alleen”, - thonë holandezët, që shqip- shqip i bie: “kur vijnë, hapu derën”. Merr me nxitim një çantë të madhe me gjithë rrobat e fëmijës, që i ke përgatitur një natë më parë, e që i duhen për në kopësht. Sapo ke shtypur butonin e ashensorit kujtohesh që nuk i ke marrë këpucët që edukatorja të kërkoi një ditë më parë. Nuk ke më kohë të kthehesh.  Do të bësh një sy qorr nuk do t’ja zësh fare në gojë, -fundja le  të rrijë një ditë pa ato këpucë, kot nuk po paguan gjithë ato para, ke aq shumë gjëra për të bërë. Mbi të gjitha je tepër vonë.
Fëmija nuk bindet të ulet në karrigen e tij, e pasi ti përpiqesh me të mirë se me të keq nuk mundesh, më në fund ndez makinën. Kur nuk ke dalë akoma nga parkimi ndizet drita e verdhë.  Ke harruar t’i hedhësh karburant. Akrepat e orës sikur i ha njeri me shpejtësi, bëhesh akoma edhe më vonë. Le djalin me shpejtësinë e erës, edukatorja diç do të thotë për një ditë më parë. Ti ben një buzëqeshje pa kuptim, duke e lënë atë me gojë hapur pasi ato që po të thotë nuk janë fare për të qeshur, ikën gati me vrap. Ndalon në pikën e karburantit më të afërt, por jo nuk është e thënë Një gjyshe që mund të jetë rreth të 70-ve, e ka me nge, i duhen më shumë se 15 minuta të mbushë makinën me karburant, të paguajë paratë tek kasa, dhe kulmi është kur ajo ndalon tek makina e kafesë, pasi e rrufit një herë në vend, niset për tek makina e saj. Më në fund thua me vete, - ja hodha, - të erdhi rradha, do të lëvizësh. Ajo nis makinën kur ti sheh të shkuar “ You just pased by a girl”, - qesh; ç’mund të bësh tjetër. Ndonjëherë jeta duhet marrë kaq lehtë.
Për inatin tënd shefi shfryn të gjithë nervat e një natë të koklavitur me të shoqen. Kolegia e punës, kur të qëllon nga ato tipet që ju punon truri vetëm në një vend të pyet pa u ulur mirë për dicka që nuk kupton. Të vjen koka vërdall dhe thua se ku e gjen atë energji që flet në atë orë. Pasi mundesh t’i japesh një përgjigje jo ofenduse, zhytesh në malin e madh të punëve që ke lënë një ditë më parë. “Ah sikur t í kisha mbaruar dje”, - dhe pastaj kujtohesh që dje i le pikërisht me mendjen: “hajde se i bëj nesër”,- fillojnë të dhembin sytë, gjymtyrët, gjithçka.
Më në fund ora 5 duhet të ikësh, merr frymë thellë, iku dhe një ditë. Zbret shkallët e ndërtesës gati me vrap, ashensori është prishur, nuk ke më kohë të presësh. Nisesh, ndez radion, autostrada në të cilën ndodhesh ti është më e bllokuara, të duhen të paktën 30 minuta deri në daljen më të afërt. Nuk ke çfarë bën, të duhet vetëm të presësh. Mendon se në shtëpi të presin mijëra punë, “ah sikur të kishe mundësi vetëm të flije, pa e vrarë mendjen për asgjë e të zgjohesh në një ishull të qetë, ku uji i detit si kristal dëgjohet nën fërshëllimet e gjetheve të pemëve që bien mbi shezllonin tënd”. Për një çast ëndërron me sy hapur, kur sapo bëhesh gati të zhytesh në det, zgjohesh nga boritë  e makinave, shoferët e të cilave janë irrituar më tepër nga pritja jote.
Djali është në kopësht, është shumë vonë, kush e di sa do të kushtojë ajo orë e tepërt atje. Edukatorja flet për 100 prapësi që ai ka bërë, të duhet të ikësh, të presin një mal me enë për të larë, të duhet edhe të gatuash, zëri i saj të tingëllon i largët në sfond.
Kujtohesh që ajo tha që djali ka ngrënë, përpiqesh t’i japësh diçka, ai nuk do. “Si ka mundësi?! Ke blerë të njëjtat gota e pjata si në kopësht, ke qumështin më të shtrenjtë, jo aq të lirë sa e blejnë ata, dhe ai prapë nuk do”, - i jep fund do të lesh të flerë, nuk mundesh më!
Më në fund ndjen erën e çarçafëve të larë, sa të kanë munguar që nga mëngjesi kur ishe ndarë.

Tuesday, July 8, 2014

Një qytet, një burg, një jetë...

       
–  Kam burrin në burgun e Burrelit, - ia ktheu ajo, ndërsa kokën e mbante drejt xhamit se nuk donte të shikonte reagimin e tij.
Ai u gëlltit, siç bënin të gjithë, dhe më pas u çua nga vendi.
– Nanë, - iu drejtua një gruaje rreth të pesëdhjetave që rrinte në këmbë, - hajde ulu në vendin tim.
Ky veprim nuk e shqetësoi aspak, ishte mësuar tashmë.
 “Ai më mori biletën, më gjeti edhe vend në autobus, nuk ka pse të më interesoje më,"- mendoi me vete.
Pas më shumë se tri orë, nëpërmes një rruge të tmerrshme, nëpër kush e di sa kthesa, u shfaq qyteti. Ishte i bukur. Autobusi eci nëpërmjet një rruge që dukej se ishte hyrja në një ekuacion me shumë të  panjohura. Ai qytet ishte i rrethuar nga një mister i madh për hir të atij burgu famëkeq.
U habit kur pa se njerëzit ishin miqësorë. Për aq pak sa ndenji në atë vend, nuk pa asgjë të frikshme, përkundrazi, në dy anët e rrugës atomobilistike kishte pemë të shumta, me mollë. Dëgjoi zërin e dikujt që i shpjegonte një burri, që mesa duket po shkonte edhe ai për herë të parë në atë vend, se mollët, kur piqeshin, mblidheshin dhe shpërndaheshin nëpër shtëpitë e qytetit, sipas numrit të pjesëtarëve të familjeve. Njerëzit jetonin jetën të shkujdesur, pa e vrarë mendjen se jo shumë larg tyre treteshin shpirtra njerëzisht që s´kishin bërë asgjë të keqe, vetëm se nuk pajtoheshin me pushtetin.
Autobusi ndaloi në qendër. Vera, mori drejtimin drejt rrugës së burgut. Shumë sy e shoqëruan teksa lëshonte me dhembje këmbët drejt asaj ndërtese të madhe prej betoni ku mbahej Iliazi.
Një polic hijerëndë i hapi derën e burgut. Krisma që dha ishte e madhe, a thua se edhe dera e kuptonte se gjithçka ndodhte aty ishte e pazakontë, e tmerrshme, e frikshme.
Ai i hodhi një vështrim tinëzar, ndërsa qeshi me ironi nën mustaqet që dukej sikur i hante sa herë fliste. Takat e saj dëgjoheshin si padashje nëpër dyshemenë e atij korridori që iu duk i gjatë, sa një jetë. Ato jehonin më shumë për shkak të mureve prej betoni, nga të cilat mbahej fort fortesa se, mos e dhëntë perëndia,  nuk duhej as permenduar “të ikte ndonjë prej aty”.
Një qeli e hapur, e mbetur bosh. Ajo lëshoi sytë pa dashje: emra të gdhendur në mure, një WC e papastruar, kush e di sa kohë, një çarçaf kishte mbetur gjysmë i lidhur e, dukej sikur mbante ende pas vetes trupin e një ditëziu që kishte dhënë jetë para se Vera të shkonte aty. U tmerrua! E dinte që në burg nuk ishte e lehtë, por kurrsesi nuk e kishte menduar të tillë. Iliazi u habit, e priste. Për gjashtë muaj që nuk e kishte parë, ishte dobësuar shumë, ishte zverdhur.
“Jam ftohur”, - i tha.  
I kishte nisur shumë letra, por asnjërën prej tyre ajo nuk e kishte marrë.
Qelia e tij ishte e vogël, e ftohtë. Flinte në një dhomë ku edhe duhej të kryente nevojat e tij personale. Iu duk vetja egoiste që qahej aq shumë për shtëpinë e saj të varfër.
“Ai e ndiente, më paralajmëroi që ditë të vështira do të vinin, më kërkoi të kujdesesha shumë për Elmën, t’i flisja për të, t’i tregoja që i ati nuk kishte bërë asgjë të keqe, përveçse pa dashje kishte thënë një fjalë kundër “Partisë Mëmë”.
Kjo ishte hera e fundit që e pa Iliazin, ndërsa Elma nuk e pa më kurrë. Lajmin e vdekjes e mësoi nëpërmjet një letre, të zhubrosur, rreth një vit më vonë.

Shkeputur nga libri: "Mekati"