Powered By Blogger

Sunday, November 22, 2015

Tirana, para se të lagej nga shiu i ngrohtë i dashurisë



Këtë foto e ruajta sot me fanatizëm që në mëngjes. Më dukej si një rrugicë në Paris, apo në Bruksel, jo më duket e kisha parë diku në Amsterdam, në Romë a Milano. Ku e kisha parë vallë?! Jo, nuk ishte asnjëra nga këto. Ishte një rrugë e qytetit tim, një rrugë që e kisha shkelur kush e di sa herë. Unë nuk e dua vjeshtën, më mbush me trishtim. Por kjo foto më frymëzoi sot në mëngjes. Më tregoi se krahas gjetheve që vdesin, ka edhe ngjyra, ka edhe lule të gjalla që presin të nisen diku. Presin t’ja bëjnë të bukur ditën sot dikujt. Në këtë mëngjes të diele, në këto kohë të turbullta, mbushur plot me “zallamahi”, ku njeriu sheh në të gjitha anët me ankth e frikë, kemi nevojë për lule të freskëta, për drita e ngrohtësi.
Do të doja të isha dhe unë aty sot, e të ecja nëpër ato gjethe, nëpër ato rrugë. Janë gjethet e vendit tim. Ndërsa shikoja me nostalgji atë rrugë, të cilën e njoh mirë, në anën tjetër të Tiranës bëhej nami. E them me plot fjalën bëhej nami. Lana del nga shtrati; se mos hera e parë. Që në kohën time mbaj mend që Lana dilte nga shtrati. Madje në kohën time mbaj mend që na doli një herë nga shtrati edhe liqeni artificial, nejse tjetër muhabet ky. E pra një grusht ujë ju desh Tiranës e të mbytej me pështymën e saj. Lumi mori me vete ç’i doli përpara.
Pashë gjethet jashtë dritares së shtëpisë sime, ishin aty të patrazuara. Ndërsa shiu binte me një inat të madh. Ç'të kishte vallë? Dukej shumë i egërsuar. Hapa shpejt e shpejt internetin, thuajse nuk lashë gazetë holandeze online pa lexuar, dëgjova dhe radion. Asnjë përmbytje. ““Ua”, - thashë me vetë, - si është e mundur, gjithë ky shi, jemi dhe nën nivelin e detit e asnjë përmbytje?! Epo s’ka mundësi!”
Shiu i parë i vjeshtës i tregoi banorëve të Tiranës, që ky është kërcënimi juaj. Hallet s’kanë të sosur, përveç shiut, përmbytjes, nuk keni as drita more të uruar. Pyetja djallëzore ngre krye. Përse janë përhapur fjalë që ISIS do të sulmojë Shqipërinë? E nëse i bie ndërmend për Shqipërinë, do të thotë që në plan të parë është Tirana, se nuk besoj se, fjala bie njeh, për shembull Burrelin? Më duken më tepër fjalë boshe, fjalë për të hequr vëmendjen nga kanalet e mbushura plot e të papastruara, fjalë për të hequr vëmendjen nga ajo që është buka e përditshme. Fjalë për t'ju thënë: s'ka gjë se jeni me qirinj sonte, ashtu ësht një muhabet.
ISIS godet aty ku tërheq vëmendje, jo aty ku as pula s’ka gurë të hajë. ISIS godet aty ku ka jetë, ka drita, ka elegancë, gjallëri. Po ne çfarë ofrojmë për të tërhequr vëmendje?! Përveç përmbytjeve; errësirës, ftohtit, ankthit për të paguar faturat e bëra mal, ankthin e mos marrjes së rrogës në fund të muajit, ankthin që nëse sëmuresh, kë hall të qash më parë, më duket se tjetër nuk ofrojmë asgjë! 

Foto. Laureta Borri ;)


No comments:

Post a Comment