Powered By Blogger

Tuesday, October 13, 2015

Kur e ka ditëlindjen Bardhoshja?



Kush je ti moj çupëlinë që kërkon të dish të dhënat e biznesit tim? Për pak sa nuk i thashë: xhaxhi më fal për shqetësimin, por të betohem nuk i dua unë të dhënat, por Komisioni Evropian dhe Banka Qëndrore Evropiane. Ik moj dreq andej! - mbylli receptorin burri hijerëndë. M’ú duk sikur dëgjoja bufin që thotë: “do ti të të tregoj që bardhoshja ka ditëlindjen? Nuk ta tregoj!”
Nuk është përrallë e as zgjim nga ëndërra, por një e vërtetë e hidhur e realitetit tonë. Kam disa javë që po punoj mbi një projekt të Komisionit Evropian dhe Bankës Qëndrore Evropiane, për bizneset në Shqipëri. 
Unë jam vetëm ura lidhëse mes dy palëve, por për qamet se binden shqipet të të japin disa të dhëna, që jam e sigurtë që asaj të dashurës flokëverdhë, flokëkuqe apo jeshile kush e di sa herë ja kanë thënë me detaje madje. Megjithëse asaj nga një vesh i kanë hyrë e në tjetrin i kanë dalë, i mjafton vetëm numri i kartës së tij bankare. As nuk duan t'ja dinë biznesmenët shqiptarë edhe pse prezantohesh në emër të një institucioni si KE apo Banka Qëndrore Evropiane, sërish nuk luajnë nga mbrojtja e sekretit shtetëror: nuk japim të dhëna!
Kolegët e mi sllovenë e italianë e të tjerë si ata, e kanë aq të lehtë të mbledhin ato të dhëna që duket se s’janë asgjë më shumë vetëm se diçka normale e një punë rutinë 6 mujore e KE-së. E ndërkohë habitesh që sa herë i merr në telefon për të kërkuar plotësimin e të dhënave, përgjigjja që merr të le me gojë hapur. Të gjithë janë shumë të zënë me punë. Në mëngjes nuk kapet financa nëpër zyra, dakord unë e kuptoj që deri në 9:30 nuk kanë pirë ende kafen e mëngjesit, ndërkohë që unë e kam kafen time para kompjuterit e nuk mund të dal ta pi në lokalin poshtë zyrës time, pavarësisht se ka një pamje të bukur përballë, në qendër të Rotterdamit. E jo unë duhet ta pi kafen para kompjuterit tim, pasi duhet të bëj lidhjen me bizneset shqiptare, jo më kot të huajt vënë një kufi, apo deadline siç na pëlqen ta quajmë në gjuhën popullore.
Sa do të doja që vërtet njerëzit të kishin aq shumë punë sa thonë, kush e di sa mirë do të ishte sot gjendja ekonomike në Shqipëri. Një biznesmen pasi më kishte kërkuar disa herë ta merrja në orare të ndryshme, më në fund tha: “Më merr më vonë; jam në një drekë punë.” Megjithëse luftoja me veten, sërish e pandërgjegjshmja ishte më e forte, e para syve të mi, më shfaqej një njeri me barkun deri tek goja, që duhej të ishte në ato çaste që fliste me mua në periferi të Tiranës për ndonjë pulë me pilaf. Të tjerë të pyesin: çfarë përfitoj unë nga kjo? Zonjë dhe Zotëri, Bukra dhe Meti, përpara se të përfitosh, duhet edhe të bashkëpunosh.
E atëherë m'u kujtua Konica i gjorë tek “I dashur mik” thotë : “Në bëfsh gazetën me shkronja të mëdha, shqiptarët do të thonë se s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fletë të vogla, do të thonë se s’është gazetë, po libër; në e shtypsh me letra [germa-N.J] të holla do të thonë se s’këndohen dhe prishen sytë; në e shtypsh me letra të trasha, do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vende.”
Megjithatë ka edhe nga ata biznesmenë që të presin me kënaqësi dhe nuk e kanë fare problem të të japin disa të dhëna. Madje janë shumë bashkëpunues. Janë pak, e di, por unë shpresoj që ky numër do të jetë më i madh në 6 mujorin e ardhshëm të raportit të KE-së.

Tetor 2015

No comments:

Post a Comment