Isha në plazh sot. Do thoni ju; kjo nuk është gjë e re, në
verë të gjithë njerëzit shkojnë në plazh. Në fakt kështu ndodh, por në
Rotterdam plazh me temperaturë mbi 30 gradë është gjë e rrallë, ndaj them: isha
në plazh sot. Po vërtet atje isha. Por sot për herë të parë më vinte zor të më
pyesnin se nga isha. Flisja shqip; unë gjithmonë flas shqip me shqiptarët, flas
shqip dhe me fëmijët e mi, por sot flisja shqip me zë të ulët. Sot më vinte zor
të thoja që jam shqiptare. Kur ndodhi masakra e pak ditëve më parë në Tunizi i
thashë vetes: po këto njerëz ç’duan që shkojnë aq larg në plazhe?! Nuk i kuptoj
fare, ju ku është Shqipëria. Të merr avioni nga Heathrow për tre orë të dërgon
si kokrra e mollës në Tiranë. E prej andej të duhet pak sa të shkosh deri në Vlorë
e Sarandë, meqë Durrësin e lëmë tashmë mënjanë.
Por jo, sot kuptova që paskam
menduar gabim, ne shqiptarët qenkemi më keq se ata. Viktimat në Tunizi nuk u
vranë nga tunizianët, por nga kriminelë terrositë, nga njerëz që po i lufton e
gjithë bota. Ndërsa ne vramë ditën me diell, dy njerëz që erdhën të shpenzojnë
ca para në vendin tonë, dy njerëz që shpërndanin foto të bukura nga vendi ynë,
për t’ju thënë të tjerëve: hajdeni! Shikoni sa bukur është këtu!
Jo mos hajdeni
madje ikni larg nesh, ne duket sikur jemi të mallkuar, çdo gjë që nis e bukur
duam ta vrasim. Jo mos hajdeni, ikni larg nesh, ne vrasim! Fjali e urryer. Ne
vrasim. Turp! Nuk di çfarë ka mbetur më për të thënë. Nuk dua të them që varfëria
të çon në këtë derë. Jo! Varfëri ka patur gjithmonë në Shqipëri, edhe në kohën
e Migjenit, dhe në kohët më përpara. Po kurrë nuk kam lexuar e dëgjuar që shqiptari,
e aq më pak një malësor të presë dikë në besë, të vrasë mikun në shtëpinë e
tij, më kafshatë buke në gojë. Them me kafshatë buke në gojë, sepse ata erdhën
për të ngërnë në shtëpinë tonë të madhe në Shqipëri. Erdhën dhe për të na lënë dy
para më tepër ne, e kështu pak këtu e pak atje ne mund të rimëkëmbemi.
Në vend
që t’ju themi: faleminderit që erdhët tek ne e nuk zgjodhët plazhët e bukura të
Spanjës, Italisë apo rivierën e bukur franceze. Jo ne nuk dimë të themi
faleminderit, ne dimë të vrasim. Sa turp teksa i shkruaj këto fjalë, sa pikëllim!
No comments:
Post a Comment