Kot
nuk ka thënë i pari që faji mbetet jetim. Nuk kam shkruar asnjëherë për çfarë
ndodhi katër vjet më parë dhe as nuk mendoja se do të shkruaja për të një ditë.
Kjo për faktin jo se nuk me vjen keq për jetët e katër njerëzve që ikën si të mos
ishin kurrë, por për arsyen se nuk e kam kuptuar asnjëherë një pazar të tillë
politik. Kjo nuk do të thotë se i kam kuptuar të tjerët, që siç i thonë
shprehjes “të vrasin natën e të qajnë ditën”, por të paktën pazaret e tjera
politike kanë qenë të lidhura me interesa të ngushta, të ulëta të tipit “më jep,
të të jap”! Mungesën e atyre
hallexhinjve të mjerë që u gënjyen e dolën në shesh, e ndjejnë sot; gruatë që s’ka
burrat në shtëpi, fëmijët që kanë nevoje t’i thërrasin edhe një herë “baba”, nënave
ju rëndon një dhimbje e madhe në shpirt.
Të
tjerët bëjnë paradën e rradhës, fjalime e sharje pa fund. Gjithëkush i hedh
fajin tjetrit, a thua që ajo që ndodhi më 21 janar të vitit 2011, është një
ngjarje aq e largët sa duhet treguar me fillime të tilla: “Na ishin një herë,
katër burra që u vranë m ú në mes të Tiranës, në ditën me diell, në sytë e të
gjithëve e ndërsa kanë kaluar katër vjet e të gjithë e dinë se kush ishte
fajtori, të gjithë bëjnë dy sy qorr e dy veshë shurdhë.” Po përpiqen aq shumë të
gjejnë fajtorët e vërtetë të ngjarjes sa duket sikur po kërkojnë gjilpërën në
kashtë, kur gjilpëra ka dalë nga kashta e ka marrë dhenë, madje nuk është më as
gjilpërë, por tra që e shohin të gjithë.
Përse
qenka kaq e vështirë për të vënë para drejtësisë njerëzit që bënë një krim të
tillë? E kur nuk vihet drejtësi për një krim që e panë të gjithë, atëherë si
mund të kërkojmë drejtësi për krimet që një Zot e di si kryhen, që edhe CIA do
ta kishte të vështirë. Sa të vështirë e ka njeriu të jetojë në një shtet, që del
në një protestë e mbetët përgjithmonë aty, në Bulevard. Ç’rëndësi ka se nga
kush u nxit, apo çfarë u premtua, ata duhej të ishin kthyer në shtëpi atë natë
si gjithë të tjerët.
Kam
parë sharje e komente pa fund ndaj gruas së njërit prej viktimave e cila ishte
e vendosur ta çonte çështjen deri në fund. Se ne kemi në gjak që në vend që ta
bindim tjetrin me fakte dhe argumente e kemi më të udhës të shajmë e të ulërijmë.
Të dyja këto kërkojnë; më pak përgatitje, më pak punë, e ne punën nuk e kemi
aspak me qejf e ndaj i biem rrugës më të shkurtër. Ajo që të vret sytë sot, janë deklaratat boshe
të politikanëve shqiptarë që pa pikën e turpit e hedhin “topin” sa në një anë në
tjetrën. Zgjedhjet vendore kanë ende 6 muaj kohë, ndaj ju duhet të mbledhin
votat. Dikush zgjedh të fajësojë të dyja forcat politike për 21 janarin, një
palë tjetër hesht, dikush tjetër vë lule. Po në fakt kush nga këta i vrau ata të
mjerë? Sigurisht as unë, e as ti që ndoshta po e lexon këtë shkrim, por vetë
ata që e përdorin këtë datë se herë ju teket e sa herë ju duhen vona.
No comments:
Post a Comment