Dhe dritat janë ndezur prej kohësh në qytet, e unë nuk
i kisha vënë re. Mbrëmë teksa përpiqesha t’i largohesha të ftohtit, ngrita kokën
për ta larguar erën e marrë që më përplasej gjithë inat në fytyrë, vetëm atëhere
kuptova që ishte “Christmas time”. Për herë të parë në jetën time, kjo kohë më
kishte kaluar pa vënë re. Rregullova për merak dhe bredhin dhe sërish nuk
ndjeva atë gëzim prej fëmijë që ndjeja dikur. A thua të jem rritur vallë?! Nëse
të rritesh ka këtë kuptim atëherë nuk dua të rritem, dua të mbetem një fëmijë! E gjeta çfarë t’i kërkoj babagjyshit “Dua të
jem fëmijë”, kështu nuk do të më shqetësojë fakti se përse Ganiu që jeton përballë
nesh ka një makinë të bukur, megjithëse kur i duhet të shkruajë një letër, vjen
i thotë babait tim. Nuk do të më shqetësojë as fakti që megjithëse i paguan
rregullisht faturat e energjisë eletrike, ajo mungon, pasi ndoshta Nazmia nuk
ka paguar asnjëherë në jetën e saj.
Po veza? Veza ç’hyn këtu? Asgjë më shumë e asgjë më
pak se rritja e çmimit të saj. Po fundja punë e madhe: nuk do të ha vezë në mëngjes,
nuk është se i kam patur ndonjëherë qejf, mund të bëj edhe pa të. Po prit veza
u dashka për shumë gjëra, do të mbetemi pa bakllava. Unë as bakllavanë nuk e
ha, kështu që nuk e dua vezën. Jo për gjë po kur vjehrra tha se është rritur
çmimi i vezës, mendova me vete se si vjehrrë që është gjithmonë ankohet, se
njeriu mund të bëjë dhe pa vezë. Por jo nuk qenka aq e lehtë puna, se veza vërtet
e vogël është por punën e bëka të madhe. Se na duhen ëmbëlsirat e bëra më vezë,
po edhe supa si ajo e Jovan Bregut me vezë e limon bëhet. Nuk jam eksperte e
mirë e fushës së gatimit, por sidoqë të jetë veza na u dashka shumë. Po punë e
madhe po të isha fëmijë do të shpëtoja nga thirrjet e mamit: haje vezën, pijë
qumështin. Po çmimi i qumështit është rritur? Nuk e di, ups u dashka të pyes
vjehrrën sërish, ja një arsye e mirë për të folur sërish me të. J E lista e gjatë nuk mbaron; po të isha fëmijë nuk do të më shqetësojë as
fakti se pas shumë pritjesh të gjata për nisjen e Masterit, pashë edhe shumë fytyra që mendoja se nuk do të
kishin arritur të kalonin as vitin. Po edhe se kush do të vërë dhuratat poshtë
bredhit të krishtlindjeve, nuk do ta vras mendjen, se desh harrova me këtë pjesë
a nuk merret “babagjyshi”, pra unë mjafton të bëj listën gati. Se po të jesh fëmijë
nuk arrin të kuptosh se jeta ikën duke vrapuar sa larg-poshtë në autobus,
metro, e me ç’të mundësh. Nuk të shqetëson fakti se thinjat shtohen çdo ditë
teksa shikohesh tek pasqyra e ashensorit në mëngjës. Nuk di as çfarë të bësh me
thinjën që ka ngulur rrënjë aty, ta presësh apo të inatosesh me të. Sido që të
bësh thinja do të dalë e fituar. Pasqyra e ashensorit? Natyrisht! Pasi ti do të
jesh gjithmonë e fundit në rradhë.
Përfundimi: dua të jem një fëmijë, - jeta duket me bukur më sytë e tij.
Përfundimi: dua të jem një fëmijë, - jeta duket me bukur më sytë e tij.
No comments:
Post a Comment