“Dje na doli loti i parë.
Pse nuk treguam dje? Po sepse dje mami nuk pati mundësi të ulej për asnjë çast,
pasi unë Ayden Maximus po qaja shumë. Dhe kur mamit i erdhi koha të ulej ishte
aq e lodhur se nuk mund të mbante sytë hapur. Sot, edhe sot u zgjova herët siç
bëj gjithmonë, nuk është se dua, por herë kam uri, herë më dhemb barku e herë
nuk e di as vetë përse qaj. Por sot e di përsenë. U zgjova herët se doja t’i jepja
mamit kohë të shkruante diçka”.
Kështu besoj se mendon
Ayden Maximus sa herë zgjohet nga gjumi. Do thoni ju pse nuk mbajmë mend buzëqeshjen
e parë? Sepse Ayden qeshi që ditën e parë që lindi, por unë nuk jam e bindur nëse
qeshi me mua, ndoshta qeshi me engjëjt, (siç thuhet shpesh për bebet), ndoshta
qeshi pasi u ndje mirë nga lirimi i gazrave të shumtë që sillen në barkun e tij
të vogël e nuk e lenë rehat. Por lotin e parë e pashë mirë. Ishte një “shkulm”
qumështi që nuk ja pranoi stomaku e i erdhi sërish mbrapsht. Kjo e vrau beben
time të vogël e ndaj na doli dhe loti i parë. Pse po shkruajmë për lotin e parë?
Po sepse më duket se bebja ime u rrit. A nuk qajmë me lot vetëm ne?
Pse nuk shkrova për
lotin e parë të Joël Amadeus? As vetë nuk e di. Ndoshta isha shumë e shqetësuar
e më ikën pa parë disa gjëra. Gjithçka ndodhte përreth nesh ishte shumë e
madhe, më dukej vetja se diç kisha bërë; diçka që nuk e kishte bërë askush: një
fëmijë. Por teksa ditët kalonin pyesja veten: a nuk kanë lindur të gjithë fëmijë?
(me përjashtime të rralla) E gjithë bota lind fëmijë, madje gjyshja ime ka
lindur 7 të tillë, e nuk ka thënë kurrë që ka bërë diçka të jashtëzakonshme.
Madje nuk ndihmohej nga askush, në lindje nuk merrte asnjë qetësues e nuk
kishte askënd tek koka e sërish nuk e dëgjova të ankohej kurrë.
Ndërsa unë kujdesesha
deri në detaje, sterilizoja gjithçka, i jepja qumështin, vitaminat, në orare të
caktuara, pa kaluar asnjë minutë më shumë apo më pak. Ato ditë edhe bota kishte
ndryshuar, nuk ishte më e njëjtë. E teksa përpiqesha të bëja këto gjëra, e
humba lotin e parë. Tani jemi më të qetë dhe jam e lumtur, e lumtur pasi po shijoj çdo gjë që më jep Ayden
Maximus që prej ardhjes në këtë jetë.