Powered By Blogger

Thursday, September 11, 2014

Pa brirë je mbret




Sinqerisht nuk dua të shkruaj, nuk dua të them asgjë, e sërish nuk mundem të rri larg kompjuterit. Është një tundim i brendshëm, sëmundje e hershme, për të thënë diçka, nuk rri dot pa folur, nuk di nga kam ngjarë. Nuk kam asgjë të rëndësishme, të gjitha janë thënë e shkruar nga të tjerë më parë. Pastaj nëse vras mendjen për të shkruar diçka për çfarë do ta bëja? Për faktin që sa herë hap televizorin të shohësh diçka të bukur për të nisur ditën ndryshe, të del fytyra e Fullanit më shokët që i bëjnë komentet nga pas. Apo mos duhet të shkruaj për lajmet makabre që sheh. Nuk mund të shkruaj për një baba që përdhunon, një djalë që vret, një nënë që mbyt foshjen e saj, një vajzë që vret veten, një djalë që gjendet i mbytur në kanal, shumë aksidente e shumë të vrarë. S’të frymëzon asgjë. Nuk shquhem se flas me fjalë të mëdha, as të shkruaj me fjalë banale, kam përshtypjen se këto dhe më penalizojnë. A nuk shkruajnë të gjithë kështu, a nuk shajnë pa nam e nishan vetëm e vetëm që dikush t’í lexojë. Kjo më kujton shprehjen e famshme të filmave tonë të dikurshëm: “pa brirë ti je mbret, pa brirë je pasha, pa brirë është dhe moda”, pra shaj je “trendy”, je “fashion”. Ja i përdora dhe unë dy fjalë të huaja sa për të prishur syrin e keq.
E ndaj mendjen, ulem në kafenë e bukur buzë rrugës në Champs-Élysées. Shikoj në portofol; po ma nxë xhepi një kafe. I bëj pyetje vetes se çfarë dua aty? Po prapë pyetja, meqë nuk merr përgjigje largohet. Fundi i fundit pse duhet të kem gjithmonë një përgjigje gati. Është bukur aty. Përpara të bën përkashi një dyqan me rroba të Gucci-t, por as nuk ja kam ngenë të futem brenda. Shumë - shumë një foto për ta patur kujtim nga jashtë vitrinave kur të dal.
Nuk lodhem kurrë së pari këtë vend, është bukur, shumë bukur, por dhe frikë. Frikë, po nga çfarë? Nga gjithçka! Një vend kaq i bukur, duhet të jetë medoemos edhe i frikshëm, si ja bëjnë këta njerëz që jetojnë këtu? Sa mirë që vij vetëm për një kafe, në darkë duhet të kthehem sërish. Makina ima “mazda”, e shekullit të shkuar është parkuar në një nga rrugët dytësore. Nuk ma bënte zemra të futesha nëpër këto rrugë luksoze më një makinë të tillë, mos e thëntë Zoti të këputej ndonjë hekurishte e të mbetem si guak m’u përballë “Harkut të Triumfit”, si një visitor i paftuar.
Më në fund kuptohem edhe me kamarierin me anglisht e tij, të posaçme, të çalë. Gjithmonë i kam thënë vetes se duhet të mësoj pak frëngjisht, e gjithmonë porsa iki nga rrethinat e Parisit harroj, por ama e di se një ditë do ta bëj një gjë të tillë.
Mendimet e mia dështake i prishën të qeshurat e Teutës dhe Vasilikës. Sa kohë kishim pa u parë! Vite të shkruara që nga koha kur u larguam nga Qyteti, atëherë i bukur, Studenti. Ishim më të rritura, me ca thinja më shumë në kohë, por ruanim të njëjtën dashuri. Sa mall!
Kishte kaluar shumë kohë që prej asaj dite kur u ndamë. Ju kujtohet dita e fundit kur duhej të jepnim provimin e diplomës? Mua më ishte bërë trupi prush me pulla të kuqe nga emocionet, më bletë ujë, megjithëse unë nuk piva thuajse asnjë gllenjkë. Ne u diplomuam, pavarësisht sa vlerë ka sot. Sa shumë u lodhëm, sa netë pa gjumë. Si nuk paguam xhanëm për një provimin të vetëm, të shikonim dhe ne ç’do të thoshte të kaloje vitin duke bërë “pallë ariu”, fundi i fundit paratë prindërve do t’ua merrnim. Sot nuk kemi as çfarë tregojmë e as me çfarë të mburremi. Nuk është heroizëm të studiosh, në kohërat moderne është më mirë të mashtrosh. Kështu do të kesh një punë të mire, makinë, shtëpi, e para plot.
Ju kujtohet kur u zgjuat nga gjumi për shkak të zhurmës që bënin lotët e mi, mbi furnelën tonë elektrike të lidhur me tela kush e di sa herë. Nuk e kuptoj as sot si nuk shpërthente ajo kuti e vogël metalike e ta na bënte shkrum. Ishte ora 3 e natës kur unë qaja duke lexuar “te mjerët”, e Hugoit. Ju kujtohet kur më thatë që ta mbyllja librin, “të mjerët”, nuk do të shkonin asgjëkundi, por unë si prej veriu që jam nuk bindem lehtë. Ju kujtohet kur ju thashë që burri im i ardhshëm duhet ta ketë lexuar patjetër atë libër. Unë kam harruar ta pyes… Sa shumë gjëra më erdhën më mendje sot, teksa pija kafen me ju në Champs- Élysées.
Asgjë nuk qenka e pamundur, imagjinata është më bukur se realiteti i ngrysur që na ndan. Ju as nuk e dinin sa shumë gjëra biseduam, sa shumë gjëra mbanim fshehur gjithë keto vite pa thënë.
Hapa sytë që mbaja mbyllur me vetëdije për një kohë të gjatë. Isha bërë vonë. U ngrita, mora çantën dhe dola. Edhe ju u zhdukët bashkë me ëndërrën që vetë kisha krijuar.

No comments:

Post a Comment