Powered By Blogger

Monday, June 18, 2018

E paftuara


via GIPHY 


Ajo kishte zënë vend në kokën time, pa më pyetur fare. Isha e sigurtë që dje në mbrëmje nuk e kisha. Marr një tufë flokësh që dukeshin më të zeza dhe i hedh mbi të; për ta mbulur. Por zbulova dhe ca të tjera që qëndronin nën hije të fshehura. U dorëzova. I lashë ashtu sic ishin dhe u nisa drejt kuzhinës. Ndez aparatin e kafesë e ndërsa pres lëngun e zi të rrjedhë prej aparatit “nespresso”, vë në sfond këngën e Whitney Houston “Could I have this kiss forever”.
Me filxhanin e kafesë në dorë drejtohem nga dritarja. Po bie shi. Duket si nje ditë dimri. Ca pika janë ngjitur e bërë njësh me xhamin, nuk lëshohen nga njëra – tjetra, a thua se janë në dashuri të përjetshme. Si në këngë “përgjithmonë”. Mbyll sytë. Kënga më con shumë vite larg, atëherë kur nuk kisha nevojë për shampo profesionale apo kremëra me vaj hashashi, që po përdor kohët e fundit. Ishte një herë e një kohë që e dëgjoja shumë këtë këngë në një dhomë të vogël në Qytetin Studenti. Ishte një radio e prishur, me dy tela të zhveshur, që i fusnim në prizë me mund. Kontakti herë u bënte mënjeherë e herë na duhej ta provonim disa herë. Mbaj mend që dorëzohesha shpejt dhe filloja e këndoja vetë. Radioja e dhomës sonë ngjante me shumë me një bombë me sahat, sesa me një radio, megjithatë punën e bënte. Dëgjoja shumë këngë atëherë, e lexoja shumë libra. Kisha dhe më pak thinja. Ndërsa tani dëgjoj më pak këngë, e shoh më shumë lajme. Ja vura fajin këtyre të fundit për thinjat e shtuara në kokën time. Nuk ka si të jetë ndryshe, pasi libra lexoj edhe tani, ndoshta edhe më shumë se më parë. I lexoj ndoshta me sy më kritik. Sa do të doja të kisha ditur t’i lexoja në këtë mënyrë edhe atëherë!
Rrufis dhe një herë filxhanin e kafesë dhe shoh që bulëzat e ujit në xham nuk janë më të tilla, por ngjajnë me rrëke të vogla. Sa e cuditshme është jeta, - mendova. Është aq e shkurtër, ja sa një pikë uji, nis si një bulëz, më pas nëse i jepet mundësia, ka priveligjin bëhet edhe rrëke, e me të dalë dielli avullon e zhduket. Mirëpo bulëza nuk e di këtë cikël, ndaj besoj se nuk e vret mendjen për këtë gjë. Ndërsa ne e dimë, por edhe ne nuk e cajmë kokën…
Shiu që godet xhamin me zgjon nga ëndërrimet. Nuk jam më në dhomën e largët në qytetin studenti dhe kënga ka mbaruar. Nuk dua ta rivë; asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Gishtat e dorës së majtë, qe ngjajne me teper me nje sfurk qe kerkon te heqe nje bar te keq, i fus në flokë dhe marr frymë thellë. C’mëngjes i cuditshëm, - mendoj sërish. E di që thinjat janë sërish aty, por për cudi nuk më bëjnë më përshtypje. Në mëndje më vjen një shprehje e Richard Gere: “Mos u trishto se po plakesh, është një privilegj që shumë të tjerëve i është mohuar”. Është privilegj”, - i flas vetes me zë dhe qesh. Hap dritaren dhe nxjerr kokën jashtë. Pikat e shiut bien mbi fytyrën time e mbi flokët e mi gjysmë të bardhë. Marr frymë sërish derisa era e tokës që shiu ka nxjerrë në pah më futet thellë në mushkëri. Duket sikur natyra më flet. E lë vetën të lirë, ato pika shiu që prekin lëkurën time sikur janë magji. “Pas shiut dielli shkëlqen sërish, ti merr frymë dhe kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë botë”, një zë i brendshëm me flet…
Kthej me fund dhe atë c’ka ka mbetur nga kafja ime e ftohtë dhe qesh. Është bukur të qeshesh, e kam zbuluar vetëm kohët e fundit këtë gjë…


PS. Paci një të hënë të mbarë!

No comments:

Post a Comment