U nevrikosa shumë me Virginia Woolf kësaj rradhe. Madje,
e mora dhe inat. Kur e kisha lexuar shumë vite më parë në universitet, nuk më
kishim bërë përshtypje të mëdha detajet me të cilat ajo e pëshkruante Londrën.
Ndoshta isha tepër e re në atë kohë e, era e rinisë që më kishte rrëmbyer të tërën,
m’i fshinte pa dashje, gjërat që duhej të kisha parë. Në fakt shpejt e kuptova
që mërzia ime nuk ishte gjë tjetër, vecse një xhelozi e brendshme. Një xhelozi për gratë e vitit
1920, që visheshin bukur e dilnin rrugëve të Londrës deri natën vonë. Askush
nuk i kërcënonte, askush nuk i ngacmonte (të paktën në libër). Ishin të lira të
dashuronin, ishin të lira të lexonin dhe të pëlqenin kë të donin. Po, u mërzita, pasi edhe sot e kësaj ditë në vendin tonë, vajzat dhe gratë vriten në emër ‘të
dashurisë’. Vrasja e fundit a nuk ndodhi mbrëmë?! Ne i vrasim gratë me c’të na
dalë përpara: armë, sëpatë, thikë, lugë, pirun etj. I përdorim, sikur të ishin
qenie pa shpirt e, mund te bësh c’të duash me to. U mërzita me Virginia
Woolf-in edhe pse prisja që njëri prej personazheve duhej (sipas mendjes sime) të
vriste tjetrin, për faktin e thjeshtë se pse nuk e dashuronte më; as kjo nuk
ndodhi. Pyeta veten si ishte e mundur një gjë e tillë në vitin 1920?! Pasi unë
bëj c’bëj i hedh sytë nga Shqipëria ime dhe aty vritet një grua pothuajse cdo
ditë. Bilanc tragjik; bilanc lufte.
Po, po u nevrikosa me
londinezet e pafajshme të dy shekujve më parë që bridhnin si tua kishte qejfi. Në
fund të fundit, përse të mos bridhnin; a nuk kemi ardhur në këtë jetë të gjithë
të barabartë, me të drejta zgjidhjeje po të barabarta?! Por, unë sërish u
nevrikosa, pasi kujtova kohën kur isha fëmijë dhe prisja me padurim gjyshen
time, mbaj mend që koka e saj e bardhë shfaqej gjithmonë disa hapa pas gjyshit.
Ata kurrësesi nuk mund të ecnin krah për krah. E ndaj s’më dilte inati me
personazhet e Woolf-it, që endeshin nëpër parqet më të bukura të Londrës. Ata dashuronin,
ëndërronin, pinin caj, flisnin për hënën dhe për yjet - edhe pse ato mezi i
dallon nga mjegulla dhe shiu që s’ka të sosur në Londër. Personazhet e Woolf-it
flisnin për librat e lexuar; për poezinë edhe për Shekspirin. Ndaj e mora prapë
inat. Mbaj mend rrugën e fundit që bëra me avion në Tiranë, të vetmit që
lexonin ishin disa të huaj. Nuk pashë asnjë nga ne me libër në dorë. Edhe unë që
kisha marrë me vete një libër, për të bërë si e huaj, më rrëmbeu vala dhe e
futa sërish në cantë; nuk lexova asnjë gërmë. Pra, ku ta marr një personazh
timin që lexon?
Mërzia ime ishte xhelozi,
për omnibusët e vitit 1920, në të cilët ata, londinezët, bënin xhiro netëve
gri, nëpër Londrën e trazuar me shi. Sec m’u kujtuan autobusët cek, të viteve të
komunizmit që sapo të vije këmbën në të, t’i sillte zorrët në grykë. Ishin
vitet e mia të fëmijërisë, shumë larg viteve të personazheve të Woolf-it, që lëviznin
me taksi dhe omnibus. Ca kujtime të trishta, nuk të shqiten nga mendja kollaj.
U nevrikosa edhe për faktin që personazhet e Virginia
Woolf, në rastin më të mirë që nuk gjenin taksi të lirë, i drejtoheshin metrosë
së Londrës. Kërkova me sytë e mendjes për metronë, apo tramvajn e shumëpërfolur
në Tiranë dhe prapë se prapë, nuk e gjeta. Bëhet fjalë për vitin 2018. Ja më
thoni ju, a kam të drejtë që marr inat dhe mërzitem me Virginia Woolf. Me cfarë
ta lëviz personazhin tim nga Tirana në Durrës dhe anasjalltas, nëse udhëtimin
dua ta bëj romantik, sic është ai tek filmi: ‘Romancë në trenin Orient Ekspres’.
As tren nuk gjeta, në sytë e mendjes sime! M’u kujtuan ata trenat e dikurshëm;
më duket kishin një ngjyrë jeshile të shpëlarë. Kam pasur dhe kënaqësinë e madhe
të shkoj në plazh me tren e, kam ndjerë sesi era lozte me flokët e mia sa herë
nxirja kokën në dritare. Cfarë kohe! Të paktën unë i mbaj mend. Motrës sime - e
lindur pas viteve në ’90 - udhëtimi me tren nëpër Shqipëri, i duket si ato përrallat:
na ishte një herë!
Dhe ndodhi ajo që nuk
duhej të ndodhte. Ktheva dhe faqen e fundit të librit ‘Natë dhe Ditë’ dhe e
pashë veten të dashuruar për herë të dytë, të tretë, të katër; e kush e mban
mend, me Londrën e Virginia Woolf. Ka dicka të vecantë në atë qytet; në
rrugicat dhe sheshet e tij kanë ecur dhe shkruar shumë poetë.
No comments:
Post a Comment