Mendja
e saj ishte bërë si një rrjetë merimange. Jeta i ishte ngatërruar në një
labirinth, të cilin ajo nuk dinte ta zgjidhte. Zogjtë pushuan së cicëruari
dhe njerëzit shkelën pa mëshirë gjethet e pemëve në trotuar. Stinët ja
lanë vendin njëra – tjetrës, e gjithcka në qytet ndryshoi. E, kur sythat e
luleve, sapo kishin filluar të nxirnin krye nëpër male, bebja e saj e parë,
erdhi në jetë. Ajo ndjeu aromën e saj, i preku gishtat e vegjël e, i puthi sytë
e mrekullueshëm. Ishte gjaku i saj, fryma e saj, krijesa e saj perfekte.
Por
castet e bukura në maternitet, ja lanë vendin të qarave pa fund dhe netëve pa
gjumë. Kishte më shumë se dy javë që pothuajse nuk dilte fare nga shtëpia. Aty
këtu kapte ndonjë orë gjumë; ku të mundej, e kur të mundej. Nëpër dhomën e saj
të gjumit, vinte era qumësht, dhe pelena të palara bebeje. Atë mëngjes, i shoqi
u ngrit, veshi një palë tuta dhe me flokët të cakërdisura dhe pa i thënë as mirëmëngjes,
u nis drejt kuzhinës. E vogla atë ditë mbushte 3 muaj që kishte ardhur në jetë,
por sic dukej ai e kishte harruar, sic kishte harruar shumë gjëra të tjera. Do të shkoj të takoj Sarën,
mendoi Ina, në të qindën e sekondës. Dhe duke mos dashur që t’i ndërrohej
mendja, veshi shpejt e shpejt Dean. Kontrolloi cantën, dhe u siguruar që kishte
marrë gjithcka me vete: qumështin e bebes, dy palë ndërresa ekstra dhe një
batanije të hollë. Thonë që bebet kanë ftohtë edhe në verë. Më pas, e vuri vajzën
me kujdes mbi krevatin e saj dhe hodhi shpejt e shpejt mbi krye një bluzë të
hollë - të vetmen që kishte të hekurosur - dhe ja lejoi vetes dhe një fund pak
fare mbi gju. Shkoi shpejt e shpejt një krëhër mbi flokë dhe i zuri ato bisht
pas koke. Për të mos u ndeshur me sytë kritikë të të shoqit, tualet nuk vuri
fare. Po të mos e shikonte njeri me Dean në krahë do të merrnin për ndonjë
studente që po nxitonte për të kapur orët e leksionit.
– Ku shkon më atë fund aq të
shkurtër? – dëgjoi ajo zërin e të shoqit, sapo doli nga dera e dhomës se gjumit. Me bisht te syrin ajo pa nofullat e tij të kërcyera nga inati.
– Do të takoj Sarën, kam pothuajse që
kur kam lindur që nuk e kam parë. Dhe një ditë që erdhi në shtëpi, këtu ishte
plot dhe ajo ndenji pak.
– Sarën? Të kam thënë njëqind herë të
mos e shohësh atë të përdalë, sa herë duhet të të përsëris? – Ulëriu ai.
Mblodhi dorën grusht dhe ja përplasi Inës m’u në fytyrë. Një curril gjaku,
spërkati pelanat e vajzës, që nisi të qante me të madhe.
– Mos! Mos për hir të qumështit që të
kam dhënë, u dëgjua zëri i nënës së tij, që u shfaq pas shpinës së të birit. Ai
u kthye drejt saj, e pa me ca sy të zgurdulluar, a thua se donte ta godiste dhe
atë. Të dy gratë ishin mësuar me atë sjellje, gjithcka mund të ndodhte. Ai qëndroi
ashtu pesë sekonda, me dorën grusht, e më pas doli thuajse me vrap duke përplasur
derën pas krahëve të tij. Plaka psherëtiu, mblodhi krahët me njëri tjetrin,
sikur po i pushonte mbi gjoks, dhe bëri ca ecejakje nëpër dhomë. Më pas, u
kthye drejt Inës e cila kishte fshehur kokën në pelanat e Deas. I vuri dorën
mbi supin që i dridhej. Nisi të thoshte dicka, e pastaj ndaloi. Gjithcka mundi t’i nxirte, ishte një psherëtimë
e thellë. Ina ndjeu dorën e saj t’i largohej nga supi, dhe me pas dëgjoi hapa
të ngadaltë që po largoheshin nga dhoma. Shtrëngoi Dean fort, dhe nuk mund të
ndalonte lotët që i rrinin pa pushim mbi faqe. Zot, ku gabova?
Më pas u ngrit. Vuri pas qafës një
napë të laguar me ujë të ftohtë, për të pushuar gjakun, e kishte bërë kush e di
sa herë dhe e dinte që do të jepte rezultat. Pastroi mirë e mirë gjakun që i
kishte zaptuar fytyrën, ndërroi bluzën dhe veshi një më mëngë të gjata. E dinte
që do të kullonte në djersë, por nuk kishte tjetër. Hoqi fundin the veshi
shpejt e shpejt një palë jeans, për të shmanguar ndonjë të papritur. Arditi
mund të mbinte nga hici, dhe u nis me shpejtësi drejt derës kryesore.
Sytë e
plakës u përplasën me sytë e saj. Ina u step. Qëndroi ashtu për disa minuta, me pas lëshoi dorezën
e derës dhe u fut sërish brenda. Mbylli derën e dhomës pas vetes, mbeshteti
kurrizin pas derës dhe rreshkiti ngadalë drejt dyshemesë. Me mëngën e dorës së
djathtë fshiu hundët, lotët vazhdonin t’i binin mbi pelanat e vajzës. Sytë e
saj blu, kishin ndryshuar ngjyrë; ishin më të errët, si thellësia e një oqeani.
Ajo e shtrëngoi fort pas vetes dhe kafshoi buzën e poshtme për të mos ulëritur
me të madhe. “Ah, si nuk kam një grusht të fuqishëm,” ju kujtuan fjalët e Migjenit....
No comments:
Post a Comment