via GIPHY
Ajo kishte zënë vend në kokën time,
pa më pyetur fare. Isha e sigurtë që dje në mbrëmje nuk e kisha. Marr një tufë
flokësh që dukeshin më të zeza dhe i hedh mbi të; për ta mbulur. Por zbulova
dhe ca të tjera që qëndronin nën hije të fshehura. U dorëzova. I lashë ashtu
sic ishin dhe u nisa drejt kuzhinës. Ndez aparatin e kafesë e ndërsa pres lëngun
e zi të rrjedhë prej aparatit “nespresso”, vë në sfond këngën e Whitney Houston
“Could I have this kiss forever”.
Me filxhanin e kafesë në dorë drejtohem
nga dritarja. Po bie shi. Duket si nje ditë dimri. Ca pika janë ngjitur e bërë
njësh me xhamin, nuk lëshohen nga njëra – tjetra, a thua se janë në dashuri të
përjetshme. Si në këngë “përgjithmonë”. Mbyll sytë. Kënga më con shumë vite
larg, atëherë kur nuk kisha nevojë për shampo profesionale apo kremëra me vaj
hashashi, që po përdor kohët e fundit. Ishte një herë e një kohë që e dëgjoja
shumë këtë këngë në një dhomë të vogël në Qytetin Studenti. Ishte një radio e
prishur, me dy tela të zhveshur, që i fusnim në prizë me mund. Kontakti
herë u bënte mënjeherë e herë na duhej ta provonim disa herë. Mbaj mend që dorëzohesha
shpejt dhe filloja e këndoja vetë. Radioja e dhomës sonë ngjante me shumë me një
bombë me sahat, sesa me një radio, megjithatë punën e bënte. Dëgjoja shumë këngë
atëherë, e lexoja shumë libra. Kisha dhe më pak thinja. Ndërsa tani dëgjoj më
pak këngë, e shoh më shumë lajme. Ja vura fajin këtyre të fundit për thinjat e
shtuara në kokën time. Nuk ka si të jetë ndryshe, pasi libra lexoj edhe tani,
ndoshta edhe më shumë se më parë. I lexoj ndoshta me sy më kritik. Sa do të
doja të kisha ditur t’i lexoja në këtë mënyrë edhe atëherë!
Rrufis
dhe një herë filxhanin e kafesë dhe shoh që bulëzat e ujit në xham nuk janë më
të tilla, por ngjajnë me rrëke të vogla. Sa
e cuditshme është jeta, - mendova. Është
aq e shkurtër, ja sa një pikë uji, nis si një bulëz, më pas nëse i jepet mundësia,
ka priveligjin bëhet edhe rrëke, e me të dalë dielli avullon e zhduket. Mirëpo
bulëza nuk e di këtë cikël, ndaj besoj se nuk e vret mendjen për këtë gjë. Ndërsa
ne e dimë, por edhe ne nuk e cajmë kokën…
Shiu që
godet xhamin me zgjon nga ëndërrimet. Nuk
jam më në dhomën e largët në qytetin studenti dhe kënga ka mbaruar. Nuk dua ta
rivë; asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Gishtat e dorës së majtë, qe ngjajne me teper me nje sfurk qe kerkon te heqe nje bar te keq, i fus në flokë dhe
marr frymë thellë. C’mëngjes i cuditshëm,
- mendoj sërish. E di që thinjat janë sërish aty, por për cudi nuk më bëjnë më
përshtypje. Në mëndje më vjen një shprehje e Richard Gere: “Mos u trishto se po
plakesh, është një privilegj që shumë të tjerëve i është mohuar”. “Është
privilegj”, - i flas vetes me zë dhe qesh. Hap dritaren dhe nxjerr kokën
jashtë. Pikat e shiut bien mbi fytyrën time e mbi flokët e mi gjysmë të bardhë.
Marr frymë sërish derisa era e tokës që shiu ka nxjerrë në pah më futet
thellë në mushkëri. Duket sikur natyra më flet. E lë vetën të lirë, ato pika
shiu që prekin lëkurën time sikur janë magji. “Pas shiut dielli shkëlqen sërish,
ti merr frymë dhe kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë botë”, një zë i brendshëm
me flet…
Kthej me fund dhe atë
c’ka ka mbetur nga kafja ime e ftohtë dhe qesh. Është
bukur të qeshesh, e kam zbuluar vetëm kohët e fundit këtë gjë…
PS. Paci një të hënë të mbarë!