Ah, si nuk e kam edhe unë një grusht të fuqishëm...
Po edhe nëse e kam, kujt t'i bie më parë?! Propozoj të ndërrojmë të gjitha
karriget e ministrive dhe drejtorive. Unë mendoj se për çdo fatkeqësi që
ndodh sot, fajin e ka vetem karrigia. E shikoja dikur Ilir Beqen, goxha burrw. Më
bënte shumë përshtypje, andej nga viti 2004, kur vinte në Komisionin e Ekonomisë,
ngjitej deri në katin e tretë të Kuvendit, me këmbë të thyer, me paterica. Mendoja
me vete: kush e di c'bën ky, po t'i ketë gjërat në dorë?! Pastaj e dëgjoja që
fliste me fjalë te mëdha për sigurimet shëndetësore, e prapë mendoja: pse nuk e
lënë këtë njeri t'i realizojë këto që thotë. Sot, po prapë pyes veten: tani që është
në krye, pse nuk i bën ato, që vetë ka thënë dikur?! E shikoni pra, që fajin e ka
karrigia.
Më shqetëson e ardhmja ime dhe e fëmijëve të
mi. Shpeshherë, e gjej veten në pikëpyetjen e madhe: a duhet të qëndroj, apo të
iki dhe unë?! Dhe më besoni, cdo ditë që kalon unë tundohem më shumë.
Më shtyn të mendoj drejt ikjes, parada e modës
çdo të enjte në parlament. I them vetes: atë fundin e kuq do e ketë blerë me
taksat e mia të muajit që shkoi, ndërkohë që unë e mbylla sërish me borxhe.
"Po atë cantën MK ?" - atë do ta ketë nga qiraja e lartë e ndonjë
gjynahqari. Jo, një cantë kaq e shtrenjtë do të jetë dhënë si dhuratë për
futjen në punës, të gruas apo të dashurës së një te njohuri. Vë në pikëpyetje
qëndrimin tim këtu, sa herë dëgjoj këto çupëlinat që dalin e japin mend në
televizor, që kanë fjetur e zgjuar nëpër pallate e shtëpi që nuk i mbajnë mend.
Vë në pikëpyetje qëndrimin tim këtu, sa herë shoh fjalimet e atyre që duan të
vijnë në pushtet. Më duket vetja pa shpresë!
A dua dhe unë që vajzat e mia të rriten kështu,
këtu? Po fundi i fundit këto vajzat e reja e fjalimet boshe nuk më bejnë asgjë,
veç faktit që më vjen keq për veten. Me një barrë shkollë mbi kurriz, që punoj
për të shtyrë dhe një javë, një muaj e një vit, pa një vizion për të ardhmen e kjo,
jo për faktin se më mungojnë idetë, dëshirat apo guximi, por për faktin e
thjeshtë se kaq më lejohet ta shtri hapin. Nuk mund të guxoj më tej pasi që tek
porta e parë që do ndesh, qoftë kjo portë; blu, rozë, lejlja e verdhë apo
jeshile do më kërkojnë para.
-Para? - po unë kam te drejtë.
- Atë të drejtën goce kerkoje vend tjetër jo këtu,
e drejta as hahet e as pihet po nuk dhe para...
Më
shqetesojnë edhe luleshtrydhet, që mezi kursej para, për t'ja blerë vajzës
sime, më shqetëson edhe mielli që bëhet buka që ha, uji që pi, deri tek ajri që
thith.
Të iki apo të mos iki, kjo është çështja.
Shkruar diku nga gushti 2016