Powered By Blogger

Monday, March 2, 2015

Qime derri që në mëngjes



Kot nuk ishte sot e hënë. Të paktën sikur doktori i syve të thoshte: sytë i ke për faqe të zezë! Kjo do të justifikonte mundin për të vajtur deri në spital. Por jo! U mjaftua vetëm me një “duhet t’i lashë sytë me shampo bebesh!” Po pse shkon njeriu për kaq tek specialisti e aq me tepër në një ditë të hëne. Nuk mjaftoi fakti që isha zgjuar që në 4 të mëngjesit, e piva dy kafe të ftohta, pasi nuk mund të ndizja aparatin e kafesë, zhurma që do të bënte do të zgjonte fëmijët që më në fund po flinin në kuzhinë, pas rënies së temperaturës. Herën e parë e anulova vizitën tek mjeku pasi ishte djali i vogël sëmurë, të dytën ishte i madhi, sot ishin të dy sëmurë, por sot duhej të shkoja nuk mbante më ujë pilafi.
Makinën nuk mund ta merrja pasi dy pika që do të më hidhnin në sy do të më turbullonin për pak shikimin, ndaj me metro dhe autobus ishte zgjidhja e vetme. Po fundja i thashe vetes “ti nuk ke lindur me makinë, ndaj nisu!” Ne metro ishte njëra që fliste që në pikë të mëngjesit për një “botterham”, (dy feta buke të lyera me gjalp edhe pak dhjatë e sallam në mes), asgjë tjetër nuk ishte e veçantë. Në stacionin e autobusit ngre kokën të kontrolloj orarin e autobusit që duhej të merrja unë. Shyqyr që kuptoj dy fjalë se do të kisha mbetur aty. Për shkak të një defekti të asaj linje autobusi im vinte pas 35 minutash. Ishte ora 9 e mëngjesit, ndërsa takimi ishte në orën 9:20. Epo kot, edhe ketej vonohet autobusi, po pse sot? Mora rrugën në këmbë, pasi me të pyetur gjen Stambollin e jo më një spital. Qeshja me vete, se nuk qaja dot, e mirë kisha bërë që s’kisha qarë, pasi i vetmi problem me sytë e mi na ishte zgavra e lotëvë. Një autobus që nuk vinte nuk do të ma prishte humorin. Në fillim e nisa me vrap, por pasi bëra 50 metra ndalova, nuk mund të vrapoja më, s’kam qenë kurrë për sporte të tilla. Më në fund arrita, merrja frymë me zor, por arrita! Të tjerë njerëz prisnin para meje, të moshave të ndryshme, një vajzë diku tek 7 vjeç dhe një 95-vjeçare ishin ndër të tjerë pacientë. Më të moshuarit nuk shikonin mirë as të plotësonin formularin që në shumicën e rasteve i përgjigjesh me “jo”, ndaj dhe shoqëroheshin nga të dytë.
- Baba,  e mban mend emrin e ilaçit që përdor? - E pyeti i biri një të moshuar 78- vjeçar. Jo! - tha ai, - di vetëm që janë disa kokrra të vogla.
Të tjerët qeshën: “të gjitha kokrrat të vogla janë, ju ndryshon vetëm ngjyra”, - ja ktheu një grua. Jo, - përgjigjet ai me seriozitet, - kokrrat e mia janë të bardha. Të gjithë qeshëm, ishte një plak i mirë, nuk donte të ulej por bënte ec e jakje nëpër spital. " E ecura të bën mirë", - thoshte dhe kishte të drejtë, ndaj m'u mor fryma mua teksa vrapoja. Ndërsa i erdhi rradha plaku nuk gjendej. Por sa hap e mbyll sytë u shfaq sërish me një buzëqeshje si prej fëmije lozonjar, që sapo i kishte punuar të birit një rreng. Ishte i lumtur!
Unë ika e nuk e di çfarë u bë me pacientët e tjerë, shyqyr që telefonin e kisha harruar në shtëpi, një e mirë tjetër e kësaj dite, pasi ndryshe kjo histori do të ishte më e bukur. Do të ecja duke shkruar rrugës, pasi kur dola nga spitali autobusi vonohej jo më 35, por 39 minuta. Nuk shikoja dhe aq mirë, e ndaj nëse do të kisha edhe telefonin të shkruaja me siguri do të isha përplasur me ndonjë shtyllë.

Monday, January 26, 2015

Bukra ime pi birra, po juaja?




  Sa më shumë i njoh aq më shumë me vjen të ulëras me të madhe. T'ju ulëras m'u në surrat me sa të kem fuqi. Le të me arrestojnë, për prishje të qetësisë publike, apo fyerje personash, të paktën do të jem e kënaqur. Kujt t'i ulëras?! Atyre që mbajnë të gjitha nje emër: Bukra. Janë aq shumë në numër sa duket sikur shtohen si me magji.
E di që secili prej nesh e ka një Bukra në fis. Bukra ime nuk i përket fisit tim, kemi qëlluar fis i drejtë "budallenjsh", pa mashtrime e fati na la edhe pa Bukrën. Megjithë tualetin që bën, Bukra ime sërish ka ngjashmëri më shumë me burrat. Natyra e ka lëne dhe të shkurtër e si për ta shtuar shkurtësinë e saj mban veshur më të shumtën e kohës pantallona të bardha, si të jetë stina; të shkurtra ne verë e të gjata ne dimër. Nëse do të m'i falte njeri çimzet që kishte veshur atë ditë kur e njoha për herë të parë do të mendoja se po tallej me mua. Por ajo është "bukra", ajo është moda dhe marka e fundit.
Si e kalon ditën? - më pyeti?
Shkruaj - i thashë unë.
Pffft po kjo as hahet e as pihet, - ja priti ajo.
Po shkrimet e mia janë si ato të Hoxhës; pihen me ujë dhe e japin efektn më vonë, - ja ktheva unë jo pa ironi. Ajo as e vrau mendjen për një gjë të tillë.
Bukra ime nuk pranon të pi kafe dosido, si ne të tjerët, si të na e sjellin ne nuk bëjmë llafe. Ajo e do në këmbë si italianët. Pak rëndësi ka se italianët e pijnë kafenë në këmbë se janë me nxitim për në pune, Bukra ime e pi ashtu se do të tregojë veshjen e fundit. E nëse gjen nje vend tjetër që kafja nuk pihet si italianët, qe të themi të drejtën vetëm atje pihet e tillë, Bukrës time nuk i pëlqen ai shtet: sa shtet pa gusto i dalë mode!
Se Bukra ime ha në restorante klasi, e pi verë të shtrenjtë, pavarësisht se qejfi ja ka një birrë me qofte. I shijoji birra me chips, nuk e njihte njeri, përveç meje që ju duka e parrezikshme. Nuk i thashë se një ditë do të ishte personazhi im e ndaj ato patatina mund t’i mbeteshin edhe në grykë. Se Bukra ime s'di ku t'i cojë paratë e ndaj i duhej një rrip 300€ për kafshen e saj shtëpiake. Nuk kam asgjë kundër kafshëve, por kur mendoja që im atë ka një rrogë mujore prej 200 mijë lekësh të vjetra sa nuk ju hodha në grykë, kafeja në këmbë s’kishte qenë asgjë.
Se Bukra ime nuk di ta dallojë që Stambolli është qytet, e i thotë shtet, por sërish Bukra ime ka tre shtëpi në Tiranë e unë që bëj dallimin nga shteti në qytet, mbeta në shtëpi me qira.
Bukra ime ka dhe makinë, - natyrisht, - do të thoni ju, - s'kishte si të ndodhte ndryshe. Bukra ime parkon vend e pavend, nuk e njeh shenjën “minus”; ndalim kalimi! Gjobat i paguan Mreti. Pyes veten sa lekë do të ketë ky Mreti?! Gabim! Mreti nuk ka lekë, Bukra nuk e njeh ketë ngjyrë, ajo flet vetëm me euro, ndërsa unë me këtë lloj paraje nuk di t’i bëj llogaritë mirë. ;)