Powered By Blogger

Monday, August 4, 2014

Shyqyr që paratë i dhamë borxh


 Shitëm shtëpinë tonë të vogël dhe modeste; dy dhoma dhe një kuzhinë dhe ikëm larg qytezës së vogël ku lindëm e u rritëm. Tirana ofronte shumë më shumë. Meqë paratë nuk na dilnin për të blerë një shtëpi tjetër as një dhomë e një kuzhinë, vendosëm që më e sigurta për ruajtjen e tyre do të ishte Banka e Shqipërisë. Vetëm aty, - tha babai,- nuk i gjen gjë paratë. “Po ra shteti na ka marrë lumi dhe ne”, - mirëpo ai as nuk e kishte idenë më të vogël se çfarë mund të ndodhte brenda asaj godine të madhe që shtrihet në qendër të Tiranës e pa ju dridhur syri fare luan  bixhoz me ç’ti dalë përpara.
Nuk më pëlqeu idea e Bankës së Shqipërisë, nuk e di pse më kujton gjithmonë kohën e komunizimit. Sa herë vija në Tiranë, kur isha e vogël e shikoja bankën si një gjë të frikshme, thesari i shtetit, paratë, më trembnin sa herë i dëgjoja ato fjalë.
Por nuk kishim zgjedhje tjetër, bankat e tjera, shumica në atë kohë ishin greke; atyre nuk i besohej akoma dhe më keq. Shyqyr Zotit dikujt nga fisi i ra mendja t’i kërkonte ato para borxh dhe prindërit e mi si zemërmirë që janë nuk mund t’i thonin jo. I tërhoqën paratë me lezet dhe ja dhanë borxhkërkuesit. Mbaj mend si sot debatin e bërë se pse duhej të prishnim planet tona e t’ju jepnim të tjerëve borxh kur nuk kishim asgjë në terezi. Por sot më vjen mirë që ata para u dhanë borxh. Më mirë borxh dikujt që ti e njeh e ndoshta s’do i marrësh kurrë, se sa të shkojnë për operacione bukurie të vajzës së guvernatorit, apo ngushtim stomaku të së shoqes ( nuk kuptoj pse duhet të ngushtohet stomaku me operacion, kur mund ta kontrollosh veten në të ngrënë). Siç duket kur paraja merr dhenë nuk di ç’të bësh me të, pasatj fundi i fundi çfarë të kushton ja ku është Amerika, paratë të fukarenjve janë, çfarë humbet? Asgjë.
Them prapë shyqyr Zotit që i morën paratë tona borxh e nuk u prishën nga vajza e guvernatorit, pasi nuk e di pse me kujton Fionën tek filmi “Shrek”. Shyqyr Zotit që i dhamë borxh e nuk shërbyen për t’í fshirë djerësët djalit të Fullanit, apo më keq akoma si letër higjienike. Teksa lexoja shkrimet e shumta në gazeta për pasurinë marramendëse të guvernatorit pyeta veten se pse prindërit e mi kishin si pasuri vetëm një shtëpi tepër modeste që e shitën për aq pak para.
A nuk punuan edhe ata gjithë jetën e tyre me tre turne ne metalurgji, a nuk lanë kockat aty e sot nuk ka sëmundje që nuk ju është shpikur. Edhe kur ju çon ndonjë lek që të dalin për një darkë jashtë, e merr vesh të nesërmen se paratë shkuan për të bërë analizën e rradhës. Pse nuk kursyen edhe ata që të kishim edhe ne të paktën një shtëpi në Tiranë, se në qytete të tjera do të ishte luks i madh apo se im atë e ime më, ishin klasë punëtore, e jo me shkollë të lartë si guvernatori me shokë?
Do të doja dhe unë të shkoja një herë në Amerikë, jo për operacion se stomakun e  kam vetë të ngushtë, do të doja dhe unë të shkoja një herë në vit, (jo çdo javë se më bën dëm:P), në një qendër bukurie, kot për të parë ç’bëhet aty, si ndihesh kur hyn brenda?! Do të doja dhe unë të shkoja një herë me pushime në Saint Tropez se më ka ngel fiksim që nga koha kur shikonim filma me xhandarin Krysho (Louis de Funegraves). Ç’na bëre more babi që nuk punove guvernator, por metalurg i thjeshtë!
Nëse unë do të isha në Tiranë sot do të merrja pjesë në protestë. Është më e paktë që mund të bëj e jo të shkruaj nëpër rrjete sociale.

Monday, July 21, 2014

Për qejfin tim e të atyre që mendojne si unë



Kur e pyet se çfare shkolle ka mbaruar, nuk di të të thotë emrin e saj, por nëse do të kesh kohë të presësh pesë minuta sa të marrë mamanë në telefon që t’i lexojë se çfarë shkruhet në atë copë kartoni, atëherë do ta marrësh vesh. E pyet sa ka kushtuar çanta e saj Louis Vuitton, që për muaj me rradhë e ke parë nëpër vitrina si dhelpra me rrushtë, e në fund kur nuk e bleve dot the: nuk e dua! - të thotë që është dhuratë nga ish i dashuri i saj i shkuar. Nuk di pse e mban ende, kur ka marrë dhuratë nga dashuri tjetër çantën e fundit "Gucci", e cila sapo ka dalë, ajo po, ajo është çantë.
Të kujtohet se dikur loznit të dyja bashkë para pallatit, me peta, me top, me ç’të gjenit. Ishte ajo që të lutej të futej në lojë, e ty të vinte keq, "pse jo?" - ju thoje dhe vajzave të tjera të pallatit që ta merrnin se ishte gjynah, ç’punë do t’ju prishte? 
Ul sytë e rrotullon filxhanin e kafesë, pse erdhe, pse e takove? Ndoshta ngaqë e gjete rastësisht në facebook e pe që tashmë shoqërohej me njerëz të rëndësishëm, një prej tyre ishte pikërisht ai që të duhej për të futur në punën motrën tënde.
Ka ndryshuar ngjyrën e flokëve, bionde e lyer që nuk e ngatërroje dot më, nuk i ka ato bishtat e djegur nga dielli, as vetullat e pahequra. Një hark tatuash i rri mbi sy, por që s’ka asgjë të ngjashme me shprehjen “vetullën si gajtan”. Nuk mban më as erë djersë, ka një parfum “dolce gabbana”, pikërisht ai që të pëlqen ty shumë. Tymi i cigares që nxjer sa herë e thith të bie m’u në turi. E shikon me bisht të syrit pasi ke frikë se do ta kuptojë qëllimin e vërtetë të ftesës tënde për kafe. Nuk keni pirë kurrë një të tillë, ajo nuk ka qenë kurrë në listën e shoqeve të tua. E mban mend edhe atëherë kur e pe rastësisht në rrugë e nxitove hapat që të mos përballeshe me të.
Ajo flet pa e vrarë mendjen për çfarë mendon ti, të tregon për pushimet e fundit që ka bërë në Paris. Për hotelin me katër yje ku ka fjetur, e cili nuk ishte asgjë krahasurar me një tjetër me 5 yje, ku kishte fjetur një vit më parë. Kishte bërë gabim që kishte zgjedhur atë, madje ishte grindur dhe me ata të “room service”, pasi mëngjesi nuk i kishte vajtur në dhomë siç kishte kërkuar ajo. Pastaj as darka e ngrënë në një prej atyre rrugicave të shumta pariziene, që mbajnë aq shumë poezi mbi kurriz, nuk kishte qenë kush e di se çfarë.
Të vjen të ulërasësh me të madhe që ta marrë vesh e gjithë njerëzia. Por s’bën asgjë, ul kokën e ngre filxhanin e kafesë, ai është mbaruar, por të duhet ta mbash ashtu ndryshe do të shpërthesh fort.
Një mendje të thotë të ngrihesh e të ikësh me vrap? Jo! Duhej të mbaroje atë për të cilën kishe ardhur, të paktën të tentoje. Kush e di sa njerëzve ju kishe thënë për atë vend pune, e askush nuk të kishte zgjidhur hallin që kishe. Po çfarë kishte motra jote para saj, shumë pak; një diplomë me mesatare të lartë, 3 gjuhë të huaja, një mastër - pffff; gjëra koti....