Shpesh i bëj
pyetjes vetes se përse Shqipëria ime e vogël nuk mund të renditet përkrah Zvicrës.
Dhe po ta mendosh thellë - thellë, ne kemi mundësi ta kalojmë Zvicrën. Ne kemi
det, Zvicra jo. Pra, një me zero për ne. Por këtu calon puna. Ne kemi vetëm
detin, të tjerat i ka Zvicra. Nuk dua të
pranoj shprehjen, që cdo popull ka qeverinë që meriton, ndaj po e lë Zvicrën
dhe po kërkoj një shtet tjetër. Nëse dëshira ime duket pak e ekzagjeruar, atëherë
kam të drejtë të kërkoj që Shqipëria të renditet në standardet e Spanjës apo
Italisë, epo dreqi ta marrë nuk ka pse të mos renditet përkrah Greqisë! Na
ngroh po i njëjti diell e, na ndan po i njëjtin det. Po prapë, as me Greqinë, s’me
dalin hesapet. Gjithë këto pyetje të trazuara hynë e dalin në kokën time, që
prej natës kur pashë lajmin me titull: Merri domatet, por mos ja jep fëmijës. U
trondita. Jo se këtë lajm nuk e dija, por që gjithmonë jam me shpresën, se
ndoshta nga viti në vit do të ndryshojë dicka. Si mund t’i thuash një prindi një gjë të tillë? Nëse unë jam keq, edhe fëmija
im është keq. Meqë politikanët janë të zënë të merret me një problem të
tillë, që për mua është ndër më shqetësuesit, atëherë mendoj se ndoshta fermerët
(të cilët nuk e meritojnë një emër të tillë) do të bëhen më të përgjegjshëm. Ta
hajë djalli, cfarë do të thonë në ditën e gjykimit?!
Bashkë me
dy fëmijët e mi, vizitova në shkurt, Shqipërinë. E duke qenë se doja të kaloja
një javë pushime, pa vajtur në spital, shumicën e gjërave i kisha marrë me
vete, ndërsa u isha lutur atyre se nëse nuk do të kërkonin të hanin akullore në
Shqipëri, do t’u blija kur të ktheheshim cfarë të donin. Nëse në Holandë merakosem
kur ata nuk hanë bukë, në Tiranë gëzohesha kur thonin: nuk e duam! Për fatin tim të mirë, marrëveshja
ime me ta funksionoi sic duhej. Dhe ishte pikërisht kjo marrëveshje që më nxiti të
shkruaj këto fjalë sot. Shto këtu edhe faktin se kohët e fundit dëgjoj shpesh
qeveritarë, politikanë e ambasadorë, të mburren me shifrat e turizmit. Dhe
pastaj pyes sërish veten: për cfarë turizmi e keni fjalën? Ju të gjithë e dini
masakrën ushqimore që po bëhet në Shqipëri, ju të gjithë e dini që po i vrisni
ata njerëz me bukën që hanë dhe prapë nuk e vini ujin në zjarr. Të dashur
ekspertë përgjegjës për këtë masakër ushqimore dhe ju të dashur ekspertë të
turizimit, mos keni menduar se Shqipërinë turistike do ta bëni duke i kërkuar
turistit (gjerman, zvicerian, anglez, francez përmend sa të duash) të marrë bukë
më vete? Më falni, por unë nuk i them dot një të huaji: shko në Shqipëri se do
kënaqesh? Madje meri dhe fëmijët me
vete, vetëm bëj kujdes për fëmijët, më mirë merri gjërat me vete, e mos i jep
asgjë nga ato që që blihet në treg, jo për gjë, por kanë një përqindje të lartë
kancerogjene… Pra troc muhabeti, në Shqipëri nuk dihet se cfarë ha. Të jemi
realiste: Unë e dua Shqipërinë, e më dhemb kur shoh lajme të tilla, por le t’i
pranojmë gjërat ashtu sic janë e le t’i themi të vërtetat në sy.
Ndonjëri mund të thotë se po i qakam
shumë hallin turistëve të huaj, e nuk me dhimben ata që jetojnë aty. Sigurisht
që më dhimben, shumë madje, por ndryshimi qëndron se turisti nuk e di cfarë e
pret, ndërsa ju të dashur njerëz e mi e dini fare mire, dhe ende nuk keni ndërmarrë
asnjë hap për ta ndryshuar këtë gjë. Ne reagojmë, e “shqyhemi” me njeri-tjetrin
për politikanët tanë, ndërsa nuk vëmë ujin në zjarr për bukën tonë të përditshme.
Në librin “Zorba”, të Niko Kazanxaqis, më ranë në sy këto dy fjali: “Lëri njerëzit,
më qafsh, lëri të qetë e mo u hap sytë?....C’ti thosha? E dija c’duhej shembur,
por jo c’duhej ndërtuar.”
Unë nuk dua të besoj se ne i kemi
sytë të mbullur, ndaj ndaj mendja më tha: po sikur të bojkotonim për një javë apo
dy, të gjitha frutat dhe perimet që shesin fermerët tanë të cilët nuk kanë pikën
e skrupullit. Cfarë do të ndodhte vallë nëse prodhimet e tyre do të kalbeshin,
në sera, apo buzë rrugës, të pashituara? Nuk do të na gjente asgjë nëse për një
javë do të hanim, fjala bie, bukë me djathë. E di që dhe djathti ka problemet e
veta, por nëse në këtë mënyrë zënë mend fermerët, ateherë ndoshta zënë mend dhe
blegtorët. Nëse do të isha në Tiranë, do ta provoja, por edhe nëse do ta provoja
unë, asgjë nuk do të ndryshonte. Një njeri i vetëm nuk mund të bëjë asgjë, ndërsa
ju të gjithë bashkë, bëheni shumë. Lajmet dhe shkrimet nëpër blogje i merr era,
ajo që shuhet cdo ditë pa e merituar është jeta juaj. Luftoje kancerin pa celur
rrënjët, ndoshta nesër do të jetë shumë vonë! Nëse ne nuk duam veten, atëherë
nuk mund të presim që të na dojë bota.